Histori

Jo gjithçka është lule e tollumbace shumëngjyrëshe. Lexoni mashtrimet më “të ndyra” në historinë e zgjedhjeve në SHBA

Mashtrimet e pista janë manovrat politike, që shkojnë përtej fushatave thjesht negative. Ato përfshijnë sabotimin e fshehtë të fushatës të kundërshtarit nëpërmjet gënjeshtrave, spiunazhit, apo ndonjë taktike tjetër që ka për synim të devijojë vëmendjen nga politikat në një mënyrë të fshehtë ose joetike. Në rastin më të mirë, ato dëmtojnë besimin e publikut tek rivali, dhe në rastin më të keq ato mund të kushtojnë jetë njerëzore. Më poshtë po paraqesim disa nga mashtrimet famëkeqe më të pista në historinë e politikës amerikane.

screen-shot-2016-11-16-at-12-08-56

10. Stafi i Kenedit rriti temperaturën e studios gjatë debatit televiziv me Niksonin

Zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, mes senatorit Xhon F. Kenedi dhe zv.presidentit Riçard Nikson, qenë një nga garat më rezultatin më të ngushtë në histori. Ato qenë gjithashtu qartazi zgjedhjet e para, ku televizioni luajti një rol vendimtar në përcaktimin e fituesit. Nikson dhe  Kenedi kishin rënë dakord për një seri debatesh, të transmetuarua për herë të parë në televizion.

Kenedi e përdori median e re me shumë efektshmëri gjatë garave të tij kongresuale në Masaçusets, dhe stafi i tij i fushatës e kuptoi si duhet të menaxhonte paraqitjen e kandidatit të tyre në ekran për të maksimizuar mbështetjen ndaj tij. Përkundrazi, Niksoni pati shansin të bënte disa paraqitje televizive qëkur ishte zv/president, por ekipi i tij nuk e kishte përdorur asnjëherë televizionin gjatë një gare konkurruese.

Para debatit të parë të 26 shtatorit 1960, kandidatët kishin rënë dakord të mos përdonin fare grim. Si Kenedi dhe Nikson e thyen këtë marrëveshje, por në mënyra shumë të ndryshme – Kenedi përdori nje shtresë të hollë grimi të vendosur në mënyrë profesionale pak përpara debatit, ndërsa Niksoni një produkt të quajtur “Lazy Shave” për të fshehur disa shenja në fytyrë.

Ekipi i Niskonit e dinte që kandidati i tyre djersiste, kështu që ata vendosën një termostat për ta mbajtur studion të freskët.

Por edhe ekipi i Kenedit qe në dijeni të problemit që kishte zv/presidenti, dhe fshehurazi e ngriti temperature e studios me disa gradë. Kur kamera filloi të zhvendoset, diferenca mes kandidatëve ishte mbresëlënëse për audiencën që shikonte nga shtëpia. Kenedi dukej rinor dhe i relaksuar, ndërsa Niksoni, edhe pse vetëm 4 vite më i madh se rivali i tij, djersiste papushim dhe vazhdimisht fshinte fytyrën me një shami.

Debati u pa nga 70 milionë njerëz, dhe votimi më pas tregoi se më shumë se gjysma e votuesve qenë të ndikuar nga shfaqjet e kandidatëve gjatë debatit. Shkencëtarët politikë debatojnë ende sot mbi ndikimin e debatit, por duke pasur parasysh se Kenedi i fitoi zgjedhjet me pak më shumë se 100.000 vota, pak gradë më pak në termostat mund të kishte bërë diferencën.

9. Thatheshemet mbi vajzën e paligjshme të Xhon Mekeinit

Në fillim të vitit 2000, pretendentët kryesorë për nominimin republikan për president ishin Guvernatori i Teksasit Xhorxh Ë. Bush dhe senatori i Arizonës, Xhon Mekein. Bush ishte mirë-financuar, dhe kishte mbështetjen e lidershipit republikan, por fushata kryengritëse e Mekeinit kishte shkaktuar shqetësim pasi gjatë garës së parë paraprake në Nju Hempshajër, ai mposhti Bushin me 19 pikë.

