Analiza

A janë myslimanët të përjetshëm në Evropë?

Fouad Gandoul*

muslims europe

Një javë pas atentateve të Parisit, shërbimet policore belge shkatërruan një celulë terroriste. Shoqëria belge fokusohet gjithashtu, mbi të metat që çuan në radikalizimin e fëmijëve në vend
Marshimi historik në Paris nuk do të bëjë që të zhduket me magji problemi i identitetit dhe mungesës së përfshirjes. Sigurisht, miliona francezë që zbritën në rrugë ishin në gjendje të gëzonin një ndjenjë ngushëlluese të unitetit, por një ndjenjë të përkohshme, sepse qysh të nesërmen ata ishin përballur me realitetin.
Hendeku social gjithmonë është aq i thellë. Përtej marrëdhenieve të tij publike, presidentit francez do t’i duhet të zbatojë një politikë të guximshme dhe të menduar, nëqoftëse ka qëllim t’i japë një vazhdimësi kësaj ndjenje uniteti.
Në vendin tonë, sfida nuk është pak impresionuese. Gjatë dekadave, [partia flamande e ekstremit të djathtë] Vlaams Belang ka vazhduar të godasë  tjetërsinë e muslimanit dhe natyrën gjoja të  papajtueshme të islamit në gjirin e një Evrope të lirë, por gjithësesi kristiane. Kjo i ka vlejtur kësaj partie dhe për sukseset e saj elektorale. Aktualisht, një pjesë e mirë e elektoratit të saj është kthyer drejt N-VA [partia separatiste dhe populiste flamande, formacioni i parë i vendit], por mosbesimi është i ngulitur thellë. Edhe në mjediset ku mund të presësh një shikim të hapur mbi shoqërinë, shpesh mbetesh i zhgënjyer.
Në të njëjtën mënyrë si në Francë, në Gjermani dhe në vendet e ulëta rritet ndjenja që myslimanët janë trupa të huaj. Entitete, etika dhe vlerat morale të cilëve janë në kontradiktë me ato të një Evrope të ndriçuar dhe laike, dhe që përfaqësojnë për rrjedhojë një rrezik që rritet pa pushim, për sigurinë.
Asgjë nuk është më pak e vërtetë, por përpiquni pra t’ia shpjegoni atë të gjithëve sot, ndërkohë që në sfond na mbërrijnë një fluks konstant pamjesh  frikësuese të zonave të konflikteve në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.
Shpesh është e vështirë dhe frustruese që të na duhet të luftojmë pa pushim  kundra klisheve, kur kemi tek ne gjithashtu të bëjmë me fanatikë mbi të cilët në mënyrë të vullnetshme janë drejtuar të gjitha kamerat.
Jeta e myslimanëve megjithatë është pak e ndryshme me atë të qytetarëve të tjerë mesatarë. Aspiratat janë të njëjtat. Duhet me urgjencë që përfaqësimi i myslimanëve të ripërtërihet dhe modernizohet.
Na jepni imamë vendas, që flasin rrjedhshëm holandisht dhe që njohin në mënyrë të përsosur botën e të rinjve në kontekstin tonë social. Nëqoftëse dëshirojmë të përmbysim tendencën, duhet t’i bashkojmë veprimet me fjalimet politike. Për këtë do të kemi nevojë për tre ministri (Arsimit, Punës dhe Çështjeve sociale), megjithë  shkurtimet buxhetore impresionuese.
Ka ardhur momenti që në shkolla të futet një lëndë e detyrueshme që trajton qytetarinë, për të gjithë nxënësit e fillores dhe të mesmes, dhe t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë zhvillimit të një fryme kritike: të rinjtë duhet të mësojnë  se pikëpamjet mund të ndryshojnë dhe si duhet të sillen në rast divergjencash.
Një fushë e dytë veprimi është aksesi në tregun e punës për të rinjtë e imigracionit. Problemi është i njohur qysh prej kohësh, por deri tani pak masa janë marrë për ta shuar atë. Ky lloj racizmi kontribuon në përkeqësimin e pakënaqësisë që shërben si mjet shpërthyes për një numër të rinjsh të radikalizuar.
Kështu duke adoptuar një politikë sociale të menduar, është e mundur të ndalohet ky proces radikalizimi. E gjitha kjo do të shpjerë në një ndjenjë identiteti të zgjeruar, ku çdo qytetar të pranohet, pavarësisht besimit të tij fetar dhe të bindjeve të tij politike.
Sepse një shoqëri mundet vetëm të  luftojë kundra barbarisë, por asnjëherë ta eliminojë atë. Prandaj, sa më shumë një shoqëri është e përparuar, aq më e nevojshme është që udhëheqësit e saj të ndërgjegjësohen se ajo është e gabueshme dhe e pambrojtur. Më shumë se kurrë, ne duhet të mësojnë ta bëjmë tonin unitetin. 
* Politolog, Sekretar i Shoqatës Empowering Belgian Muslims, e cila promovon emancipimin e  myslimanëve të Belgjikës
s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button