Analiza

Ka ardhur momenti që ti jepet lapsi Putinit

Një intervistë me Edward Luttwak

Edward Luttwak, jemi përballë një gjeopolitike të re të terrorit?

PutiniPfff, gjeopolitikë e terrorit, le të mos e ekzagjerojmë. Në nivel të strategjisë globale janë katër koka të nxehta, kanë një grup video që bën video shumë të bukura me ngjyra të mahnitshme e kështu me radhë, kjo është e vërtetë, por gjithmonë janë katër djem të këqij. Nëqoftëse do të vendosnit aty një batalion trupash europiane të stërvitura mirë: mund ta përshkojë të gjithë Irakun dhe t’i masakrojë. Ata kanë luftuar kundër ushtarëve irakenë që nuk luftojnë, kanë luftuar kundër milicive kurde që e dini, janë çuna të mirë që përpiqen, por që nuk janë vërtet të stërvitur… Kështu që le të mos e ekzagjerojmë, të mos mashtrohemi nga fakti që videot e tyre janë të bëra kaq mirë.

Praktikisht duket një krijim paniku i dëshiruar, sidomos paniku mediatik, por tashmë janë në brigje, kanë ardhur në brigjet e Mesdheut.

Jo, jo: objektivi i tyre nuk është aspak ai i krijimit të panikut. Objektivi i tyre është që të demonstrojnë forcë, fuqi, sepse duan të tërheqin të pafuqishmit, duan të tërheqin të rinjtë që janë keqdrejtuar nga impakti i islamit ndaj nënave të tyre dhe në nivel arsimor, domethënë nuk kanë arsimim. Jetojnë në Europë dhe nuk kanë para, nuk kanë femra, nuk kanë seks dhe nuk kanë asgjë. Ndjehen të pafuqishëm. Mbërrijnë këto imazhe dhe ata mendojnë “mjafton që të shkoj atje, të vishem si vishen ata, do të jem shumë i fortë, shumë i fuqishëm, sepse terrorizoj gjysmën e botës. Në vend që t’u ngjall mëshirë të gjithë atyre që më shikojnë, unë tani i terrorizoj të gjithë sa janë, do të më shikojnë me terror dhe ndoshta me admirim. Qëllimi i Shtetit Islamik, që unë nuk e quaj as ISIS, pas Cisis, as Pisis, por Shtet Islamik, është që të tërheqë para nga entuziastët, sepse janë gjithë këta pasanikë fanatikë që gëlojnë në Gji dhe sidomos në Emirate, Kuvajt, Arabi Saudite, Katar. Të tërheqin para nga këta njerëz, që janë thjesht fanatikë dhe të pasur, dhe të tërheqin vullnetarë nga e gjithë bota. Kanë tërhequr mijëra nga Maroku, Tunizia, Algjeri dhe, natyrisht, një numër të caktuar edhe nga Europa.

Është edhe e vërtetë se Arabia Saudite ka qenë një aleate historike e Shteteve të Bashkuara. Kanë ndryshuar ide vahabitët sot?

Jo, qeveria saudite është diplomatikisht aleate me Shtetet e Bashkuara, por regjimi i Arabisë Saudite është regjimi që e ka bërë besimin islamik në versionin më fanatik të tij, domethënë versionin e Ibn Tammiya, versionin e Abdel Wahhab, nga këtu dhe termi “vahabitë”, e kanë bërë po thosha besim fetar shtetëror. Besimi fetar i Arabisë Saudite është besimi fetar më fanatik dhe më vdekjeprurës që ekziston sot në faqe të Tokës. Në të njëjtën kohë, qeveria e Arabisë Saudite është një qeveri qe ndershmërisht bashkëpunon me qeverinë amerikane dhe me qeveri të tjera perëndimore. Por kur Obama ka shkuar të vizitojë sauditët për t’u shprehur ngushëllimet për Mbretin e vdekur ishte intervali në të cilin blogeri që kishte thonë se ndoshta nuk kishte arsye të ishte policia islamike kudo nuk ishte rrahur me kamxhik. Ky bloger është dënuar me 1000 fshikullime me kamzhik… vjen Obama dhe i japin 50, ndërpresin kura mjekësore dhe më pas i japin 50 të tjera, pastaj 50 të tjera deri kur do të vdes, supozoj, dhe kjo është Arabia Saudite. Arabia Saudite si shtet është vdekjeprruës dhe ka përhapur në të gjithë botën fanatizmin islamik në versionin më ekstrem. Islami është ekstrem, por në versionin saudit është akoma më ekstrem. Nga ana tjetër, qeveria e Arabisë Saudite bashkëpunon ndershmërisht me vendet e tjera.