Parapraket e dyta do të mbaheshin në Karolinën e Jugut, dhe nëse Bush do të humbte edhe atje, kishte të ngjarë të humbiste përfundimisht emërimin. Në këtë moment hyn në veprim strategu kryesor i fushatës së Bush, Karl Rov, një njeri i njohur për qasjen e tij për një fushate për jetë a vdekje me kundërshtarin. Arma që Rov zgjodhi të godasë Mekeinin u dëshmua dhe vërtetua si një mashtrim i pistë, fushata e pëshpëritjeve.

Një fushatë e pëshpëritjeve përfshin përhapjen e një thashetheme të pavlera ose dashakeqe për kundërshtarin, ndërsa siguron që thashethemet të mos jenë të dëmshme për ju. Dy javë para zgjedhjeve, filluan të shfaqeshin pamflete që përdornin një foto të Mekeinit me vajzën e tij të adoptuar nga Bangladeshi, duke pretenduar se ai kishte një vajzë të paligjshme afro-amerikane, një akuzë që mund t’i kushtonte votat në një shtet, i cili nuk e hedhur tërësisht pas shpine historinë e tij të shëmtuar të segregacionit racor.

Më pas qenë anketuesit anonimë që u telefonin republikanëve lokalë, duke i pyetur nëse do të votonin për Mekeinin nëse ai ishte mendërisht i paqëndrueshëm, për shkak të kohës së tij si komandant njësie në Vietnam. Mekein u zemërua aq shumë nga sulmet e liga sa që u përplas personalisht me Bushin, të cilit i kërkoi të ndalë akuza të tilla; kur ky i fundit mohoi përgjegjësinë për fushatën e diskreditimit, Mekein i tha:”Mos thuaj budallallëqe!”. Ditën e zgjedhjeve, Mekein humbi kryesimin dhe Bush fitoi me 11 pikë. Me asnjë rrugë të mundshme për emërimin, Mekein doli nga gara, por ai nuk e fali kurrë Bushin për sulmet ndaj familjes së tij dhe heroizmat e kohës së luftës.

8. Li Etuoter

Li Etuoter ishte mjeshtri i errët i mashtrimeve të pista, dhe ai meriton më shumë se kushdo vendin në këtë renditje. Fillesat e karrierës i pati në shtetin e tij në Karolinën e Jugut, duke punuar në fushatën për zgjedhjet e senatit të vitit 1978, në mbështetje të kandidatit të njohur segregacionist Strom Tërmond. Por u desh të vinin vitet 1980, që të shpërfaqeshin taktikat e pamëshirshme të Etuoterit, kur ky i fundit shërbeu si menaxher i fushatës për kongresmenin republikan Floid Spens në garën e tij kundër demokratit Tom Tërnipsid.

Etuoter zbuloi se Tërnipsid i ishte nënshtruar terapisë elektrokonvulsive kur qe adoleshent, për të trajtuar një rast të rëndë depresioni. Nga ai moment dhe në vazhdim, kur Etuoter pyetej në konferencat e shtypit për Tërnipsid, ai do të përgjigjej:”Nuk e kam zakon t’u përgjigjem njerëzve që janë shkundur nga kabllot elektrike”. Tërnipsid u përpoq ta drejtojë fokusin tek dallimet politike mes kandidatëve, por kur Etuoter nguli në mendjen e shumë votuesve pyetjen mbi shëndetin mendor të Tërnipsid, ky e humbi garën.

