Analiza

JIHADFATHER. Sipas modelit të GODFATHER

isisJoichi Dreazen
Kur luftëtarët e Shtetit Islamik të Sirisë dhe al-Shamit (ISIS) grabitën dhjetëra miliona dollarë në një bankë në Mosul në fillim të këtij viti, ai nuk ishte thjeshtë një simbol i frikshëm i humbjes së kontrollit të Bagdadit mbi qytetin e dytë më të madh të Irakut. Grabitja ishte një ilustrim i qartë i një prej aspekteve më alarmues të ngjitjes së ISIS-it: rritja e aftësisë së grupit për të financuar operacionet e tij përmes grabitjeve të bankave, zhvatjes, rrëmbimeve, si dhe taktikave të tjera që zakonisht i kemi parë tek mafia dhe jo tek ekstremistët e dhunshëm islamikë.

Në vitet e saj të parë, ISIS – ashtu si talebanët dhe militantë të tjerë sunitë – e siguronte pjesën më të madhe të financimeve përmes donatorëve të pasur në Kuvait, Katar dhe vende të tjerë të Gjirit Persik. Ekstremistët në ata shtete aleatë të SHBA vazhdojnë të dërgojnë para për ISIS-in, por zyrtarë amerikanë të antiterrorizmit besojnë se tashmë grupi financon pjesën më të madhe të rekrutimeve, blerjeve të armëve dhe sulmeve që organizon, pa patur nevojë për ndihmë nga jashtë. Me fjalë të tjera, edhe nëse SHBA dhe aleatët e saj kanë arritur të ndalin në një farë mënyrë prurjen e parave nga Gjiri Persik për në fushëbetejat e Irakut dhe Sirisë, do të ishte shumë vonë për të penguar ISIS-in që të sigurojë paratë e mjaftueshme për të vazhduar luftën për vite me radhë.

Pjesa dërrmuese e parave të tyre vjen nga veprimtari kriminale si grabitja e bankave, zhvatjet, vjedhjet dhe kontrabanda”, thotë një zyrtar i antiterrorizmit. “Ata po marrin një pjesë të financimeve nga donatorë të huaj, por këto janë shumë pak në krahasim me vetëfinancimin”.

Sasia e saktë e parave që zotëron ISIS-i është objekt debati mes zyrtarëve të agjencive perëndimore të zbulimit. Disa analistë thonë se grupi mund të ketë të paktën 500 milionë dollarë, në kartëmonedha të grabitura në banka, apo të siguruara prej kontrabandës së naftës, si dhe zhvatjeve të modës së vjetër. Të tjerë analistë besojnë se shifra është shumë më e ulët, teksa një zyrtar thotë që është diku mes 100 dhe 200 milionë dollarë. Këto shifra po rriten, teksa grupi pushton gjithnjë e më shumë qytete të Irakut, në përparimin e tij me sa duket të pandalshëm drejt Bagdadit, dhe ndërkohë që tashmë është në gjendje të grabisë banka private dhe qeveritare në qytetet që pushton. Të hënën, luftëtarët e ISIS-it morën qytetin shumë të rëndësishëm strategjik të Tal Afarit, duke e vendosur territorin në kontrollin e vet të drejtpërdrejtë.

Llogaritja e përmasave reale të arkave të ISIS-it është e ndërlikuar, për shkak të mungesës së agjentëve të shërbimit të fshehtë amerikan në zonat që kontrollon grupi në Siri dhe Irak, si dhe nga vështirësia e zbërthimit të propagandës së grupit. Në takime me dyer të mbyllura në Kongresin amerikan, zyrtarë të lartë të shërbimeve të fshehtë hodhën poshtë informacionet fillestarë se ISIS mund të ketë grabitur më shumë se 400 milionë dollarë nga banka në Mosul dhe thanë se këto shifra ishin shumë të ekzagjeruara. “Flitet për disa dhjetëra miliona në Mosul, dhe jo qindra miliona”, tha një prej zyrtarëve.

