Psikologji

Jetesa vetëm dhe të mirat e saj

Duke qenë qenie njerëzore, ne e kemi të nevojshme të kemi pranë persona të tjerë. Na duket e pamundur jetesa vetëm. Nuk po flasim këtu për aspektin ekonomik, edhe pse dihet që jetesa vetëm kushton më tepër se sa të jetosh me njerëz të tjerë, por për aspektin tjetër, atë emocional, pasi ne nuk e kalojmë dot ditën pa ndarë biseda dhe pa pasur pranë persona që duam dhe na duan. Por nëse e sheh më thellë këtë çështje, kupton se jetesa vetëm të ndihmon goxha, sidomos kur je i ri.

Nëse jeton vetëm, ke mundësinë të bësh çfarë të duash në shtëpinë tënde. Vlen pikërisht ai rregulli i famshëm “shtëpia ime, rregullat e mia”. Mund të rrish si të duash, të ftosh kë të duash, të veprosh ashtu siç do vetë. Ke lirinë që nuk e ke aq të plotë, nëse do të ndaje shtëpinë me dikë tjetër, pasi do të duhet të përshtateshe edhe me tipin e atij personi dhe të bini dakord për shumicën e gjërave.

Nga ana tjetër, mëson të jesh i  pavarur. Jetesa i vetëm të mëson se si të menaxhosh të ardhurat dhe të plotësosh dëshirat që ke, duke pasur parasysh gjithmonë gjërat që të duhen me domosdoshmëri. Ajo që ne shpesh bëjmë, është të mendojmë për gjërat që na pëlqejnë dhe pastaj për ato që na duhen. Kur jeton i vetëm, kupton se më kryesore janë gjërat që na duhen me domosdoshmëri, se sa ato që na pëlqejmë, pasi dëshirat vijnë në plan të dytë krahasuar me detyrimet.

Mëson edhe të menaxhosh kohën që ke. Kur jeton vetëm, të ngelet kohë të reflektosh e të mendosh mjaft edhe për kohën që shpenzon dhe për jetën tënde në veçanti. Ke më tepër mundësi të marrësh vendimet e duhura dhe të vlefshme për një kohë më të gjatë, sepse nuk ndikohesh nga prania apo nga mendimet e të tjerëve rreth teje. Kur e sheh se po e shpërdoron kohën tënde, e ke më të lehtë të marrësh masat e duhura dhe të ndryshosh duke mbajtur parasysh se koha është flori dhe nuk duhet shpërdoruar me gjëra të kota, apo me njerëz të pavlerë në jetën tënde.

Leave a Reply

Back to top button