Por loja me e pamërshirshme e Etuoterit – një nga ato që do t’i shkaktonin dënimin e gjerë nga republikanët dhe demokratët – erdhi kur ai menaxhoi fushatën elektorale të Xhorxh HË Bush në vitin 1988. Rivali demokrat i Bushit qe guvernatori i Masaçusetsit Majkëll Dukakis, dhe nga mesi i 1988-ës ai kryesonte me disa pikë në sondazhe. Në atë moment Etuoter perveshi mëngët, duke çuar në krijimin e spotit famëkeq Uilli Horton.  www.bota.al

Guvernatori i Masaçusets, Dukakis kishte mbikëqyrur një program që u jepte leje në fundjavë kriminelëve të dënuar. Një prej tyre, i dënuari për vrasje Uilli Horton – që qëlloi të ishte afro-amerikan – ishte në liridalje kur përdhunoi një grua të bardhë, dhe therri me thikë të dashurin e saj. Etuoter punoi me disa grupe të jashtme për të krijuar një reklamë në lidhje me programin e liridaljes, që shfaqte fytyrën e Hortonit menjëherë pas një imazhi të Dukakis.

Ngjyrimet raciste ishin aq të qarta, sa që Etuoter e dinte se do të qe nujë vetëvrasje politike për fushatën e Bush, nëse reklama transmetohej me autorësinë e shtabi të tij elektoral. Në vend të kësaj, ai kontaktoi disa donatorë të pasur republikanë për të krijuar një grup të quajtur Komiteti i Aksionit Politik mbi Sigurinë Kombëtare, që e transmetoi në mënyrë “të pavarur” spotin denigrues. Qëllimi i Etuoterit, sipas fjalëve të tij, ishte që “ta bënte Uilli Horton bashkëpunëtor në garë të Dukakisit”.

Kur reklama u transmetua, pati efektin e dëshiruar duke e lidhur Hortonin me Dukakisin në mendjet e shumë votuesve, dhe kur u ngritën akuzat e pashmangshme të racizmit kundër fushatës së Bushit, stafi elektoral i këtij të fundit mohoi me forcë çdo lidhje me spotin. Reklama me Hortonin e bëri të pamundur që Dukakis të largonte nga vetja etiketën e të qënit “i butë ndaj krimit”, dhe fushata e tij zgjedhore shkoi drejt një spirale vdekje.

Kur erdhën zgjedhjet, ai humbi ndaj Bush me një dizavantazh të dukshëm. Etuoter u shpërblye për përpjekjet e tij duke u zgjedhur kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan. Megjithatë, pas vetëm një viti në këtë detyrë, ai u prek nga një tumor i pashërueshëm në tru. Para se kanceri t’i merrte jetën në moshën 40-vjeçare, ai shprehu keqardhje për taktikat e tij të pamëshirshme dhe madje dërgoi letra falje për Tërnipsid dhe Dukakis, edhe pse disa ish-bashkëpunëtorë të Etuoterit e vunë në dyshim sinqeritetin e pendimit të tij.

7. Bllokimi i telefonave të demokratëve në zgjedhjet për Senatin në Nju Hempshajër në vitin 2002

Duke kryesuar në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2002, demokratët patën një shumicë me vetëm një vend më tepër në Senatin amerikan. Të dyja palët luftuan dhëmb për dhëmb për të mbrojtur vende ekzistuese dhe të fituar të reja, dhe ndoshta askund nuk u garua më ashpër se në Nju Hempshajër, midis guvernatores demokrat Xhin Shehan dhe përfaqësuesit republikan, Xhon Sununu.

Ndërsa zgjedhjet po afronin, Sheehan dhe Sununu po rivalizonin me vetëm disa pikë përqindjeje diferencë nga njëri-tjetri, çka do të thoshte se operacionet e “Marrjes së Votës” nga të dyja palëve në ditën e zgjedhjeve do të bënin ndryshimin. Fushata më e rëndësishme e demokratëve u bazua rreth një fushate thirrjesh telefonike nga anëtarësia partiake dhe disa sindikata, të cilët do t’u bënin thirrje mbështetësve të Sheehan për t’u siguruar që ata të dilnin në votime.

