Psikologji

Jay Shetty për teknologjinë dhe jetën: “Cilët janë njerëzit që të bëjnë ta harrosh celularin tënd? Kalo kohë me ta”

Ne e kemi bindur veten se teknologjia po na ndihmon. E vërteta është se, njerëzit nuk po na duken më të mjaftueshëm në këto ditë. I kemi zëvendësuar librat si dhurata, sepse e dimë që askush nuk do të lexojë më në ditët e sotme. Jemi brezi më në stres se brezat e mëparshëm dhe sërish, vazhdojmë dhe shkarkojmë aplikacione të tjera me shpresën se ato do të na ndihmojnë. Jemi rrethuar nga kaq shumë të dhëna, trende nga më të fundit, zbulime nga më të ndryshmet dhe prapë, nuk e kemi të qartë qëllimin e jetës sonë.

Ne i kushtojmë kohë fotove në Instagram, në vend që kohën ta kalojmë me personin që po qëndron përballë nesh. Preferojmë fotot me filtra, se sa ato reale. Kalojmë më tepër kohë në rrjetet sociale, se sa me miqtë tanë në realitet. E dini se pse nuk përqëndrohemi dot në diçka? Sepse vëmendja jonë tërhiqet nga 50 drejtime të ndryshme nga teknologjia.

Ne i besojmë një personi që flet në internet dhe që shpesh është i paguar për atë gjë, se sa dikujt që e njohim dhe ka eksperiencë në atë fushë. Duam të kapim dorën e personit që duam, ndërkohë që në dorën tjetër kemi celularët tanë. Pastaj ne pyesim se pse nuk zgjasin marrëdhëniet. Ne harrojmë se jemi ne që na duket jo e plotë një jetë që nuk është shumë e ngarkuar. Ne mbushim memorien e celularit tonë, mbushim plot axhendën tonë, mbushim ditën tonë me teknologji me shpresën se kjo gjë do ta plotësojë zbrazëtinë tonë. Ankohemi se asnjë ndjenjë nuk na duket reale, por nuk përpiqemi të jemi vetë realë dhe të investojmë sa më tepër në diçka.

Nuk e dimë se çfarë duam të bëhemi, sepse jemi tepër të zënë duke menduar se çfarë janë bërë të tjerët. Sa herë të ka thënë dikush: “Kam nevojë për kohën tënde”? Kur dikush të thotë këtë gjë, dije se ai person ka nevojë realisht për energjinë tënde. Imagjinoni sikur t’i jepni dikujt një orë nga jeta juaj, por gjithë kohës të jeni të shpërqëndruar nga celulari. Imagjino tani nëse i jep 10 minuta energji apo vëmendje dikujt. Mund ta kuptosh ndryshimin edhe vetë. Ajo që ne të gjithë kërkojmë, është energjia e dikujt. Ne duam vëmendjen, duam praninë e dikujt në jetën tonë, duam përkujdesjen e tij/saj.

Ajo që ne duhet të bëjmë, është t’i japim njerëzve energjinë tonë, jo thjesht kohën tonë. Mendo një minutë. Reflekto. Bëj një hap pas. Cilët janë njerëzit që të bëjnë ta harrosh celularin tënd? Kalo kohë me ta. Lëre të vdesë urie çdo gjë që të shpërqëndron dhe ushqe çdo gjë që të nxit përqëndrimin. Nuk mund të bësh gjëra të mëdha, nëse gjërat e vogla të kanë marrë vëmendjen. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button