Sido që të jetë, ISIS-i është një prej organizatave ekstremiste më të mirëfinancuara të botës. Por, pasuria në para të thata nuk pasqyron panoramën e plotë të burimeve që ka grupi. Ushtria e Irakut ka pësuar kolaps, që kur ISIS nisi ofensivën e befasishme në fillim të këtij viti, duke lejuar që disa qytete të rëndësishëm të bien në duart e tyre. Trupat irakene në arrati lanë pas sasi të mëdha mjetesh të blinduar që u ishin dhuruar prej amerikanëve, si dhe armë, municione dhe furnizime të tjerë ushtarakë. Të gjithë këto janë tashmë në duart e luftëtarëve të ISIS-it.

Juan Zarate, ish ndihmës sekretar i Thesarit që udhëhoqi aksionin e qeverisë kundër financimeve të terroristëve, ka deklaruar se ISIS ka zhvilluar operacione masivë kontrabande, rrëmbimesh si dhe krimesh të tjerë në një pjesë të madhe të Sirisë dhe Irakut, që tashmë i kontrollon. Donatorët e huaj, shtoi ai, po rrisin mbështetjen e tyre për grupin, për shkak të sukseseve të tij kundër qeverisë së urryer të al Assadit si dhe qeverisë shiite të al Malikit. “Eshtë më e keqja e mundshme: financime të jashtëm nga donatorë të pasur, sponsorizim prej shteteve në të gjithë Gjirin Persik, dhe aftësia për të siguruar sasi të mëdha parash në qytetet që kontrollon’, tha Zarate.

Aftësia e ISIS-it për të vetëfinancuar operacionet e vet buron prej gatishmërisë së organizatës për të shkrirë teknikat tradicionale kriminale si rrëmbimet, me shanset fitimprurës të kontrabandës, në zona shumë të pasura me naftë të vendit.

Një studim i kohëve të fundit i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë konkludonte se, edhe përpara marrjes së Mosulit, ISIS-i “u kishte vendosur haraçe bizneseve të mëdhenj e të vegjël, duke arkëtuar afro 8 milionë dollarë në muaj, sipas disa vlerësimeve”.

Një raport i muajit prill nga Carnegie Endowment for International Peace, që citonte investigimin e gazetarit sirian Malik al Abdeh, thoshte se grupe rivalë rebelësh kishin marrë kontrollin e vendburimeve të naftës në Hasakah dhe Luginën e Eufratit. Raporti thoshte se gjashtë rafineri në qytetin kufitar të Tal Abyad po përdoreshin për të prodhuar naftë dhe benzinë, që më pas kontrabandohej në Turqi. Sipas raportit, grupet po arkëtonin afro 50 milionë dollarë në muaj.

Suksesi i ISIS-it në vetëfinancimin e operacioneve të tij është tregues për një tendencë më të gjerë. Grupe ekstremistë në pjesën më të madhe të botës, sidomos në Afrikë, po fillojnë të reduktojnë varësinë e tyre nga donatorët e huaj. Në një fjalim në fillim të këtij muaji, David Cohen, nën sekretar i Thesarit për terrorizmin dhe shërbimin e fshehtë financiar, tha se suksesi i operacioneve perëndimore kishte sjellë si pasojë faktin që tashmë grupet terroristë mbështeteshin gjithnjë e më shumë tek rrëmbimet për financimin e operacioneve të tyre. “Përveç sponsorizimit shtetëror të terrorizmit, pagesat për rrëmbimet janë burimi më i madh i terorristëve sot”, tha ai.

Në rastin e ISIS-it, shërbime të fshehtë perëndimorë dhe zyrtarë të antiterrorizmit besojnë se grupi po i përdor paratë për të paguar luftëtarët e tij, për të blerë armë, dhe për të korruptuar liderët e fiseve sunitë që të mbështesin ose haptas, ose heshturazi ofensivën e tij kundër al Malikit. Zarate tha se arkat e fryra të grupit tashmë bëjnë që liderët e ISIS-it të kenë burimet, nëse duan t’i përdorin, për të filluar krijimin e kampeve stërvitorë apo infrastrukturën e komandës dhe kontrollit në zonat që kontrollojnë, si dhe për të gjetur mënyra për të shtrirë luftimet edhe në rajone dhe shtete të tjerë.

“Këto sasi parash i bëjnë të fillojnë të mendojnë për gjëra më të mëdja, si dhe për një strategji afatgjatë se ku duan të shkojnë”, tha Zarate. “Kjo fillon t’u ofrojë perspektivë dhe shtrirje, gjë që është shumë e rrezikshme”. /foreign policy/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button