Analiza

JUAN CARLOS / Sekreti i fundit

juan carlosAtë ditë ajo ishte 40 vjeç dhe punonte si gazetare që mbulonte e punimet e parlamentit. Ulej në llozhën e rezervuar për mediat dhe mbante shënim votimin e deputetëve. Për një çast, nga poshtë vijnë zhurma të çuditshme: ulërima, rrëmujë, diçka që i ngjante një të shtëne. Ishte ora 23:20 e 23 shkurtit 1981. Në fletoren e shënimeve të saj mbetet e shkruajtur fraza: Algo pasa. Diçka po ndodh. “Zbrita në korridor, ku ndodheshin kabinat telefonike për gazetarët. Ishte mbushur me rojet civile që thërrisnin: Të gjithë përtokë! Kishin grumbulluar shoqëruesit e deputetëve, çarmatosnin agjentët dhe i detyronin të shtriheshin”.

Tek njëri prej burrave me flokët e lyer me llak njohu Antonio Tejeron. Sepse, pak vite më herët, kolonel tenenti kishte përfunduar në faqet e gazetave, i përzier në Operacionin Galaksia, një tjetër aventurë grushti shteti. “Vërtiste në ajër pistoletën, me sytë e shqyer. I shkova përballë dhe e pyeta: Kush komandon këtu? Dhe ai u përgjigj: Autoriteti! Cili autoritet? Mos bëj pyetje”.

I drejtuan grykën e një automatiku: Në tokë! Ajo refuzoi: “Po punoj, nuk mund ta bëj punën time e shtrirë përtokë”.

Një gazetare shumë e lexuar dhe e njohur, Pilar Urbano kishte rrëfyer këto dhe aventura të tjera në një libër-investigim të shkruajtur menjëherë pas ngjarjeve. Tani, me librin e saj “La Gran Desmemoria” është rikthyer tek ujërat e grushtit të shtetit. Ujëra që, tridhjetë vjet më vonë mbeten shumë të trazuar. Siç e tregojnë polemikat e nxjerrë prej vëllimit me 860 faqe, me më shumë personazhe se një roman i Balzakut, por me dy protagonistë të vërtetë: Adolfo Suarez, ish kryeministër dhe timonieri karizmatik i tranzicionit demokratik, që ndërroi jetë në muajin mars; dhe Mbreti Juan Carlos, i cili prej disa javësh është edhe ai një “ish”, pasi ka hequr dorë nga froni, duka ia lënë të birit Felipe.

Ndonëse i veshur me skandale familjarë dhe aventura personale, el Rey mbetet për shumë spanjollë personi që në 23 shkurt u paraqit me uniformë përpara telekamerave, dhe me një elokuencë të jashtëzakonshme bindi ushtarakët e armatosur që të sprapseshin. Por nga libri i Urbanos, edhe ky shenjt i vockël del pakëz i njollosur. Sepse – ndonëse pa shfrytëzuar teoritë e konspiracionit që thonë se ai ka qenë i famshmi Elefant i bardhë, domethënë hija e zezë e komplotit – libri rrëmon në skutat e errëta dhe manovrat e pathëna të një Sovrani që, në ato ditë shumë të trazuara i qëndroi besnik thënies popullore, sipas të cilës zanati i Borbonit është borbonear. Përkthimi: lundrim me sy, duke lëvizur timonin aq sa duhet dhe atëherë kur duhet.

Urbano shpjegon: “Në librin tjetër investigoja për grushtin e shtetit. Në këtë libër për grushtin e qeverisë”. Një “Golpe de gobierno” është më i errët se sa thjeshtë një përmbysje. Në rastin konkret nënkuptonte eleminimin politikisht, dhe në garë me gjeneralët, të Adolfo Suarezit, i cili kishte udhëhequr vendin përtej kënetave të post-frankizmit, por që tani po qeveriste një Spanjë në prag të kolapsit. “Inflacioni 26%, 4 milionë të papunë, greva, farbrika që mbylleshin”, kujton Urbano. “Bankierët nuk kishin besim tek Suarezi sepse negocionte me sindikatat, ndërkohë që ushtarakët nuk ia falnin që kishte legalizuar Partinë Komuniste”.