Por ditën e zgjedhjeve, operacionet e demokratëve u ndëprenë, kur linjat e tyre telefonike u bllokuan në mënyrë të dyshimtë. Kur linja rifilloi të funksiononte, fushata e Sheehan kishte humbur shumë terren. Policia hapi një hetim, dhe zbuloi një mashtrim të pisët që do të çonte në burg disa zyrtarë lokalë republikanë. Hetuesit mësuan se Çak Mekgi, drejtori i Partisë Republikane në Nju Hempshajër, kishte bashkëpunuar me strategun republikan Alen Rejmond, për të punësuar një firmë telemarketingu për bllokimin e linjave telefonike të demokratëve. Mekgi dhe Rejmond u dënuan me disa muaj burg.

Drejtori rajonal i Partisë Republikane, Xhejms Tobin, u padit gjithashtu dhe dënua për komplot, por pasi Partia Republikane shpenzoi më shumë se 6 milionë dollarë garanci, dënimi i tij u rrëzua në apel. Sa i përket zgjedhjeve, skema e bllokimit të telefonave e ndihmoi Sununu-n të arrinte një fitore me 19.000 vota diferencë ndaj kundërshtares së tij. Por Sheehan do të rrikthehej në skenë në vitin 2008, kur ajo mundi me shkathtësi Sununu në një garë të dytë për zgjedhjet në Senat.

6. Pamfletisti i Tomas Xhefersonit

Në rast se mendoni që politikanët e sotëm e kanë degraduar fushatën në një nivelin më mjeran, mos harroni zgjedhjet e vitit 1800. Mashtrimet e pista nuk janë një shpikje moderne, dhe askush tjetër përveç vetë Tomas Xhefersonit promovoi mënyrën e pistë më të vjetër – përhapjen e gënjeshtrave mbi kundërshtarin. Në vitin 1800, Shtetet e Bashkuara do të zgjidhnin mes kandidatit të Partisë Federaliste, presidentit në detyrë Xhon Adams, që ishte i lidhur me një qeveri të fortë qëndrore dhe industrinë financiare, dhe kandidatit të Republikanëve Demokratë, Thomas Xheferson, i cili gëzonte mbështetje të fortë për tek shtetet e veçanta dhe shtresa agrare e popullsisë.

Zgjedhjet qenë një beteje për të ardhmen e kombit të ri, por fushata kishte një dallim të rëndësishëm nga konteksti i sotëm – asokohe kandidatët nuk bënin fushatë në mënyrë aktive, por ishin kryesisht përkrahësit që bënin thirrje në emër të tyre. Në fakt, si Adams dhe Xheferson qëndruan në shtëpitë e tyre gjatë gjithë fushatës. Por mos mendoni se ata nuk luajtën një rol qëndror në prapaskenë në fushatat e tyre. www.bota.al

Xheferson kontaktoi një nga përkrahësit e tij, pamfletistin Xhejms Kalender, për të botuar një seri traktesh që përhapnin gënjeshtra rreth Adamsit. Publikimet e Kalender, aludonin se Adams kishte planifikuar të niste luftë me Francën, dhe se ai kishte një “karakter hermafrodit, që nuk kishte as forcën e një burri, por as butësinë dhe ndjeshmërinë e një gruaje”.

Sulmet shpifëse të Kalenderit e dëmtuan besueshmërinë e Adamsit, dhe e ndihmuan Xhefersonin të fitojë zgjedhjet. Duke pasur parasysh rolin e tij në fitoren e Xhefersonit, nuk duhet të ketë qenë surprizë kur Kalender kërkoi një favor nga presidenti i ri.  Ish-qeni i sulmit i Xhefersonit donte të ushtronte aftësitë e tij si drejtues i postës në Riçmond të Virxhinias, por pas zgjedhjes së diskutueshme, Xheferson donte të emëronte në postet kyçe të moderuarit.

