Histori

Justiniani i Madh / Perandori që erdhi nga Iliria

Screen Shot 2015-08-19 at 10.21.09

Justiniani vdiq më 565. Ai i kishte dhuruar perandorisë bizantine çastet më të shkëlqyeshme në historinë e saj. Gjatë kohës së tij perandoria shtrihej nga Armenia deri në brigjet e Spanjës e nga Danubi deri në Afrikë. Detin Mesdhe e shëndrroi në “Liqen Bizantin”

Justiniani (lat.: Flavius Petrus Sabbatius Iustinianus,) zakonisht i njohur si Justiniani I, apo (në Kishën Ortodokse) Shën Justiniani i Madh, lindi në Tauresium të Ilirisë rreth viteve 482/483 dhe vdiq me 13 nëntor apo 14 nëntor, 565 në Konstantinopojë. Ishte Perandor i Bizantit nga viti 527 gjer në vdekjen e tij, dhe anëtari i dytë i dinastisë justiniane, pas xhaxhait të tij Justinit I.

Gjatë kohës së sundimit të Justinianit, perandoria bizantine arrin kulmin e lulëzimit në të gjitha lëmenjtë e jetës dhe jo vetëm në kulturë, si ishte para dhe pas Justinianit. Nga pikëpamja ushtarake, Afrika dhe Italia u rimëkëmbën dhe pushteti i perandorisë ishte më i fortë se kurrë më parë. Në anën tjetër, arkitektura po lulëzonte dhe nga kjo kohë kanë mbetur shembujt më të mirë si p.sh.: Hagia Sofia në Konstantinopojë (Stamboll). Historianët siç ishin Prokopiusi dhe Agatia punonin sipas traditës së Herodotit e Thukididit. Gjatë kësaj kohe u krijua edhe Kodeksi i Justinianit (529), i cili u institucionalizua dhe hyri në fuqi rreth viteve 533. Të gjitha këto vepra janë pika kulmore të begatisë bizantine e që janë krijuar në kohën e Justinianit.

Për të zhvilluar perandorinë në pjesët tjera, Justiniani i dha një çmim të lartë në vitin 532 Shahut pers Kusros I. Mirëpo përbrenda kishte trazira, siç ishin kryengritja e Nikesë që shpërtheu në janar të 532 në Konstantinopojë. Pas disa çrregullimeve politike, Belisari hyri në Hipodrome me ushtri dhe e shuajti revoltën e “të gjelbërve” dhe “të kaltërve”. Më këtë rast u shkaktua një gjakderdhje dhe qyteti pësoi dëmtime të rënda, mirëpo në anën tjetër, kjo i hapi rrugën Justinianit për zbatimin e programit të tij. Kështu ai, vetëm disa ditë pas revoltës, filloi punimet për ndërtimin e kishës së re, në vend të kishës së dëmtuar rëndë të Shën Sofisë.

Në vitin 533, Justiniani ndërmori disa ekspedita të udhëhequra nga Belisari kundër mbretit vandal në Afrikë. Armata që kishte vënë në dispozicion Belisarit përbëhej, përpos 10.000 këmbësorëve, edhe nga më se 5.000 kalorës dhe 3.000 barbarë. Me fitoret e korrura kundër Gelimerit, i cili në fakt kishte mbajtur një pjesë të ushtrisë dhe një pjesë e kishte dorëzuar nën komandën e të vëllait Tata, në ishullin e Sardineve, Belisari ja arriti të pushtonte Karagen për një kohë të shkurtër.

Pas kësaj fitoreje, Belisari u kthye së bashku me robërit e zënë në Konstatinopojë, ku Justiniani i la të vendoste për sundimin në Afrikë.

Sulmin e gotëve të jugut, Justiani e bëri me zbarkimin në Itali, në vitin 535. Ushtria e udhëhequr nga Belisari nuk hasi në ndonjë qëndresë deri në Palermo dhe më 31 dhjetor hyri në Sirakuzë. Në pjesën tjetër të kohës, ai përparoi me ushtrinë e vet deri në Napol, ku ishin garnizonet e gotëve, të cilët i theu. Në dhjetorin pasues, Belisarin e gjejmë me ushtri të vendosur në Romë, duke u përgatitur për kundërsulmin e gotëve të jugut. Pas një viti rrethimi të Romës me ndihmat e marra nga Justiniani, Belisari vazhdoi marshimin e tij drejt Ravenës, me të njëjtën ushtri. Kështu në maj të vitit 540, bizantinët hyjnë në Ravenë. Justiani që kishte për qëllim zbatimin e planit të tij, pranoi një mbretëri të Gotëve të jugut në pjesën veriore të Italisë, me qëllim që të siguronte këtë pjesë të perandorisë dhe të qëronte hesapet me perandorinë perse, në jug të kufinjve.

Më 540, Khusroi u hodh me ushtri në Antioki dhe e pushtoi. Në vitin 541 Justiniani e dërgon Belisarin në vijën e frontit, mirëpo Khusroi ishte përqëndruar në Lazaricë ku Lazi, një prijës armen, kishte krijuar një lidhje të fuqishme. Luftërat bizantino-perse në këtë kohë vazhduan deri më 561, kur u bë një marrëveshje. Pjesa lindore e Detit Zi i takonte perandorisë. Prapë Justiani vendosi që të dërgonte Belisarin në pjesën perëndimore dhe e rimori Romën në dhjetor të vitit 546, mirëpo menjëherë pasi repartet e Belisarit hynë në Romë, ai mori urdhër nga Justiniani që të ndërmerrte një ekspeditë kundër rebelëve në Siçili.

Më 550 Justiani emëron si prijës të ekspeditës më të madhe në Itali kushëririn e vet Germanusin, i cili gjen vdekjen aty nga një sëmundje. Në vend të tij Justiniani vë Narsin i cili po ashtu ishte një udhëheqës i aftë me një karrierë ushtarake të ndritshme. Ky ia arrin që të mundë Gotët në vitin 552.

Justiniani vdiq më 565. Ai i kishte dhuruar perandorisë bizantine çastet më të shkëlqyeshme në historinë e saj. Gjatë kohës së tij perandoria shtrihej nga Armenia deri në brigjet e Spanjës e nga Danubi deri në Afrikë. Detin Mesdhe e shndërroi në “Liqen Bizantin”. Vdekja e tij i hapi rrugën perandorit që mbante emrin e tij Justiniani II.

Leave a Reply

Back to top button