Analiza

Kalifi dhe Kalifja: martesa, arratia, xhihadi…

Kalifi dhe KalifjaSaja, shoqëruesja e Abu Bakr al Bagdadit, udhëheqësit të ISIS-it u lirua nga sirianët në këmbim të murgeshave të rrëmbyera

Saja, gruaja e Kalifit Ibrahim, njeriu që udhëheq ISIS-in, vjen nga një familje e cila i ka dhënë shumë kauzës. Sakrifica, martirizime, angazhime në beteja si në hije. Gruaja e njeh xhihadin, është e vetëdijshme se fati i muxhahedinëve mund të ndryshojë brenda një minute. Me një plumb, apo ndoshta duke aktivizuar bombat në trupin e një kamikazi.

Pas disa javësh vëmendje të përqëndruar tek bashkëshorti, Ibrahim al Badri, i njohur si Abu Bakr Al Bagdadi, mediat arabe kanë hedhur një rreze drite mbi Sajan, duke përhapur lajme jo gjithmonë të verifikueshëm. Dhe duke qenë se Kalifi ka shumë armiq, ka mundësi që kundër tij të ketë nisur një fushatë disinformimi. Kështu, çdo fragment trajtohet me shumë kujdes.

Biografia e Sajas – gjithmonë nëse është me bazë – është në lartësinë e asaj të bashkëshortit. Babai Hamid është vrarë në një shkëmbim zjarri në Deir Attieh, në veri të Damaskut në prill të vitit 2013. E motra Du’aa u përpoq të hidhet në erë në një postbllok të kurdëve në 2008-ën e largët. Një aksion i dështuar, sepse detonatori i eksplozivit nuk funksionoi. Një prej vëllezërve të saj është njëri prej drejtuesve të ISIS-it dhe udhëheq një brigadë në rajonin e Qalamounit, një prej fronteve të shumtë ku ndeshen rebelët me forcat qeveritare të Assadit.

Dhe Saja ka një pasazh të rëndësishëm në çështjen siriane. Gjithnjë sipas një rindërtimi, gruaja është kapur nga regjimi ndërkohë që përpiqej të takohej me burrin e saj. Një burgosje që mori fund në mars të vitit 2013, pas një shkëmbimi: emri i saj ishte në listën e pothuaj 150 të burgosurave të Damaskut, që u kërkuan në këmbim të lirimit të murgeshave të marra peng nga islamikët e Maaloulas. Megjithatë, në këtë pikë detajet janë më pak të sigurtë. Në kohën e negociatës – që u zgjidh falë ndërmjetësimit të Katarit, i cili derdhi një shumë të madhe – u tha se Saja ishte “shoqëruesja e një drejtuesi kaedist”, ndoshta i grupit al Nusra. Pra, asnjë lidhje e deklaruar me al Bagdadin. Sot, mediat thonë se pikërisht Kalifi është shoku i saj.

Thuhet se të dy janë martuar shumë vite më parë, kur Ibrahimi sapo kishte përfunduar studimet fetarë që më pas do ta transformonin në një imam. Kush e ka njohur e përshkruan kështu kreun e ardhshëm të ISIS-it: “Një tip i qetë, gjithmonë i sjellshëm ndaj tjetrit. Nuk tërhiqte asnjëherë vëmendjen dhe që në moshë të re kishte një pasion të madh: futbollin”. Një mik i tij, i mbërthyer nga ethet e Botërorit, e quan “Messi ynë, futbollisti më i mirë”. Dhunti me topin që i ka shfaqur edhe në një fushë pranë xhamisë së lagjes Tobchi në Bagdad. Në atë tempull al Bagdadi – sipas dëshmive të botuara nga Telegraph – ka predikuar herë pas here, i ndihmuar prej njohjes së Kur’anit dhe “një zë i bukur”. Një fqinj i shtëpisë së tij tregon një anektodë: “Ai kalon para një lokali ku po kryhej një ceremoni martese, burra dhe gra po vallëzonin bashkë në të njëjtën sallë. Një sjellje jo në linjë me vizionin e tij ultra-ortodoks. Kështu, ai reagoi duke thirrur të gjithë që të ndaleshin, sepse ishte kundër fesë”. Episode të vegjël, asgjë që të bën të mendosh për një luftëtar i gatshëm të luftojë me kallashnikov. Gjithmonë ata që e njohin këmbëngulin ta quajnë “baba të familjes”, në krah të bashkëshortes dhe në dukje indiferent ndaj pranisë së trupave amerikane pas pushtimit të 2003-shit.

Megjithatë, pamja e burrit që rri vetëm në shtëpi dhe në xhami nuk do të zgjasë shumë. Me kalimin e kohës, Ibrahimi afrohet me rezistencën sunite dhe merr pjesë në një luftë pa fund. Eshtë një periudhë e trazuar që shpesh herë e ndan çiftin. Fillimisht betejat kundër ushtarëve shiitë dhe forcave të SHBA, më pas ndalimi në Kampin Bucca në duart e amerikanëve, më pas lirimi dhe ngjitja në krye të një fraksioni, që ditë pas dite do të shndërrohet në një lëvizje. Një realitet, ISIS, i udhëhequr me mizorinë që dallon ideologjinë dhe me skrupulozitetin e një arkëtari. Dokumentat e gjetur nga ushtarakët amerikanë kanë nxjerrë zbuluar obsesionin me kontabilitetin. Kalifi ka vendosur rregulla të hekurt për kontrollin e shpenzimeve. Një menaxhim i matur edhe i pagës së ndjekësve: një datë (e kaluar tashmë) e kishte 41 dollarë pagën e muxhahedinëve, shumë më pak se 150 dollarët e një punëtori.

Kryengritësit islamikë janë të kursyer. Ishin të tillë Zarkavi dhe bin Laden, i njëjti duket se është al Bagdadi dhe familja e tij. U përpoqën që të thonë se Kalifi mban në duar një Rolex të kushtueshëm. E menjëhershme replika nga një kompani saudite: “Eshtë një orë Al Fajr, me vlerë 560 dollarë, zgjedhja e përsosur për një mysliman të mirë duke qenë se tregon orën e saktë të faljes, kudo ku ndodhesh nëpër botë”. Këto janë thashetheme larg botës së al Bagdadit. Ka të tjera gjëra në mendje. Duhet të fitojë sa më shumë mbështetje dhe të kujdeset për veten. Sa për Sajan, thonë se ndodhet në zonën e Raqqas, në Siri. Ndoshta do të takohet me bashkëshortin në momentin e duhur, e kujdesshme se mos bën hapa falsë që do i kompromentonin sigurinë. Guido Olimpie/Corriere.it

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button