Ekonomi

Kapitalizmi i rrezikuar nga kapitalistët

Screen Shot 2015-09-13 at 21.26.18

Ekonomisti Robert Reich, Sekretar në kohën e Klintonit, thotë se monopoli dhe superfuqia e grupeve të mëdhenj kanë dëmtuar frymën origjinale dhe jetësore të iniciativës së lirë. “Duhet të rishpërndahet pasuria menjëherë, që në fazën kur prodhohet”.

Teknologjia dhe globalizimi kanë prodhuar ndryshime të mëdha në botën e punës, por pabarazia ekstreme në shpërndarjen e të ardhurave, që po eksperimentojmë tashmë prej shumë vitesh, buron mbi të gjitha nga mënyra e organizimit të tregut. Me justifikimin për të mos u lënë më shumë hapësirë atyre që duan më shumë shtet, koalicioni i interesave, që prej dekadash dominon Amerikën, ka penguar prej vitesh përshtatjen e rregullave me realitetin e ri ekonomik. Dhe pa rregulla efikase për të mbajtur sistemin në një ekuilibër të pranueshëm shoqërisht, kapitalizmi nuk funksionon”.

Që në batutat e para, në diskutimin mbi “Si të shpëtojmë kapitalizmin”, lirbin më të fundit të Robert Reich, ekonomisti i famshëm liberal i Universitetit të Berkeleyt, Sekretar i Punës në kohën e Bill Klintonit, nxjerr duart përpara: “Marr pjesë në shumë debate për tema nga më të ndryshmet, por çdo herë, aty përfundohet: mbrojtja e tregut të lirë nga çdo ndërhyrje të jashtme, jo rregulla të reja. Sikur tregu të ekzistonte në natyrë, e të mos ishte një krijesë e njerëzve”.
Megjithatë, dinamizmin më të lartë që ka SHBA në krahasim me Europën, e kemi shpjeguar shpesh herë edhe me kompleksitetin e normativave në fuqi, si dhe koston e lartë të mirëqenies sociale në BE.

“Një gjë – përgjigjet Reich – janë shtresëzimet burokratike, dhe një gjë tjetër rregullat për të bërë të funksionojë mirë një sistem ekonomik. Norma që ndonjëherë edhe duhet të lehtësohen: për shembull ato që mbrojnë për një kohë shumë të gjatë, apo në mënyrë shumë të gjerë disa patenta, duke u dhënë një avantazh të tepruar shumë grupeve të mëdhenj, që tashmë janë kaq të fuqishëm, saqë kanë forcën t’i kundërvihen çdo ndryshimi: e quajnë çdo korrektim, si një ndryshim të rregullave të tregut të lirë. Gjëra që i hamë prej disa dekadash. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu në historinë amerikane. Nga duam ta nisim? Në libër unë citoj Eduard Ryanin, president i Gjykatës së Lartë të Uiskonsinit, i cili në vitin 1873, duke u folur studentëve në shtetin e tij, u tha: “Një ditë do të duhet të pyesim se kush duhet të vendosë: pasuria, apo njeriu? Kush duhet të udhëheqë: paraja, apo intelekti? Dhe detyrat publike kujt duhet t’i shkojnë? Njerëzve të lirë dhe të arsimuar, apo shërbëtorëve feudalë të kapitalit të kompanive”?

Megjithatë, ajo ishte Amerika e egër e baronëve grabitës, manjatë të kushtuar ndaj konkurrencës së pandershme.

“Sigurisht. Pastaj, në fundin e Tetëqindës, erdhi ligji antitrust, Ligji Sherman. Dhe në fillim të shekullit XX, ai që frenoi abuzimet e kapitalistëve të paskrupullt dhe që goditi monopolet ishte një president konservator: Theodore Roosevelt. Një që i sulmonte, ata që i quante “keqbërës me pasuri të madhe”, duke shtuar që, përveç se shtypnin punëtorët, ata vinin në rrezik vetë ekzistencën e shtetit”. Reichi thotë se, pas epokës së progresit dhe rritjes së ekuilibruar të pas Luftës së Dytë, në tridhjetë vitet e fundit kemi përjetuar një shtrembërim: “Deri në vitet Shtatëdhjetë, mirëqenia shpërndahej mes punëtorëve më të përulur. Më pas erdhi kthesa: sot, pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave, është më e madhja në 80 vitet e fundit”.