Në dritën e asaj që është duke ndodhur sot në Libi, qe gabim përmbysja e Khadaffi në vitin 2011?

Hëm, absolutisht, në vitin 2011 shefat e Shtabeve të Përgjithshme amerikane qenë kundër ndaj çdo aksioni në Libi, ishin dakord me kolegët e tyre të Shtabit të Përgjithshëm italian – që nuk donin të bënin asgjë kundër Khadaffi. Amerikanët nuk donin të bënin asgjë, ata të Pentagonit them, Sekretari i Mbrojtjes në orën 11 të mëngjesit të ditës fatale ishte autorizuar nga Obama që të thoshte “nuk ndërhyjmë kundër Khadaffi” dhe pastaj disa orë më vonë Hillary Clinton që ishte në Europë, bashkë me Susan Ricë, ajo e shkreta, Këshilltarja e ashtuquajtur e Sigurisë Kombëtare – dhe entuziastë të ndryshëm – në emër të ndërhyrjes humanitare për të shpëtuar të varfrit e Cirenaikës është filluar të bombardohet Libia dhe është vazhduar deri në vdekjen e Khadaffi. Arsyeja për të cilën gjeneralët e Shtabit të Përgjithshëm Italian bile u qenë kundërvënë atyre amerikanë ishte se e donin se nëqoftëse heq Khadaffi do të kesh 100 tribù anarkike, nuk do ta kesh demokraci. Këtë e dinte kush e njihte Libinë, por ata që e njihnin Libinë e kanë bindur Obamën se ishte një detyrim të ndërhyhej për të shpëtuar të varfrit e Cirenaikës, të Bengazit e kështu me radhë sepse Khadaffi donte t’i masakronte. Fakti që këta njerëz e kanë bërë këtë pa ditur asgjë për Libinë është një gjë shumë e rëndë, por iniciativa duhet kujtuar se nuk ishte as e Obamës dhe as e askujt, ishte e qeverisë britanike të Cameron dhe e qeverisë franceze, atëhere e kryesuar nga Sarkozy. Sarkozy dhe Cameron qenë entuziastë të ndërhynin në Libi, për arsye sigurisht të komplikuara, por e kanë hequr Khadaffi me këtë ide fluturake se e largon një diktator dhe vjen demokracia. Jo, në botën arabe heq diktatorin dhe të vjen anarkia. E kemi parë vend pas vendi. Provoni ta hiqni diktatorin: ke anarkinë.

Është ajo që është duke ndodhur tani, problemi është se llogarinë është duke e paguar Italia, me ardhjen e varkave, me emigracionin e egër që vjen nga Afrike. Përballë kësaj është heshtja nga ana e Bashkimit Europian, duke filluar nga Kancelarja Merkel që ka demonstruar se është një lider më shumë kontinentale sesa jo një lider i markës europiane. Çfarë mendoni për këtë?