Kalender nuk e priti mirë këtë refuzim. Ai u hakmor në mënyrë te ethshme ndaj ish-shefit të tij, duke botuar pamflete të shumta skandaloze rreth Xhefersonit, përfshirë edhe akuzat e para të botuara se presidenti kishte një fëmijë me skllaven e tij, Salli Hemings (një fakt që do të vërtetohej përmes testit të ADN-së gati 200 vjet më vonë). Megjithatë, përveç prishjes së imazhit publik të Xheferson, ai nuk arriti ndonjë gjë të madhe me sulmet e tij dhe vdiq i harruar.

5. “Hidraulikët” e Niksonit

Ju e dinit që Riçard Niksoni do të ishte sërish në këtë listë. Këtë herë renditja ka të bëjë me një grup famëkeq të njohur si “Hidraulikët“e Shtëpisë së Bardhë, që u quajtën kështu pasi pengonin “rrjedhjet” e informacionit. Grupi përbëhej kryesisht nga ish-agjentë të CIA-s, aktivitetet e të cilëve financoheshin në mënyrë të fshehtë nga paratë e fushatës për rizgjedhjen e Niksonit.

Punë e parë e Hidraulikëve, përfshinte parandalimin e rrjedhjes së informacioneve të klasifikuara në lidhje me politikën e jashtme të administratës. Shtëpia e Bardhë u trondit nga plasja e skandalit “Pentagon Papers” – një raporti i klasifikuar i dekonspiruar nga punonjësi i Departamentit të Shtetit, Daniel Elsberg, që tregonte se presidentët kishin gënjyer publikun në lidhje me Luftën e Vietnamit që nga koha e Ajzenhauerit.

Në shenjë hakmarrjeje, Shtëpia e Bardhë urdhëroi Hidraulikët të hynin më forcë në zyrën e psikiatrit të Elsbergut për të gjetur informacione që mund ta diskreditonin këtë të fundit. Hidraulikët komplotuan ndërkohë për të djegur Institutin Brookings, një think-tank i qendrës së majtë, për shkak se Shtëpia e Bardhë dyshonte se punonjësit e kësaj organizate mund të dekonspironin për median dokumentet e klasifikuara të Departamentit të Shtetit.

Por Hidraulikët nuk pengonin vetëm rrjedhjen e informacionit. Teksa po afroheshin presidencialet e vitit 1972, grupi filloi të zgjerojë operacionet duke u angazhuar në sabotimin e garës së kundërshtarëve politikë të presidentit Niksonit. Akti më i famshëm i grupit qe vjedhja e selisë së Komitetit Kombëtar Demokratik në kompleksin e zyrave në Uotergejt.

Pesë nga Hidraulikët u arrestuan, kur një roje sigurie i vëmendshëm vuri re një shirit kasetë që mbulonte shulin e derës dhe thirri policinë. Skandali çoi në fund në rënien e Niksonit, teksa gazetarët dhe hetuesit e Kongresit vazhduan të hetojnë mbi lidhjet financiare mes vjedhësve të Uotergejtit dhe komitetit të rizgjedhjes së Niksonit, ndërsa Shtëpia e Bardhë reagoi përmes dhënies së ryshfeteve, dëshmive të rreme dhe pengimit të së vërtetës. Truket e pista të Hidraulikëve e morën në qafë Niksonin, në vend të kundërshtarëve të tij.

4. “Debategate”, kur Xhimi Karterit iu vodh strategjia pak para debatit me Ronald Reganin

Kemi një tjetër debat presidencial dhe një tjetër mashtrim të pisët, që mund të ketë diktuar rezultatin e zgjedhjeve. Në vitin 1980, Presidenti Xhimi Karter ishte duke u përpjekur për t’u rizgjedhur kundër ish-guvernatorit të Kalifornisë, Ronald Regan. Nga fundi i vitit 1980, ai e kishte marrë veten nga vlerësimet tejet negative në public, lidhur me menaxhimin e krizës së pengjeve amerikane në Iran, dhe ishte duke garuar kokë më kokë me Reganin.

