Analiza

Julian Assange: Amerikë, mua nuk do t’më kesh!

Pesë vjet pas zbulimeve të para të WikiLeaks, intervistë me njeriun që e themeloi atë dhe jeton i ngujuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër

Screen Shot 2015-04-10 at 4.57.19 PM

Në një apartament të vogël në zemër të Londrës, shumë larg madhështisë së ambasadave në kryeqytetet e mëdha evropiane, një njeri gjendet prej 3 vjetësh i mbyllur në një dhomë njëzet metra katrorë, pasi kaloi një vit e gjysmë në arrest shtëpie me një byzylyk elektronik në kyçin e këmbës. Jashtë, një ekip agjentësh të “Scotland Yard”-it kanë parkuar aty para të paktën dy furgonë të mëdhenj, dhe shtatë ditë në javë, njëzet e katër orë në ditë, mbajnë të rrethuar ndërtesën, të gatshëm për ta arrestuar Assangen, nëse ky përpiqet të bëjë qoftë edhe një hap jashtë ndërtesës.
Në ambasadën e Ekuadorit në Londër, “Espresso” i merr sërish një intervistë ekskluzive Julian Assanget, saktërisht 5 vjet pasi tronditi fuqinë më të madhe në botë, Shtetet e Bashkuara, duke botuar një video të fshehtë të titulluar “Vrasje anësore”, ku mund të shihej një helikopter Apash, që qëllonte ndaj civilëve të paarmatosur në Irak. Që nga ai prill i vitit 2010, asgjë nuk ka qenë si më parë në jetën e Assanget dhe organizatës së tij, WikiLeaks.

E njëjta gjë vlen edhe për burimin e tij të informacionit: ushtari i ri amerikan Chelsea Manning (atëherë Bradley), i arrestuar menjëherë, trajtuar në mënyrë çnjerëzore për 9 muaj me radhë, dhe pastaj i dënuar me 35 vjet burg, për zbulimin e fytyrës së vërtetë të luftërave në Afganistan dhe Irak, mizoritë e Guantanamos dhe sekretet e diplomacisë amerikane.

Megjithatë, disa javë pas arrestimit të Manning, Assange u burgos me urdhër të Suedisë, për një skandal seksual (ai akuzohet për përdhunim), i cili nuk është qartësuar ende. Hetimi suedez është ende në fazat paraprake, dhe gjyqtari ka refuzuar përherë të shkojë ta marrë atë në pyetje në kryeqytetin anglez, ku kishte qenë i arrestuar, duke e lënë kësisoj këtë çështje në harresë ligjore, aq sa në qershor të vitit 2012, Assange i kërkoi azil politik Ekuadorit, duke u strehuar në ambasadë, nga frika se nëse dërgohej në Suedi, mundej pastaj të ekstradohej në SHBA, ku do të dënohej për publikimin e dokumenteve sekrete.

Kur ne mbërrijmë në ambasadë pasdite vonë, policët e “Scotland Yard”-it na buzëqeshin. Janë mësuar me gazetarët dhe tregohen miqësorë, por jo për këtë arsye mbikëqyrja duhet të ishte më pak mbresëlënëse: “Scotland Yard” ka shpenzuar tashmë më shumë se 10 milionë paund për ruajtjen e Assanget. Brenda në ambasadë, rregullat e sigurisë janë të rrepta, por atmosfera është familjare. Pak njerëz dhe disa dhoma: kuzhina, një nga banjot e vogla me madhësi liliputiane, zyrat e ambasadorit dhe stafi.

Pastaj është dhoma ku jeton dhe punon Juliani, mes hapësirave të ngushta, kompjutera, libra, dosje e dokumente, letra, objekte, CD dhe korrespondenca nga çdo cep i botës. Mungesa e ndriçimit natyral dhe ajrit të pastër, e bëjnë çdo gjë të duket edhe më shtypëse. Assange ka një çehre të zbehtë dhe një mjekër të gjatë. Por mbetet edhe më i vendosur sesa në vitin 2010, kur javorja gjermane “Der Spiegel”, e pyeste se pse në vend të përdorimit të talentit të tij me kompjuterat, për të fituar para, kishte ndërmarrë një sipërmarrje të tillë si WikiLeaks, dhe ky i përgjigjej: “Më pëlqen të ndihmoj njerëzit e pambrojtur, më pëlqen të shkatërroj bastardët”.

Assange, WikiLeaks ka ekspozuar krimet dhe abuzimet e organizatës më të fuqishme në botë: kompleksit ushtarako-industrial. Dhe ky kompleks reagoi menjëherë, me një hetim masiv ndaj jush dhe stafit të vet. Çfarë dimë për këtë hetim?