Shefja e padiskutueshme e politikës së jashtme europiane është zonja Mogherini. Ajo është Xhenxhiz Khani, Bismarku i situatës. Ajo komandon Europën për politikën e jashtme. Kështu është Mogherini që tani do të duhet t’u japë një seri urdhrash shteteve të ndryshme evropiane që të fillojnë të rekrutojnë rininë dhe të përgatisë këmbësorinë pasi nëqoftëse ndërhyhet në Libi, ndërhyrja duhet të jetë një ndërhyrje duhet të jetë një ndërhyrje ku zbarkon një ushtri e madhe,e cila sistematikisht çarmatos apo vret këdo që del në rrugë i armatosur, që nëse ka më shumë se një shotgan e asgjësojnë, sepse të bësh bombardime, të bësh udhëtime të vockla, vizita të vogla, thjesht do të thotë të rëndohet kaosi. Tani, Mogherini duhet që në mënyrë specifike t’i urdhërojë anglezët dhe francezët që e kanë thyer vazon të shkojnë e ta riparojnë atë. Janë ata që e kanë shtyrë luftën kundër Khadaffi, janë ata që tani duhet të dërgojnë këmbësorinë. Sepse na duhet këmbësoria. Unë mund të them se për të kontrolluar Libinë, për të çarmatosur të gjithë kokënxehtit e rrezikshëm që vërdallisen andej këtej, jo vetëm Dawlat al Islamiya, Shtetin Islamik, Vëllazërinë Myslimane, mjaft e rrezikshme, milici të ndryshme që janë, Jabhat al Nusra, që është edhe aty në në Derna e Bengazi e kështu me radhë, për t’i kapur e çarmatosur, për të vënë nokaut nëqoftëse ekzistojnë, për këtë duhet këmbësoria. Unë llogaris 200 mijë (ushtarë). Jo në funksion të luftimeve të mëdha, por me funksion xhandarmërie apo karabinierësh. Duhet bërë kjo ose të paguhet çmimi i anarkisë totale. Kjo anarki mund të përfshijë edhe lëshimin e raketave “Scud”, që janë akoma në qarkullim në Libi. Kurse raketa të tjera nuk përbëjnë ndonjë rrezik të rëndë, duhen shkatërruar, ndoshta do të bëjnë ndonjë “bëlldum” në Mesdhe, por mund të ndodhë pak nga të gjitha në Libi.

Përfundimisht: Në Itali praktikisht qeveria, pas një momenti të parë në të cilin ka pasur deklarata në favor të një ndërhyrjeje të menjëhershme, ka pasur deri diku një farë tërheqjeje. Sipas jush, çfarë do të duhet të bëjë shteti italian në këtë moment?

Unë besoj se Kryeministri Renzi ka të drejtë totale në momentin që thotë: mos dërgojmë trupa, mos bëjmë gjëra, për faktin e thjeshtë se më parë duhet të ekzistojë ushtria e madhe. Por le t’i marrim gjërat me radhë. Fillimisht Mogherini, që është shefja e politikës së jashtme evropiane, që është vënë aty, është ngarkuar dhe merr rrogën, paguhet për këtë, ajo duhet të bëjë tani një plan lufte dhe pastaj duhet t’u dërgojë urdhrat shteteve të ndryshme evropiane për të përgatitur këmbësoritë e tyre, anijet e tyre e të tjera me radhë. Pastaj, brenda kësaj, Italia mund të sigurojë inteligjencën, pasi vetëm italianët dinë diçka për Libinë, dhe komandimin e kontrollin. Italianët mund të sigurojnë inteligjencën, komandimin dhe kontrollin.

Skenar: Ukraina. Ndërkohë në Ukraina ka një armëpushim, traktati i Minskut, por, sipas jush, a do të zgjasë ky armëpushim?