Karter refuzoi në mënyrë të përsëritur kërkesën e rivalit të tij për një debat televiziv, duke e çuar Reganin të debatojë me kandidatin e një partie të tretë në vend. Por presidenti në fund u pendua, dhe debati i vetëm mes kandidatëve u vendos të mbahet pikërisht një javë para zgjedhjeve. Karter ishte i zënë me përgatitjet për debatin ku pësoi një shok – një kopje që përshkruante strategjinë e presidentit dhe pikat kryesore të fjalës së tij në përballjen televizive me Reganin ishte vjedhur nga Shtëpia e Bardhë, dhe ishte çuar në selinë e shtabit elektoral të kandidatit republikan.

Gjatë debatit që pasoi, Regani u shfaq tejet i shkathët, duke u dhënë disa kundërpërgjigje të mprehta sulmeve të Karterit, ndërsa ky i fundit shmangu një pyetje në lidhje me armët bërthamore. Regani doli pas debate përpara në sondazhe, dhe fitoi zgjedhjet me një diferencë të madhe votash. Sa për Karterin, ai ende mendon se vjedhja e strategjisë së debatit ndikoi në humbjen e tij atë nëntor.

Polemikat që shoqëruan vjedhjen, e cila u bë e njohur si “Debategate”, nuk morën fund me zgjedhjet. FBI-ja hapi një hetim për të gjetur fajtorët, ndërsa një nënkomision i Kongresit kreu një hetim të veçantë mbi këtë çështje. I dyshuari kryesor në atë kohë qe menaxheri i fushatës së Reganit, Bill Kejsi, që u vu në drejtimin e CIA-s gjatë viteve 1980, por as FBI dhe as nënkomiteti i Kongresit Amerikan nuk qenë ndonjëherë në gjendje të identifikonin hajdutin.

Një nga teoritë më të fundit, pretendon se pas vjedhjes qëndronte Pol Korbin, një strateg demokrat dhe mik i ngushtë i familjes Kenedi. Sipas kësaj teorie, Korbin ishte ende e hidhëruar për fushatën brutale mes Karterit dhe senatorit Ted Kenedi për emërimin e Partisë Demokrate, dhe nga inati e fotokopjoi  strategjinë e debatit dhe ia dorëzoi Bill Kejsit. Kjo teori ka skeptikët e saj, por mbështetet tek fakti që Korbin e vizitoi shtabin qëndror elektoral të Reganit tri herë pak para debatit.

3. Letra Morej

Zgjedhjet presidenciale të vitit 1880 mes kongresmenit Xhejms Garfilld dhe gjeneralit Skot Hankok, u shoqëruan me një mashtrim të pisët që luajti me paragjykimet popullore të kohës. Askohe ekzistonin paragjykime të mëdha kundër emigrantëve kinezë, ndonëse kinezo-amerikanët përbënin më pak se një për qind të popullsisë. Në mesin e kësaj atmosfere një lajm tronditi fushatën, kur vetëm disa ditë para zgjedhjeve, një letër e nënshkruar nga Garfilld u zbulua dhe botua në një gazetë të Njut Jorkut.

Në letrën e njohur si “Letra Morej” sipas marrësit të synuar, Garfilld shpallte mbështetjen e tij për emigracionin ilegal të kinezëve në Shtetet e Bashkuara. Ajo shkaktoi kaos, dhe përmes një përgjigje që do të ishte brilante edhe sot, Garfilld reagoi duke deklaruar se nuk ishte menjëherë i sigurtë nëse e kishte shkuar ai letrën. Ndërsa ndihmësit e tij rrëmuan nëpër dokumenta për të parë nëse e kishte shkruar ai letrën, mbështetësit e Hankok ngritën pikëpyetje në shtyp, duke pretenduar se politikat e tij do të shkaktonin një valë të madhe migracioni, e cila do t’u kushtonte shumë amerikanëve vendin e punës.