Eshtë një situatë e vështirë. Por krerët e forcave të armatosura ia përshkruajnë mbretit në mënyrë të tillë që të ngjajë me klimën e parakryengritjes. I sugjestionuar nga gjenerali Alfonso Armada, këshilltari i tij ushtarak, Juan Carlosi bindet se nevojitet një ndryshim timonieri. Domethënë një qeveri e unitetit kombëtar, ku Armada ndihet si personi i destinuar për ta udhëhequr. Por ka një pengesë. Quhet Adolfo Suarez.

“Nuk di si ta heq qafe”, përsërit el Rey. Kryeministri centrist nuk dëgjon që të hiqet mënjanë. Ndien aromë komploti. Larja e hesapeve me Sovranin ndodh në disa takime sy më sy. Përplasje që në rindërtimin e fakteve që ka bërë Urbano – bazuar në dëshmitë e Pallatit si dhe rrëfimeve të vetë Suarezit – do të shndërrohen në raunde boksi. Janë bërthama caliente e librit.

10 janar 1981: me skafandër, xhaketë lëkure, Monarku paraqitet me motorr dhe pa paralajmëruar në Moncloa, selia e qeverisë. Suarezi i ofron kafe dhe çokollata, më pas zbresin në kopësht. Dhe menjëherë, tonet acarohen. Kryeministri: “Armada është një intrigant, një shitës tymi, komplotesh, kryengritjesh që ekzistojnë vetëm brenda kungullit të tij! Dhe më e keqja është që ia shet pikërisht Mbretit!” Juan Carlos: “Kujton se jam budalla, ë?” I zemëruar, sovrani shkelmon gurët e zhavorrit.

Në 22 janar është Suarezi që shkon tek mbreti. Hidhet në sulm: “Të flasim qartë. Unë nuk e kam detyrën e Kryeministrit se ma ka dhënë Madhëria Juaj apo njëmbëdhjetë kapitenët gjeneralë të rajoneve tanë ushtarakë… admiralët apo shtatë bankierët e mëdhenj, sindikatat, kleri i ulët apo i lartë… Unë jam këtu sepse, më pak se dy vite më parë, kështu kanë dashur 6 milionë, 268 mijë e 593 spanjollë”. Përballë Suarezit, që pi cigaret duke ndezur të dytën pa fikur ende të parën, Monarku thith një puro Havane të markës Hoyo de Monterrey Doble Corona. Prapa një reje tymi, i kthehet: “Ti je në vendin tënd sepse të ka vendosur populli, me nuk e di sa miliona vota. Unë jam në vendin tim sepse më ka vendosur historia. Shtatëqind e ca vite më parë… Jam pasardhësi i Frankos, por edhe trashëgimtar i 17 mbretërve… Në këtë vend, njëri prej ne të dyve është i tepërt. Dhe unë nuk kam ndërmend të abdikoj”.

Në këmbët e Juan Carlosit, qeni i tij Larky, një pastor gjerman është nervoz. E ndien tensionin. Kur Suarezi kthehet të ngrërë zërin, i hidhet përsipër. “Për pak sa nuk më kafshoi, los cojones”, do i thoshte më vonë, don Adolfo shkrimtares.

23 janar: një grusht gjeneralësh kërkojnë një takim me Mbretin. Ai thërret Juarezin dhe e lë vetëm me mysafirët. “Për të mirën e Spanjës, ju duhet të jepni sa më parë dorëheqjen”, i thotë një ushtarak. Kryeministri: “A mund të më jepni një arsye?” Një gjeneral i tregon pistoletën: “A ju duket arsye e fortë kjo?”

Eshtë e tepërt. Në 27 janar, kryeministri i deklaron Mbretit se do t’i hiqet qafe. “Po shkoj. Le të qeverisin ata që nuk më lejojnë të qeveris”. Ai e di që, me ndihmën e duarve të padukshme të Armadas, fronti antiSuarez është zgjeruar. Tani, eleminimin e tij e duan edhe njerëz me peshë brenda partisë. Jo vetëm ata. Sipas asaj që shkruan Urbano, në një pusullë “të pakapshme” mbi të cilën Armada kishte shkarravitur formacionin hipotetik të qeverisë, kanë qenë edhe emrat e socialistit Felipe Gonzales dhe ndonjë komunisti.

