Psikologji

Je një flutur, mos mendo si një larvë

Hapu vend këtyre sjelljeve të mendjes, që çlirojnë energjinë tënde të jetës

Rita e pyet veten shpesh, pas çdo diete të dështuar: përse nuk di të kontrollohem? Mateo, pas grindjes së radhës me të dashurën, pyet veten se mos ka gabuar gjithçka: ëndërron një marrëdhënie serioze, por ajo nuk do t’ia dijë. Dhe kjo histori vazhdon prej një viti. Ndërsa Karla jeton me një peshë në mendje: e kaluara e saj, një nënë nga e cila ka turp, një fëmijëri për të cilën nuk flet me miqtë…

Tani ajo është e rritur, e afirmuar, por e kaluara nuk dëshiron ta lërë të lirë. Në rrethana të tilla pothuajse të gjithë shtrojnë një pyetje të ngjashme: ekziston një sistem për të eleminuar “krimbat” e mendjes, mendimet e gabuara, paragjykimet, modelet mendore në të cilat jemi zhytur dhe që na shpien të bëjmë gabime në çështjet e jetës, duke na penguar të fluturojmë ashtu si ne do të dëshironim? Çfarë na mban në tokë si vemje, duke na penguar të evoluojmë e të bëhemi flutura?

Je duke fluturuar, por nuk e di

Në realitet, pyetja që sapo bëmë është shtruar keq, sepse të gjithë tashmë jemi “duke fluturuar”. Po, ne tashmë jemi flutura! Vetëm ne nuk arrijmë që ta shohim atë. Qasjet e gabuara mendore, bindjet që na bëjnë të pavlefshëm, ato që ne i kemi quajtur “mendime toksike” veprojnë saktësisht në këtë mënyrë: duke mos na penguar të fluturojmë, por duke na penguar të shohim që tashmë jemi duke e bërë, jemi duke fluturuar pra!

Dallimi është delikat por vendimtar. Le të kujtojmë se ekziston diçka në secilin prej nesh, e lashtë, natyrore, parësore, spontane: le ta quajmë shpirt, si Jungu, ose energji, forcë jete, instinkt. Eshtë një fytyrë e fshehur që na çon në çdo moment dhe na mban në majë të dallgës, të evolucionit tonë personal, të fatit tonë.

Fara krijon bimën dhe lulen; lulja hapet, shndërrohet në fruta dhe përsëri në farë; dhe kjo po ndodh tani, në secilin prej nesh. Çfarë na nevojitet tjetër? Asgjë. Tashmë po fluturojmë, tashmë po shkojmë në drejtimin që është i duhuri për ne. Gjërat që na ndodhin, të mira apo të këqija, nuk janë pengesa, goditje apo devijime të bezdisshme nga projektet tona: ato janë elementet themelore të zhvillimit të forcës sonë të brendshme. Nuk ka asgjë tjetër përveç devijimeve në jetë. Sekreti nuk është t’i ndryshosh ato, por t’i njohësh.

Të jesh e lumtur është e lehtë

Ndonjëherë, megjithatë, ne nuk e kuptojmë se pse harxhojmë kohë në aktivitete rraskapitëse dhe të pamundura: duke u përpjekur t’i pëlqejmë të gjithëve, të kthehemi prapa dhe të korrigjojmë të kaluarën, të jemi po aq të fortë sa Supermeni, të futemi në mendjet e të tjerëve dhe t’i bëjmë ata të veprojnë ashtu siç do të donim. Ne bëhemi skenaristët e filmit të jetës sonë dhe presim që gjërat të ndodhin vetëm si në kinemanë fantastiko-shkencore. Dhe ne vazhdojmë të ankohemi se pse nuk i arrijmë këto qëllime absurde, derisa, pas një kohe, ndjehemi të pakënaqur dhe të paaftë për të patur sukses. Si në një rreth vicioz, ne angazhohemi edhe më shumë për të mposhtur ato synime, të droguar nga toksinat mendore që na kanë helmuar dhe na pengojnë të shohim realitetin: jeta është këtu dhe lumturia është afër. Çfarë të bëjmë atëherë? Zgjidhja është e thjeshtë: luftoni toksinat me mendime të ndryshme, çliruese, pastruese. Hiqni peshat nga mendja. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button