Në fund, ndihmësit e Garfilld konfirmuan se letra ishte e falsifikuar, vetëm një javë pasi kishte shpërthyer skandali, dhe fushata vazhdoi me disa dëme të kontrollueshme. Nëpërmjet një lëvizje që me gjasë duhet të ishte ndërmarrë qëkur doli në skenë kjo histori, Garfilld u shpërndau gazetave një kopje të një letre të vjetër që kishte shkruar, në mënyrë që ato të mund ta publikonin së bashku me Letrën Morej, dhe vetë lexuesit të mund të krahasonin kaligrafinë.

Reagimi i Garfilld arriti të frenojë zemërimin e shkaktuar nga publikimi fillestar i letrës së falsifikuar, dhe ai fitoi zgjedhjet me vetëm 2.000 vota diferencë, edhe pse historianët mendojnë se Letra Morej bëri që zgjedhjet të kishin një rezultat shumë të ngushtë nga sa do të kishte qenë në rrethana të tjera, duke i kushtuar Garfilldit fitoren në Kaliforni dhe Nevada.

2. Trazirat e Vëllezërve Bruks

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 ndërmjet Xhorxh ë. Bush dhe Al Gor, ishin një nga më ato me rezultatin më të ngushtë në historinë e SHBA-së, ku në fund fitimtari u shpall në Gjykatën e Lartë. Një ditë pas zgjedhjeve, asnjë kandidat nuk arriti numrin magjik të 270 vota elektorale të nevojshme për të fituar, në kushtet kur rezultati në në Florida qe tepër i ngushtë. Bush ruajti një kryesim prej 1.784 votash natën e zgjedhjeve, por një rinumërim i detyrueshëm e ngushtoi epërsinë e tij në vetëm disa qindra vota.

Pastaj, shtabi elektoral i Gor përdori një dispozitë të ligjit në Florida, për të kërkuar numërimin me dorë të votave në disa zona. Nën këtë sfond, një trazirë në miniaturë ndihmoi të mbylljen e rinumërimin. Në 18 nëntor të vitit 2000, departamenti zgjedhor Miami-Dade County ishte i dëshpëruar teksa kërkonte të përfundonte numërimin e votave brenda afateve që përcaktonte Gjykata e Lartë e Floridas.

Në kundërpërgjigje, Partia Republikane e përdori infrastrukturën e saj kombëtare për të organizuar një protestë me qëllim mbylljen e procesit. Qindra protestues të zemëruar u shfaqën në zyrën zgjedhore, duke bërtitur dhe goditur dyert prej xhami të ndërtesës. Zyrtarët e zgjedhjeve e ndalën rinumërimin public, dhe vazhduan punën e tyre në një dhomë të vogël jashtë vëmendjes së publikut.

Ky veprim shkaktoi ato që do të bëheshin të njohura si Trazirat e Vëllezërve Bruks, sipas linjës së biznesit konservator të lidhur stereotipikisht me lidershipin republikan. Protestuesit, disa prej të cilëve më vonë u identifikuan si anëtarë të stafit të kongresmenëve republikanë, hynë në ndërtesë dhe shqyen derën e dhomës ku po kryhej rinumërimi, ndërsa disa zyrtarë pretenduan se ishin fyer apo goditur, kur u përpoqën të komunikojnë me protestuesit.

Kaosi kontriboi në vendimin e këshillit zgjedhor të zonës për të ndaluar rinumërimin. E gjithë çështja u bë e dyshimtë disa javë më vonë, kur Gjykata e Lartë vendosi që rinumërimi në Florida kishte shkelur Klauzolën e Mbrojtjes të Barabartë dhe urdhëroi një ndalim të menjëhershëm të tij, çka në fakt i dha fitoren Bushit. Shumë nga protestuesit në departamentin e zgjedhjeve në Florida, morën detyra të ndryshme në administratën Bush.

