Masakra e fundit ndaj të krishterëve në Afrikë mban firmën e një milicie islamiste që vepron në provincën e Iturit, në pjesën më lindore të Republikës Demokratike të Kongos. Objektivi ishte kisha katolike, në territorin e Komandës, gjatë një takimi lutjeje dhe bilanci i fundit flet për të paktën 43 persona të vrarë me armë zjarri dhe me hanxharë, mes tyre gra, burra dhe edhe nëntë fëmijë.
Rreth njëzet besimtarë u therën me thika gjatë meshës, ndërsa trupat e tjerë u gjetën në shtëpi dhe dyqane që u dogjën.
Sulmi u mor përsipër nga milicia e quajtur Forcat Demokratike Aleate, më të njohura si ADF, një grup islamist ugandez që në vitin 2019 u betua për besnikëri ndaj Shtetit Islamik. Objektivi fillestar i këtij grupi ishte rrëzimi i regjimit të Kampalës, por që nga viti 2017 motivimi fetar ka marrë përparësi.
Që nga viti 2020, ADF i janë bashkuar krijimit të Provincës së Afrikës Qendrore të Shtetit Islamik (ISCAP), një projekt i madh politiko-ushtarak që përfshin një territor që shtrihet nga Rajoni i Liqeneve të Mëdha deri në brigjet e Mozambikut.
Disfata e shpallur, por vetëm në dukje përfundimtare, e Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme në vitin 2017 ndryshoi objektivat e këtij rrjeti të terrorizmit ndërkombëtar, i cili u fokusua mbi kontinentin afrikan.
I ndarë në tre makro-zona që shtrihen nga Saharaja deri në Gjirin e Guinesë e deri në Afrikën jugore, objektivi i udhëheqësve të ISIS është krijimi i një kalifati në tokën afrikane. Provinca të tëra të Malit, Burkina Fasos, Nigerisë dhe Kongos tashmë administrohen nga fondamentalistët që imponojnë ligjin islamik dhe konvertimin e detyruar, por që sidomos synojnë shfarosjen e të krishterëve që jetojnë në ato rajone.
Ndjekësit ugandezë të Shtetit Islamik nuk kishin goditur që nga shkurti i kaluar, kur kishin vrarë 23 persona në Mambasa, gjithmonë në provincën e martirizuar të Iturit. Në Kongon lindore komuniteti i krishterë ka qenë shënjestër e sulmeve prej vitesh dhe ADF kanë marrë përsipër që nga fillimi i vitit edhe dy sulme të tjera gjatë natës, ku kanë humbur jetën të paktën 70 persona. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara këta milicë kanë vrarë mbi 7.000 civilë që nga viti 2014, duke u bërë një nga milicitë më gjakatare dhe më të organizuara të vendit, me financime private nga Katari dhe Arabia Saudite. Objektivi i këtij krahu të ISIS është të terrorizojë popullsinë dhe të marrë kontrollin e territorit, ku mungon plotësisht prania e shtetit qendror.
ADF menaxhojnë disa miniera nga të cilat nxjerrin ilegalisht minerale. I kontrabandojnë në Ugandë, bashkë me dru dhe burime natyrore, duke shfrytëzuar vendasit si skllevër. Të krishterët, që përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë kongoleze, janë objektivi i tyre kryesor me rrëmbime dhe konvertime të detyruara, sidomos të grave të reja.
Aimé Lokana Dhego është famullitari i fshatit të djegur dhe kur flet, zëri i dridhet ende: “Kisha është një grumbull rrënojash, po këndonim kur ata erdhën. Tani të rinjtë tanë janë vrarë dhe rrëmbyer, ne kërkojmë paqen dhe nuk arrijmë ta kuptojmë gjithë këtë urrejtje. Por duam të rindërtojmë famullinë dhe të rifillojmë nga besimi që mund të na shpëtojë.”
Dieudonné Duranthabo, përfaqësues i shoqërisë civile të territorit të Komandës, është ndër ata që kanë hapur varret për trupat: “Masakra filloi rreth mesnatës, u ndanë në grupe të vogla dhe sulmuan njëkohësisht kishën dhe shtëpitë përreth, një strategji që përdorin për të çorientuar popullsinë që nuk di nga të ikë. Ende po nxjerrim trupat, shumë prej të cilëve të copëtuar me hanxhar, sepse disa u ndoqën në pyll, ndërsa të tjerë u rrëmbyen dhe u vranë gjatë arratisjes. Ata nisën që ditën e mëparshme duke vrarë 5 persona në fshatin fqinj Machongani. Nuk dimë as sa persona janë rrëmbyer, sepse shumë tashmë kanë braktisur fshatin nga frika se mos terroristët kthehen. E konsideroj absurde që në këtë territor ka një numër të madh forcash sigurie dhe askush nuk arriti të ndërhyjë; duhet një përpjekje e menjëhershme ushtarake, sepse ata të ADF janë ende pranë fshatit tonë.”
Forcat e sigurisë kongoleze ndërhynë vetëm pasi vunë re tym që dilte nga banesat rreth orës 2 të mëngjesit, por nuk arritën të kapnin agresorët. Në qytet të gjitha aktivitetet janë pezulluar dhe shumë banorë, të pushtuar nga paniku, kanë ikur tashmë.
Toger Jules Ngongo, zëdhënësi i ushtrisë kongoleze në provincën e Iturit, ripërsërit angazhimin e forcave të armatosura: “Këta terroristë vazhdojnë të sulmojnë civilë të pambrojtur, ky akt i turpshëm kundër famullisë së Komandës është një përpjekje e dëshpëruar për të shpërqendruar vëmendjen nga operacioni ushtarak i përbashkët me ushtrinë ugandeze që ka në shënjestër grupin militant. Por ne do të vazhdojmë t’i ndjekim këta kriminelë deri në fortesën e tyre të fundit. I bëjmë thirrje popullsisë të mos ikë dhe të qëndrojë vigjilente, duke na njoftuar për çdo lëvizje të dyshimtë.”
Që nga fundi i vitit 2021 Kampala dhe Kinshasa kanë nisur operacionin ushtarak Shujaa (që në suahili do të thotë Trim), por deri më sot rezultatet janë të papërfillshme dhe përkundrazi i kanë lejuar Ugandës të marrë kontrollin e një pjese tjetër të këtij gjigandi në agoni të quajtur Kongo.