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka konfirmuar se hetimi vazhdon. Më në fund patëm një kopje të mandatit të konfiskimit të komunikimeve, që disa prej gazetarëve tanë kishin shkëmbyer përmes rrjetit dhe që zotëroheshin nga Google. Ndërkohë këtë vit u zbulua edhe natyra e krimeve, për të cilat Departamenti i Drejtësisë kërkon të na akuzojë: spiunazh, konspiracion për qëllim spiunazhi, qasje të paautorizuar në kompjutera, vjedhje e të dhënave në pronësi të qeverisë. Ja pra, në këtë pikë të hetimeve jemi. Kjo është absurde. Një turp. Hetimi i SHBA kundër WikiLeaks është sulmi më i madh i kryer ndonjëherë kundër një organizate mediatike: në komunikimet e brendshme, qeveria e SHBA flet për “një hetim që përfshin të gjitha agjensitë qeveritare” dhe diplomatët australianë (vendlindja e Julianit) kanë thënë se ky është një hetim i një “natyre dhe hapësire të paparë”.

Ajo që të çudit, është dallimi në mes të rasteve të WikiLeaks, Manning dhe Edward Snowdenit, si dhe rastit të gjeneralit David Petraeus, ish- shefi i CIA-s, që pranoi se i kishte zbuluar informacione sekrete të dashurës së tij. Ju, Manning dhe Snowden u katandisët të jetoni si të burgosur, ndërsa gjenerali Petraeus është i lirë…

Tanimë nuk është më e nevojshme të pretendohet, se të gjithë individët janë të barabartë para ligjit. Diane Feinstein, senatorja amerikane që drejton komitetin mbi inteligjencën, vazhdimisht deklaron se unë duhet të ndiqesha penalisht për spiunazh, dhe bën presion që kjo të ndodhë, ndërsa në rastin e gjeneralit Petraeus, ajo tha se ky ka vuajtur shumë, për shkak se humbi vendin e punës. Është me të vërtetë një shembull i rëndësishëm i sistemit të dy peshave dhe dy masave të ndryshme. Një sistem, që tregon se ata nuk duhet të përgjigjen para askujt për atë që bëjnë. Është një strategji që është pjesë e llogarive të tyre: të kesh fuqinë, për të projektuar imazhin e fuqisë nga jashtë. Dhe një nga mënyrat për të projektuar pushtetin nga jashtë, është të dëshmohet se nuk ke nevojë të përgjigjesh ndaj askujt: jemi të paprekshëm, kështu që mos guxoni të na prekni. Kjo është një nga arsyet që e përndoqën aq shumë WikiLeaks-in, Snowdenin dhe Manningun, sepse ne i “prekëm” shumë rëndë, duke i bërë të duken shumë të dobët.

WikiLeaks u godit edhe nga një bllokim shkatërrues dhe jashtëgjyqësor i kartave të kreditit. Si bllokimi, ashtu edhe hetimi i pafundëm gjyqësor, janë dy nga metodat e përdorura kundër organizatave që kërcënojnë interesat e të fuqishmëve. Është e tmerrshme, por, duke cituar Chelsea Manning, “është gjithmonë më mirë të zhdukesh në zemër të natës”, sesa të vritesh sikurse ndodh në shumë regjime autoritare. Nuk jeni dakord?

E thosha shpesh, se për mënyrën sesi funksionojnë sot gjërat në botën perëndimore, gazetarët nuk do të zhduken nga shtëpitë në mes të natës, por shtëpitë iu merren gazetarëve në zemër të ditës, përmes botuesit që i pushon nga puna, apo presioneve ligjore. Në Shtetet e Bashkuara dhe Perëndim ka në përgjithësi shumë mënyra për të heshtur gazetarët pa i eleminuar ata, shumë mënyra për të holluar, që nuk do të thotë çensuruar, por mpakur seriozisht ndikimin e zbulimeve të tyre. Struktura e marrëdhënieve midis organizatave dhe individëve që kanë pushtet, është e tillë sa është shumë e vështirë t’i krijosh probleme atyre njerëzve duke botuar diçka.

Në një intervistë të famshme, ju jeni shprehur se në fillim, kur krijuat WikiLeaks, mendonit se roli juaj më i rëndësishëm do të ishte në Kinë, tek disa ish-republika sovjetike dhe Afrikën e Veriut. Përse qytetarët e këtyre vendeve nuk i dërgojnë dokumenta sekrete Wikileaks-it? Personalisht, kam qenë i vetëdijshëm që në fillim se konflikti ynë më i madh ishte me Shtetet e Bashkuara. Isha i vetëdijshëm, për shkak se ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përbën 50 përqind të sektorit ushtarak në botë, është më e përparuara, e për pasojë prodhon më shumë sekrete nga të gjithë, si dhe karakterizohet edhe nga një mospërputhje ideologjike, sepse pretendon se beson tek vlera të caktuara, por pastaj vepron kundër atyre vlerave, dhe kjo krijon disidentë si Manning dhe Snowden. Ne të WikiLeaks-it kemi bërë punë të rëndësishme në Kinë, Afrikë dhe shumë vende të tjera, por në fund fatkeqësisht, jemi tejet të kufizuar në burimet që kemi. Për të bashkëvepruar me një kulturë të caktuar, duhet që një pjesë e mirë e organizatës të flasë gjuhën e asaj kulture, dhe duhet përfshirë në debatin kombëtar të kësaj kulture. Herë pas here, ia dalim të përqëndrojmë burimet në një vend të caktuar: për shembull, në Timorin Lindor, ku ishim në gjendje të zbulonim një numër rastesh korruptive dhe përpjekjesh për vrasje, aq sa u perceptuam si protagonistë të debatit kombëtar. Por që të jemi në gjendje që kjo të ndodhë vazhdimisht edhe në kultura të mëdha si Kina apo Rusia, nevojiten investime të mëdha në gjuhët e atyre vendeve.