1. Sabotazhi i Niksonit

Kemi vendosur në krye të kësaj liste një lëvizje politike të pashpirt, që dënoi me vdekje mijëra ushtarë amerikanë. Në vitin 1968, Lufta e Vietnamit kishte 4 vite që po zhvillohej në shkallë të plotë. Në muajin mars, Presidenti Lindon Xhondon urdhëroi bombardimimin e kufizuar të Vietnamit të Veriut për të detyruar nisjen e bisedimeve të paqes.

Niksoni, që kishte premtuar një plan të fshehtë për të fituar luftën, e dinte se çdo marrëveshje e paqes e nënshkruar përpara zgjedhjeve do të rrënonte shanset e tij për të fituar presidencën. Kështu ai vendosi t’i dërgojë një mesazh të fshehtë Presidentit të Vietnamit të Jugut, Ngujen Van Tiu, duke pretenduar se do të siguronte një marrëveshje më të mirë për Saigonin, nëse fitonte zgjedhjet.

Tiu – që mendoi se kishte pak për të humbur, përderisa mund të arrinte një marrëveshje pavarësisht se kush i fitonte zgjedhjet – hoqi dortë në momentet e fundit nga bisedimet e paqes.

President Xhonson u njoh me makinacionet e Niksonit, kur përgjimet e ambasadorit amerikan në Vietnamin e Jugut nga NSA e zbuluan komplotin. Presidenti u tërbua me atë që ai e cilësoi një akt tradhtie të Niksonit, por ai u frenua ta bënte këtë publike, nga frika se Vietnami i Jugut do të mësonte se komunikimet e ambasadorit të tyre qenë duke u përgjuar. Kjo s’do të thoshte që Xhonsoni do të rrinte duarkryq, përkundrazi ai përdori çdo mjet në dispozicion për të penguar Niksonin.

Ai urdhëroi FBI-në të vendosë nën vëzhgim fushatën e Niksonit, dhe t’i japë detajet e komplotit kandidatit demokrat Hubert Hamfri, në mënyrë që shtabi elektoral i këtij të fundit të mund të publikonte tradhtinë e Niksonit. Megjithatë, ndihmësit e Hamfrit besonin se ai do të fitonte lehtësisht zgjedhjet, ndaj dhe nuk e panë të nevojshme bërjen e akuzës tronditëse se një kandidat presidencial ishte angazhuar në tradhti.

Ndërkohë, stafi i Niksonit vazhdoi të fajësojë demokratët, se kishin dështuar për të bërë ndonjë përparim në zgjidhjen e Luftës së Vietnamit. Niksoni u ofrua madje të udhëtonte në Vietnamin e Jugut për të rrikthyer Tiu-n në tryezën e bisedimeve (ne thjesht mund ta imagjinojmë sa produktiv do të kishte qenë ai takim). Në fund, Niksoni fitoi zgjedhjet me më pak se 1 përqind diferencë, nga ku doli se plani i tij sekret për paqe në Vietnam ishte intensifikimi i fushatës së bombardimeve, dhe zgjerimi i luftës në Kamboxhia dhe Laosin fqinj.

Në vitin 1973, Shtetet e Bashkuara do të arrijnë një marrëveshje paqeje me Vietnamin e Veriut, kryesisht me të njëjtat kushte si ato të diskutuara në 1968-ën. Mbi 22.000 ushtarë amerikanë u vranë në ato 5 vite, së bashku me një numër të pallogarritshëm vietnamezësh, kamboxhianësh dhe laosianësh, një provë kjo që ndonëherë mashtrimet e pista mund të ketë të bashkangjitur një numër të madh të vdekurish. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button