Analiza

Ka një rrugëdalje nga Korea e Veriut

Nga Fareed Zakaria

Konfrontimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut është në një zonë më të rrezikshme, sesa në çdo moment të dekadave të fundit. Secila palë ka marrë pozicione të forta, ka lëshuar kërcënime dhe ka theksuar se qëndrimet e veta nuk janë të negociueshme. Secila palë është e vendosur tani, me shumë pak hapësirë ​​për të manovruar. Si të largohemi nga kjo rrugë e rrezikshme?

Administrata e Trump ka bërë një gabim të madh në ngritjen e retorikës së saj, pa patur ndonjë strategji solide për ta mbështetur atë. Mbetet e paqartë se pse e ka bërë. Pjesërisht, duket se kjo Shtëpinë e Bardhë dëshiron të ndryshojë çdo politikë të kohës së Obamës. Pjesërisht, është qasja e padisiplinuar që karakterizon shumë nga politikat e kësaj administrate. Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, për shembull, duket se ndjek një linjë të ashpër, për të sfiduar Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson.

Por ndoshta më themelorja është se Presidenti Trump pëlqen të jetë “djalë i fortë”. Presidentët e mëparshëm kanë reaguar me seriozitet, ndaj deklaratave luftarake të udhëheqësve si Nikita Hrushovi dhe Mao Ceduni. Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë të disiplinuara dhe të kujdesshme; ishin “djemtë e tjerë” që bënin fjalimet e çmendura. Por Trump duket i vendosur që ta bëjë ai fyerjen e fundit.

Ne duhet ta ulim retorikën dhe të formulojmë një strategji. Koreja e Veriut e ka një të tillë – në të vërtetë, ajo e ka pasur një, për dekada të tëra. Ajo ka vendosur që, duke pasur parasysh se sa e izoluar dhe e kërcënuar është, ka nevojë për një pengesë bërthamore. Dhe Peniani ka bërë hapa të mrekullueshëm për të arritur atje. Armët bërthamore janë gjithçka që e mban Kim Jong Un, që të mos pësojë fatin e Sadam Huseinit ose Moammar Gaddafit. Regjimi nuk do të heqë dorë nga kjo politikë e sigurisë së vet. Nëse do të ishit në pozicionin e Kimit, a do ta bënit?

Çbërthamorizimi i Koresë së Veriut tani është një fantazi. Ai nuk do të ndodhë, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të bëjnë luftë në Gadishullin Korean. Të gjithë e dinë këtë, por asnjë zyrtar në Uashington nuk është i gatshëm ta pranojë publikisht. Pra, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një politikë “zombie”, një që nuk ka shanse për sukses, por megjithatë e vazhdon. Kjo do të thotë që ne nuk mund të bëjmë ndonjë përparim, në atë që në fakt është një objektiv i arritshëm dhe i dëshirueshëm – të ngrijmë arsenalin e Koresë së Veriut, t’i jepet fund testeve të mëtejshme, dhe t’i vendosim armët nën inspektim.

Një mënyrë për të dalë nga kjo paralizë do të ishte ristrukturimi i problemit dhe zgjerimi i fushëveprimit. Joshua Cooper Ramo, shefi ekzekutiv i firmës këshilluese të Henry Kissinger, ka hartuar dhe ndarë me mua një plan – i cili ka qarkulluar në mesin e zyrtarëve në Uashington – për të mbledhur një konferencë ndërkombëtare mbi përhapjen bërthamore. Të gjitha shtetet që kanë armë bërthamore, do të binin dakord të mos testonin apo zgjeronin arsenalet e tyre për një periudhë kohore – për shembull, 36 muaj. Inspektorët do të verifikonin që këto kufizime respektohen. Të gjitha kombet e tjera do të pohonin se nuk kanë ndërmend të blejnë armë bërthamore. Ç’është më thelbësorja, Koreja e Veriut do të ftohej të firmoste këtë marrëveshje si një shtet me armë bërthamore, me idenë e ngrirjes së progresit për momentin dhe me objektiv heqjen dorë prej tyre më vonë.

Ramo thotë se avantazhet e kësaj qasjeje janë se ajo e paraqet problemin e Koresë së Veriut në një kontekst më të gjerë të përhapjes globale, duke i dhënë të gjithëve një rrugëdaljes, me qëllim që deklaratat e mëparshme të panegociueshme, të mos gjejnë zbatim. Ai krijon një koalicion global, që mund të lidhej për t’i vendosur sanksione Koresë së Veriut, nëse do të refuzonte ose mashtronte për angazhimet e veta, duke i dhënë një mbulesë Kinës, që me të vërtetë të vinte nën fre aleatin e saj. Plani gjithashtu trajton shqetësimet kryesore të Pekinit për sigurinë: parandalimin e kolapsit të Koresë së Veriut dhe pengimin e Koresë së Jugut dhe Japonisë që të blejnë armë bërthamore. (Ramo, i cili ka një njohuri të thellë të Kinës, beson se kjo qasje më e gjerë do të lejonte qeverinë kineze të ndryshonte qëndrimin e saj.)

Specifikat e një plani të tillë mund të rregullohen. Ndoshta konferenca mund të jetë një përpjekje për të përditësuar dhe zgjeruar vetë Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, që është pak a shumë i vjetëruar. (Traktati, i hartuar në vitin 1968, hiqte një vijë të qartë midis energjisë paqësore bërthamore dhe asaj për armë, por ky dallim është shumë më i vështirë për t’u zbuluar këto kohë.) Ndoshta mund të bëhet si një forum rajonal, duke theksuar pjesëmarrjen e Japonisë dhe Koresë së Jugut, në mënyrë që angazhimi i tyre për të mos ndërtuar armë bërthamore, të shihet si problem kyç – siç është kërcënimi i nënkuptuar se nëse nuk do të kishte marrëveshje, ata do të ishin në të vërtetë të lirë të lëviznin në atë drejtim.

Nuk ka një politikë të mirë – e lëre më të përsosur – për problemin e Koresë së Veriut. Por administrata e Trump duhet të ndalë fyerjet, të bëhet serioze dhe të përpiqet të gjejë ndonjë mënyrë për të stabilizuar situatën. Përndryshe, ne i kemi hyrë një rruge, që do ta detyrojë Uashingtonin të shkojë në luftë, ose të pranojë në mënyrë të heshtur humbjen para “Little Rocket Man”.

Leave a Reply

Back to top button