“Duhet të kem qenë rreth 20 vjeçe, nuk isha askush dhe nuk kisha bërë asgjë që të më jeptë famë. Gjendesha në një studio televizive përballë një moderatoreje llafazane dhe entuziaste që tha për mua: “Kjo vajzë është me fat. E sheh atë shkallën e vogël? Do ta ngjisësh plot hijeshi çdo javë dhe në puntatën e fundit do ta këpusësh për të shpallur çmimet e Lotarisë Italiane”.
E pashe ngultazi dhe i jam kthyer: “Faleminderit për mundësinë, por i urrej shkallët! Nëpër rrugë ka mijëra vajza më të bukura se mua dhe këtë punë mund ta bëjë kushdo prej tyre. Ndoshta ti nuk e di, por unë kam plot aftësi që të bëj një punë të tillë”.
Pas atij episodi, u përkushtova shumë, sepse siç thoshte ime më: “Nëse gjërat nuk i bën mirë, duhet t’i bësh sërish për herë të dytë, të tretë, apo më tepër”. Mua nuk më pëlqen të humbas kohë. Ama nëse diçka nuk e ndiej, e refuzoj. Nuk kam besuar asnjëherë tek make-upi, por tek ideja, kreativiteti dhe fati. Kam qenë përherë vetvetja dhe jam munduar të mos ndryshoj. Jam e ndrojtur, aq sa kur marr ndonjë vlerësim apo çmim ngelem pa fjalë, sidomos kur rreth meje ka plot njerëz. Shndërrohem në person tjetër dhe në festat e mëdha nuk shkoj asnjëherë. Nuk do dija çfarë të bëja, çfarë të thoja dhe e di që do kërkoja një mënyrë për t’ia mbathur.
Nëse do i jepja vetes rëndësinë e suksesit që kam korrur, e di se do të isha e padurueshme për të tjerët. Jam munduar ta evitoj këtë pjesë, për veten dhe për personat që më gjenden përreth. Jashtë baletit, provave, këngëve, koncerteve dhe gjithçkaje të skenës, isha prapë vetvetja.
Jeta është si një lojë me letra dhe mua më pëlqen të kem xholin në dorë. Unë lojën time e luajta, disa herë kam paguar një çmim dhe herë të tjera më ka shkuar mirë. Ama nuk mund të them se nuk jam argëtuar. Lojën e jetës duhet ta luash, pasi në fund do e kuptosh sa shumë do të argëtohesh”, – fjalët e Raffaella Carra’ në intervistën për Vanity.