Dorëheqja e papritur e Suarezit mendohej që do i linte me mungesë argumentash mbështetësit e grushtit. Por tashmë, ora e komplotit është vënë në lëvizje. Eshtë e vështirë të ndalet. Edhe sepse në ndërkohë është sfumuar hipoteza e një ekzekutivi të drejtuar nga një ushtarak. Duke dribluar Armadën, mbreti zgjedh tashmë Leopoldo Calvo-Sotelon si Kryeministër të ri. Shpreson që ai emër aq me peshë në historinë e të djathtës spanjolle do i japë siguri ushtrisë. Por jo. Gjeneralët ndihen të tradhëtuar dhe duke përdorur si frontman piktoreskun Tejero, tentojnë me forcë në Parlament. Juan Carlosi është i tronditur nga pamjet e sulmit, dëshpërohet, qan “si një burrë të cilit sapo i kanë thyer të vetmen lodër që ka: Kurorën”, do të rrëfente për Urbanon sekretari i Madhërisë së Tij, Sabino Fernandez Campo. I burgosur në Cortes, edhe Suarezi nuk pranon të sprapset përballë pistoletave të ushtarakëve. Më vonë, do të fliste me tone të helmatisur për njeriun që duhej ta pasonte në krye të qeverisë: “Kur pashë rojat civile të hiqeshin mënjanë, u ngrita në këmbë, zbërtheva xhaketën dhe hodha cigaren, por teksa e shtypja me këmbë, vura re se ajo tavlla përtokë ishte njëri vesh i Calvo Sotelos”, i shtrirë në dysheme.

Pas fundosjes së grushtit, Suarezi rifiton guximin, mendon të tërheqë dorëheqjen dhe rikthehet tek Mbreti. Dhe sërish ka debat të nxehtë. Eshtë përplasja më e ashpër. Ish-kryeministri: “Këtë situatë e provokove ti!” Dhe Mbreti: “Jo-jo-jo: përkundrazi, e provokove ti dhe e shmanga unë!” Suarez: “Po të lajmëroj që do të bëj spastrime në ushtri, pa frymë raprezaljeje, por pa frikë, do të shkoj deri aty ku duhet shkuar”. Juan Carlos: “Po më kërcënon, bastard? Guxon të më flasësh mua për përgjegjësi? (…) Eshtë faji yt që kemi arritur këtu!”

Qeni, Larky, gjithnjë i pranishëm ngrihet në këmbë dhe bëhet gati të sulmojë Suarezin. I cili shfryn: “Ta hajë dreqi! Nxirre përjashtë këtë m… kafshe!” Mbreti qetëson qenin. Dhe konkludon: “Politikisht je i vdekur. Mos provo të kthehesh. Duhet të dish t’i vësh pikë historisë tënde. Adolfo, nuk dua të vazhdosh”. Pas kësaj fraze, Suarezi ia ngul sytë Sovranit, që qëndron përballë me uniformën e capitan general. I gëlltit fjalët që kishte ende për t’i thënë. I bindet. “Më fal, senior, e teprova”. Juan Carlos: “Më fal edhe ti. Një banjë e nxehtë do na bëjë mirë të dyve”.

Libri i Pilar Urbanos – që ka si nëntitull: “Ai Suarezi që harroi dhe Mbreti që preferon të mos kujtojë” – i ka sikletosur nga pak të gjithë. Në një deklaratë, Pallati mbretëror e ka quajtur pura ficcion. I biri i Suarezit ka kërkuar që të tërhiqet nga libraritë, por jo me ndonjë bindje të fortë. Në fund të fundit, figura e të atit del e zmadhuar prej atyre faqeve. Ndërsa sipas Felipe Gonalezit, Urbano gënjen shumë. Pak vite më parë, rrëmuja e atij grushti u rishfaq në librin e shkruajtur aq bukur të Javier Cercasit: “Anatomia e një momenti”. A e ka lexuar Pilar Urbano? “Po, dhe më ka pëlqyer. Por nuk mund ta padisnin, pasi vinte si një roman. Po të kisha shkruajtur që kjo është një vepër ficcion, edhe unë do të isha e sigurtë”, thotë, tek rri ulur mes makinave të shumta të shkrimit dhe fotografive në mure, me shumë prej personazheve që janë pjesë e kësaj historie.

Marco Cicala

 

Leave a Reply

Back to top button