Analiza

Juppé-Sarkozy: Lufta e miqve të rremë (prej 30 vitesh)

Dy vjet e gjysmë kanë mbetur nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, rivaliteti sa vjen e rritet midis ish presidentit dhe ish kryeministrit

Alexandre Lemarié

Vanessa Schneider

Juppe Sarko

“Tehet e shpatave” janë mprehur tashmë. Lufta është e hapur midis Nicolas Sarkozy-së dhe Alain Juppé-së, të cilët ishin të dy në vijën e parë, mbrëmjen e 2 tetorit: i pari në një takim në afërsi të Troyes dhe i dyti në emisionin: “Fjalë dhe veprime”, në kanalin televiziv France 2.

Ka disa ditë që rivaliteti i tyre po rritet. Përpara vizitorëve të tij, ish kryetari i shtetit bënte sikur nuk shqetësohej për ambiciet presidenciale të ish ministrit të tij të punëve të jashtme: “Mendoni që unë preferoj një konkurent të moshës 40 vjeç apo një 72 vjeç? Nga cili duhet të kem më tepër frikë, nga një i ri, apo nga dikush që ka qenë kryeministër para njëzet vjetësh?”

Nga ana e tij, Juppé bënte të njohur se ai nuk kishte më “asnjë lidhje hierarkike” me Sarkozy-në, duke bërë kujdes gjithësesi të mos e sulmojë atë, nga frika se mos humbet simpatinë e shumë anëtarëve të UMP-së, që kanë mbetur “sarko-nostalgjikë”. Ai luante në publik kartën e njeriut të edukuar mirë, siç është: “Unë nuk kam sulmuar asnjëherë Nicola Sarkozy-në, unë mbroj bilancin e tij; unë kam një histori të gjatë me të, kam shumë vlerësim për të, dhe besoj se edhe ai ka të njëjtin vlerësim për mua”, do të shprehej ai në fillim të shtatorit në emisionin televiziv të titulluar “Vlera aktuale”.

Në gazetën e së Dielës (Journal du Dimanche) të datës 21shtator, Sarkozy gjuajti me armë të rënda, duke përmendur problemet juridike të Juppé-së, i dënuar në vitin 2004 në aferën e punëve fiktive të qytetit të Parisit. Një goditje e fortë për kryetarin e bashkisë së Bordosë, për të cilin dënimi mbetet një plagë e gjallë dhe i cili gjithmonë ka dyshuar se Sarkozy ka luajtur një rol në problemet e tij me drejtësinë. “Në drejtim të shqetësimeve juridike, ia vlen më mirë të mos bëjmë një ndeshje”, është shprehur Juppé të njëjtën ditë, gjatë emisionit “Grand Rendez-vous” në radion “Europe 1”, duke bërë aluzion për dhjetëra afera në të cilat përmendet Sarkozy.

Ka kohë që goditjet pasojnë njëra-tjetrën. Më 21 shtator, ndërkohë që ish-presidenti fliste në emisionin e kanalit televiziv France 2, Juppé, në blogun e tij shpaloste objektivat e projektit të tij. Dy ditë më vonë, ai kërcënoi rivalin e tij për “një konflikt të ashpër”, në rast braktisje të primareve. “Fuqia me të cilën Juppé përgjigjet tregon se ka nervozizëm tek ai”, përgjigjet kampi i Sarkozy-së. Toni midis dy burrave dhe raporti i forcave është vendosur tashmë.

Midis tyre ka një histori të gjatë, me ngritje dhe ulje, me momente të tensioneve të mëdha dhe periudha marrëveshjesh të përzemërta. “Marrëdhënia e jonë me Sarkon, është: “Unë të dua, unë jo më”, buzëqesh Alain Juppé. “Ata kanë njohur të gjitha situatat, shprehet Gilles Boyer, këshilltari i tij politik. Njëri ka qenë bashkëpunëtori i tjetrit dhe vice versa, ata i njohin secili forcat dhe dobësitë e tyre”.

Ata janë takuar në vitet 1980, kur ishin në shërbim të të njëjtit njeri, Jacques Chirac. Alain Juppé ishte asokohe sekretar i përgjithshëm i partisë RPR, dhe i riu Nicolas Sarkozy zëvendësi i tij. Qysh në fillim, ata i flasin njëri tjetrit me ti dhe merren vesh mirë, megjithë karakteret e tyre të kundërt. I pari është gjithashtu i ftohtë dhe i arsyetueshëm, ndërsa tjetri është impulsiv dhe i zjarrtë. Por ata ndajnë të njëjtën ambicje: të arrijnë një ditë në majë të shtetit. Duke e vlerësuar Sarkozy-në, kreu i shtetit atë kohë i kishte sytë tek biri besnik Juppe, që ai e cilësonte “më i miri midis nesh” dhe të cilin vendosi ta bënte delfinin e tij.