Dëgjo, kjo varet nga Mogherini, ajo është shefja e politikës së jashtme europiane. Nga njëra anë është Putini që është i gatshëm të hedhë ushtarë, armë dhe tanke. Është e qartë se nëse Mogherini nuk është e gatshme që të hedhë armë, topa e tanke kundër Putinit, ajo mund të flasë, por Putini nuk ua fishkëllen fjalëve të asnjerit, lerë më pastaj atyre të Mogherini, të cilës nuk ia fishkëllen akoma edhe më shumë. Ajo që mendohej dhe ishte gabim është është se mund të kandisej Putini të tërhiqej me sanksionet. Fakt është se e gjithë politika e Putinit sakrifikon mirëqenien ekonomike për të pasur lavdinë e pushtimit. Fakt është se ai ka rikuperuar Krimenë, që konsiderohej nga të gjithë tokë ruse. Është një fitore shumë e madhe, rusët janë patriotë, janë nacionalistë, nganjëherë më shumë se kjo, dhe siç e shikon popullariteti i Putinit nuk është zvogëluar. Elitës së Moskës Putini ia shpif, sepse për ta është shumë e rëndësishme që të shkojnë e të skijojnë në Francë, por pastaj masa e mbështet, kështu që nëse ti shkon për të influencuar Putinin duhet të bësh njërën nga këto dy gjëra: ose i shpall luftë, ose ulesh me Putinin. Mogherini duhet të ulet me Putinin, me një hartë të bukur të Ukrainës, t’i japë një laps dhe ta pyesë sesa do nga Ukraina: sa do nga Ukraina? Dhe ai bën një vizatim të bukur, i jepet ajo pjesë e Ukrainës dhe e mbyllim. Sepse nuk mund të bëhen gjëra sesi të fillohet kriza dhe gjëja e parë që shpall është: Unë e përjashtoj përdorimin e forcës. Nëqoftëse përjashton përdorimin e forcës mund të dalësh. Si të shkosh në një restorant dhe të thuash: e përjashtoj pagimin e faturës. Në këtë pikë, nëqoftëse të japin një gotë me ujë, je me fat.

Praktikisht është ajo që është duke ndodhur. Putini ka kërkuar diçka në Ukrainë, ka kërkuar, siç thua ti, disa copëra në hartën gjeografike, në mënyrë të veçantë zonën e Donbasit. Sipas jush, është kjo vërtet zgjidhja e vetme dhe: sanksionet që i janë vendosur Rusisë ka mundësi t’i kenë bërë më keq Europës që i ka sanksionuar ato sesa vetë Rusisë.

Putini është ulur në tavolinë, ka hedhur njerëzit, tanket dhe municionet e tij. Nëqoftëse ti thua: Unë e përjashtoj përdorimin e forcës, atëhere kjo do të thotë se ai nuk ka asnjë interes që të dëgjosh atë që ke për të thënë, është e kotë ta bësh takimin, ti nuk vlen më aspak. Sanksionet do të mund të funksiononin kundër një vendi tjetër, një regjimi tjetër, një kohë tjetër. Dukshëm që nuk funksionojnë me Putinin. Kështu që ajo që duhet bërë tani është tërheqja në mënyrë elegante, domethënë Mogherini që është shefja e politikës së jashtme evropiane, shefe e padiskutuar, duhet të ulet me Putinin, me hartën e Ukrainës dhe t’i kërkojë se sa Ukrainë do. Përderisa nuk ekziston asnjë synim për të rezistuar me armë dhe gjithçka varet nga Putini, ai merr lapsin e pastaj Mogherini i dhuron atë pjesë të Ukrainës dhe u thotë ukrainasve ose ta pranojnë një gjë të tillë, ose do të lihen të vdesin vetëm. Kjo është gjëja e vetme që mund të bëhet nëse njeriu nuk është i gatshëm të luftojë. Në këtë planet nëqoftëse nuk je i gatshëm të luftosh, ti mund të kesh vetëm atë që të lëshojnë të tjerët dhe Putini nuk do ta lëshojë lindjen e Ukrainës.

(nga Nodo di Gordo)

Përgatiti: ARMIN TIRANA/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button