A do t’i publikonit sekretet kineze dhe ruse, me të njëjtën vendosmëri kurajoze?
Po. Ne kemi botuar dokumenta të rëndësishëm mbi Kinën në gjuhën kineze. Bëhet fjalë për një material mjaft të rëndësishëm, dhe që ishte efektiv në parandalimin e një teknologjie të caktuar për përgjimet, që ishte planfikuar të futej në çdo kompjuter kinez me urdhër të shtetit.

Javët e fundit ka patur një lajm të rëndësishëm, lidhur me hetimin suedez kundër jush: prokurori në Stokholm ra dakord t’iu marrë në pyetje edhe në ambjentet e kësaj ambasade, siç keni kërkuar edhe vetë, në vend të ekstradimit në Suedi. Nëse dosja suedeze mbyllet, a do të ndjeheshit i sigurtë sa të linit ambasadën, për të fluturuar në Ekuador dhe gëzuar të drejtën e azilit?

Për fat të keq, arsyeja që unë kërkova azil duke u strehuar këtu, nuk ka qenë kurrë “hetimi paraprak” suedez, por ai amerikan. Dhe “Scotland Yard”-i e ka deklaruar publikisht se do të më arrestonte në çdo rast.

Përse?

Nuk është e qartë. Ata gjithashtu nuk pranuan të konfirmojnë, nëse SHBA ka lëshuar apo jo një urdhër ekstradimi kundër meje. Kjo është e dyshimtë.

Po kuptojmë se edhe nëse zgjidhet dosja suedeze, ju do të mbeteni këtu …
Nuk ka asnjë ndryshim, nëse jo politikisht, por ndryshimi politik është shumë i rëndësishëm. Sepse kushdo që e ka shqyrtuar në thellësi, hetimi paraprak suedez, është një skandal në aspektin gjyqësor. U përdor për të zhvendosur fokusin nga ngjarja, e cila filloi më parë dhe që ka efekte më serioze: Hetimin amerikan për spiunazh.

Ju e keni përshkruar jetën tuaj brenda ambasadës, si atë të një njeriu brenda një stacioni hapësinor. A mund të na përshkruani një ditë tipike, gjithnjë duke supozuar se ekziston një e tillë?

Unë shpresoj të mos kem një ditë tipike. Ashtu si të gjithë njerëzit, që ndodhen nën një formë paraburgimi, monotonia është armiku kryesor dhe privimi ndijor është një problem i madh. Fatmirësisht, po vijojmë me botimet dhe jemi një organizatë mediatike luftarake dhe shumë- kombëshe. Të paktën intelektualisht, arrij të jetoj jo vetëm brenda këtyre katër mureve, por edhe në shumë vende të tjera në të njëjtën kohë.

Çfarë ju mungon më shumë?

Njerëzit përpiqen të bëjnë që unë të them, se më mungon çdo gjë normale, por unë vetëm them se më mungon familja ime dhe asgjë tjetër. Sepse nevoja për të luftuar për të menaxhuar biznesin tonë kërkon një përqëndrim intensiv, kështu që është e vështirë të gjej kohën, për të menduar për problemet e mia. Kjo është një gjë pozitive.

Assange, keni refuzuar gjithmonë të flisni për familjen dhe fëmijët tuaj për arsye sigurie. Ju kanë kërkuar ndonjëherë të rishqyrtoni punën që bëni aktualisht?

Po, por ma kanë pranuar. Në fakt, nuk kanë zgjidhje tjetër (buzëqesh duke bërë autoironi). Ishte shumë e vështirë për disa njerëz të afërt me mua, duke përfshirë fëmijët e mi: ata nuk e zgjodhën këtë lloj jete. Megjithatë, nga ana tjetër, situata si këto, janë pjesë e imja dhe asaj që unë jam. Në analizë të fundit, mendoj se po bëj disa gjëra, që fëmijët e mi do të jetë krenarë, dhe nga të cilat mund të mësojnë në një mënyrë të shëndetshme. / Nga Stefania

Maurizi, L’Espresso/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button