Magazine

Ja pse konfliktet në çift janë më të dëmshme, se sa pirja e duhanit apo kolesteroli

screen-shot-2016-11-14-at-11-57-31

Marrëdhëniet ndërpersonale, janë burimi ynë më i madh i kënaqësisë, por gjithashtu edhe i problemeve. Në veçanti marrëdhëniet në çift, janë një burim i madh gëzimi dhe mbështetje në kohë të vështira, por kur ato shndërrohen në marrëdhënie konfliktuale, gjenerojnë shqetësim të madh, i cili në fund ndikon jo vetëm mbi ekuilibrin psikologjik, por edhe në shëndetin tonë fizik, duke e rritur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të rënda.

Nëse partneri juaj është i lumtur, edhe ju do të jeni i shëndetshëm

Në vitin 1858, një epidemiolog anglez i quajtur Uilliam Far ia kushtoi jetën studimit të asaj që ai e quajti “statusi martesor” i francezëve. Ai e ndau popullsinë në tri kategori:të martuarit, beqarët dhe të mbeturit të ve. Pastaj shqyrtoi arkivat ku ishin regjistruar datat e lindjeve, vdekjeve, martesave, si dhe normat e vdekjeve. Far mbërriti në përfundimin se të paktën në atë kohë, njerëzit e martuar kishin një jetë më të gjatë e më të shëndetshme.

Kohët e fundit, disa psikologë të Universitetit Shtetëror të Miçiganit, publikuan një studim që përmblidhte rezultatet e 6 viteve kërkime. Gjatë kësaj periudhe u monitoruan 1.981 çifte, dhe u zbulua se lumturia e njëri prej dy pjesëtarëve të çiftit, është e lidhur me shëndetin e partnerit. Pra, nëse partneri juaj është i lumtur, ju keni më shumë të ngjarë të gëzoni shëndet të mirë.

Natyrisht, këto nuk janë studimet e vetme që e vënë theksin tek lidhja midis shëndetit dhe kënaqësisë në një marrëdhënie. Në fakt, është parë ndërkohë si një rregull i përgjithshëm, që njerëzit e martuar kanë më pak të ngjarë t’i nënshtrohen operacioneve, vdekjeve nga tumoret, dhe kanë gjithashtu më pak rrezik të vuajnë nga demenca.

Sigurisht, kur kemi një partner, dhe sidomos kur ekziston një raport i mirë, marrim më shumë mbështetje dhe natyrisht përjetojmë më pak stres, pasi i ndajmë problemet së bashku. Por fakti i thjeshtë i të paturit një partner, nuk e përmirëson shëndetin tonë. Shumë e më shumë studime sugjerojnë se kur marrëdhënia është e stuhishme dhe e trazuar, balancat psikologjike dhe shëndetësore do të përkeqësohen me shpejtësi.

Kur marrëdhënia në çift vret

Studiuesit në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, analizuan të dhënat nga 1.200 njerëz mbi moshën 50-vjeçare, duke marrë parasysh treguesit si pirja e duhanit dhe niveli i kolesterolit, si dhe vlerësuar cilësinë e martesës së tyre. Në këtë mënyrë ata zbuluan se konfliktet në një marrëdhënie, ishin paradhoma e problemeve kardiovaskulare, dhe në disa raste një zile alarmi shumë më e besueshme se sa pirja e duhanit apo kolesteroli.

Është interesante të theksohet se gratë e vuanin më shumë se meshkujt këtë efekt negativ. Për këtë arsye, ka ardhur koha të pohohet se konfliktet në çift mund të jenë shumë më të dëmshme për zemrën, sesa pirja e duhanit ose kolesteroli i lartë.  Disa studime epidemiologjike sugjerojnë gjithashtu, se një martesë e palumtur rrit rrezikun e atakut në zemrës dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Në fakt, një studim i kryer mbi 300 gra suedeze, zbuloi se rreziku i goditjes nga një atak në zemër qe 3 herë më i lartë kur kishte konflikte martesore. Vlen të përmendet se stresi i gjeneruar nga puna, nuk paraqet një rrezik të tillë shëndetësor.

Pse konfliktet martesore janë kaq të dëmshme? Cili është ndikimi i tyre në trup?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet t’i rikthehemi një serie studimesh të kryera nga hulumtuesit në Universitetin e Ohajos në SHBA. Njëri prej tyre përfshiu 76 gra, gjysma të martuara dhe gjysma tjetër të divorcuara apo në proces ndarjeje. Nëpërmjet analizave të gjakut, u zbulua se ato që vazhduan të duronin një marrëdhënie të vështirë, ose ishin të lidhura emocionalisht me një marrëdhënie të ndërlikuar, shfaqnin një reagim të dobët të sistemit imunitar.

Këta studiues shkuan një hap më tej, për të zbuluar se çfarë ndodh në trup gjatë një zënke me partnerin. Ata rekrutuan 42 çifte të martuarish, në dukje të lumtur. Eksperimenti u krye në dy faza, në ditën e pare partnerët në çift folën me njëri-tjetrin për gjysmë ore për argumente që stimulonin qëndrimet mbështetëse. Ditën tjetër ata folën për çështje që gjenerojnë tensione dhe konflikte. Ndërsa ishin duke diskutuar, u përdorur një pajisje të veçantë për t’i shkaktuar flluska të vogla në krahë.

Qëllimi ishte për të parë nëse mbështetja apo keqkuptimi, do të ndikonte në kohën e shërimit të tyre. Dhe kështu ndodhi. Kur çiftet debatonin, kishin nevojë për një ditë shtesë për të shëruar plagët, në krahasim me ata që patën një bisede të këndshme. Përveç kësaj, plagët e disa çifteve të cilët treguan nivele veçanërisht të larta armiqësie gjatë diskutimit, iu deshën dy ditë më shumë për t’u shëruar.

Këto të dhëna dëshmojnë se stresi që përjetojmë gjatë një diskutimi në çift mund të jetë shumë i lartë, duke penguar proceset gjeneruese të një serie ndryshimesh në trupin tonë, çka nëse vazhdon për një kohë të gjatë do të na kushtojë shumë, fizikisht dhe psikologjikisht. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button