Prishja midis tyre ndodhi në vitin 1994, ndërkohë që Nicolas Sarkozy kaloi me armë dhe bagazhe tek Edouard Balladur, për të cilin mendonte se ai do fitonte zgjedhjet presidenciale, dhe pranë të cilit ai shihte një të ardhme më të mirë. Kjo ishte një tradhëti akoma më e madhe për shirakianët, pasi ai bënte pjesë në rrethin e parë të familjes Chirac. “Ky ka qenë momenti më i vështirë midis nesh, shprehet Juppé. Sarko më thoshte në atë kohë: “Unë nuk të kuptoj, nëse Balladur është zgjedhur, ti do të jesh kryeministër”. Përfundimisht, unë i qëndrova besnik Shirakut, edhe pse unë kisha dyshime mbi shanset për një sukses të tij”.

Sarkozy do ta paguante shtrenjtë zgjedhjen e tij pas fitores së Shirakut dhe emërimit të Juppé-së në Matignon (Kryeministria në Francë ), në vitin 1995.

I përjashtuar, dhe nga asnjeri i afruar, ai bëhet armiku publik numër 1. Ndërkohë Juppé ballafaqohet me të papriturat e jetës publike me largimin e tij nga Matignon, si rezultat i shpërndarjes së Parlamentit vitin 1997, plus edhe padinë kundër tij. Vitet 2000 janë vitet e ngjitjes së Sarkozy-së, i cili i paraqitet si pasues i Shirakut. Juppé-ja, del jashtë loje për shkak të dënimit të tij në vitin 2004.

Megjithë marrëdhëniet e tyre të tendosura, ish kryeministri apelon të votohet për Sarkozy-në i cili, në shenjë falenderimi, e emëron në vitin 2007 në krye të një ministrie të madhe si ajo e Ekologjisë, prej të cilës ai është i detyruar të japë dorëheqje disa vite më vonë, pas humbjes në zgjedhjet legjislative në Gironde.

I dalë nga qeveria, Alain Juppé nuk mund të pengohet të japë goditjen ndaj atij që e konsideron gjithmonë si rivali i tij. Ndërkohë që popullariteti i kryetarit të shtetit bie, ai luan rolin e një kundërshtari të brendshëm duke u ballafaquar me dosje madhore, si ajo e mbrojtjes apo e identitetit kombëtar.

Sidomos ai lë të kuptohet që do të mund të kandidonte në vendin e tij në vitin 2012, nëqoftëse Sarkozy nuk do të ishte në gjëndje të paraqitej. Ai bëhet shumë i rrezikshëm për kryetarin e shtetit, që vendos ta neutralizojë duke i propozuar të bëhet ministri i tij i punëve të Jashtme. Në shkurt të vitit 2011, Juppé pranon përfundimisht, shumë i kënaqur t’i kthehet përgjegjësive.

Kalohet një muaj i vërtetë mjalti. Juppé nuk i kursen elozhet për këtë president, i cili ka një “një kapacitet reagimi, përshtatje dhe intuite jashtëzakonisht të zhvilluar”.

“Sarko ka qenë shumë korrekt me mua kur unë isha në Quai d’Orsay (Ministria e Punëve të Jashtme e Francës)”, betohet ai sot. Ai radhitet i fundit pas tij në vitin 2012 dhe pas humbjes, ai është një nga të vetmit ish ministra që nuk pështyu në supë.

Sarkozy ishte tërhequr nga jeta politike, Juppé ndihej atëhere i autorizuar të lejojë një rrjedhje të lirë të ambicjeve të tij. I nxitur nga sondazhet dhe nga rizgjedhja e tij triumfale në Bordo, ai është i bindur që ora e tij kishte arritur. Dhe shumë keq që ndërkohë Sarkozy u rikthye. Ai betohet se këtë herë nuk do ta kalojë rradhën e tij: “Të nesërmen e fitores time në zgjedhjet vendore në Bordo, Sarko më ka thënë: “Nuk ka njeri tjetër, veçse ti dhe unë. Të tjerët nuk i llogarisim”. Unë nuk do të përcaktohem në funksion të Sarkozy-së. Secili do të tentojë shansin e tij, do të bëjë fushatën e tij, do të provojë të bindë”. /Le Monde/

PERGATITI S.METANI, www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button