Po përse politika nuk arrin më të bëjë korrigjime? Përse lobet e sipërmarrësve janë shumë të fuqishëm? Apo përse manjatët e sotëm, nuk janë më padronët e urryer të uzinave të një herë e një kohe, shumë të dukshëm në botën e tyre të çelikut dhe qymyrit, por “princër të rilindur” të teknologjive digjitale me mekanizma gjeniale, të pakapshëm dhe të padukshëm në një ekonomi gjithnjë e më komplekse?

“Të dy gjërat së bashku: pushteti është zhvendosur drejt elitave ekonomike, për shkak të kompleksitetit teknologjik dhe financiar të ekonomisë. Njerëzit e kanë më të vështirë të kuptojnë. Kompleksiteti nuk shpjegon gjithçka, por u mundëson koalicioneve të mëdha të interesave që të akumulojnë paratë, me anë të të cilave fshehin mënyrën me të cilën po shtyjnë ekonominë, në një drejtim që është i favorshëm për ta. Bëjnë lojën e tyre, por e bëjnë duke dobësuar sistematikisht politikën dhe autoritetin e atyre që hartojnë rregullat”.

Që nga industritë farmaceutike që paguajnë kompanitë e ilaçeve gjenetike, që të mos hedhin në treg produktet e tyre me kosto të ulët, e deri tek monopoli agro-industrial, e deri tek abuzimet e kompanive që shpërndajnë ndërlidhjen me shpejtësi të lartë, apo tek tregu i plazmuar i Amazon, në librin e Reich rrëfehen shumë raste të diskutueshëm, apo edhe histori të vërtetë “horrori” të kapitalizmit të SHBA.

Por në fund, ai që ndryshon tregun, që zhduk miliona vende pune, është mbi të gjitha evolucioni i teknologjisë. Vetë Reich në të kaluarën kishte parashikuar një rënie drastike të punësimit në shumë sektorë, dhe në libër rrëfen për një mik të tijin, i cili nga shtëpia e tij në Tucson projekton, prodhon (me një printer 3D) dhe shet (në internet) një makinë në gjendje që të zbulojë disa elementë ndotës në ajër. Të gjitha këto, i vetëm.

“Eshtë e vërtetë, janë ndryshime radikalë. Por në të njëjtën kohë, mendoj se në vlerësimin e vështirësive tona sot, në SHBA dhe në Europë, po i japim një peshë të ekzagjeruar impaktit të globalizimit dhe teknolgjisë, ndërkohë që nënvlerësojmë ndikimin e politikës. Problemet që duhet të përballim, në Uashington, ashtu sikurse në Romë, kanë më shumë të bëjnë me vendimet politike, se sa me ekonominë. Jetojmë në shoqëri shumë të pasura: hapësirat për të korrigjuar drejtimin janë ende shumë të mëdha. Por nuk i përdorim. Problemi është që, ndërkohë që pushteti ekonomik përqëndrohet në majë të piramidës, e njëjta gjë ndodh me pushtetin politik. Dhe kështu nisin thirrjet “larg duart nga tregu i lirë”. Edhe atëherë kur bëhet fjalë thjeshtë për eleminim të monopoleve të reja, apo shmangur përqëndrimin e tepruar në ekonominë digjitale”.

Rritet edhe një ekonomi pjesërisht alternative ndaj asaj të grupeve të mëdha tradicionale: shërbimet “on demand” që ofrojnë shumë kompani rishtare për klientët që i kërkojnë përmes celularëve dhe aplikacioneve. Shërbime të ofruara nga personel që punon me kërkesë, pa raporte të qëndrueshme. Reich e kritikon edhe këtë model. Pasiguria, thotë ai, do të reduktonte aftësinë për të mësuar.
“Po, parregullsia e tepruar në oraret e punës mund të shkaktojë probleme të rëndë. Stresi, pamundësia për të programuar jetën tënde: sistemimin e burimeve për të ngritur shtëpi, martuar, krijuar familje, përgatitur për pension. Por pasiguria mund të reduktojë edhe aftësinë për të mësuar. Nuk flas në libër: në një artikull që kam shkruajtur në vigjilje të Ditës së Punës, kam cituar të dhënat e një studimi të The Economic Policy Institute. Puna në mënyrë rastësore, ndonjëherë me turne të gjatë apo natën, në terma kohëgjatë redukton aftësitë konjitive të punëtorit dhe të fëmijëve të tij”. Cilat janë terapitë e mundshme? Disa prej masave të propozuara në libër, ose janë ndërhyrje shumë të kushtueshme që diskutohen prej vitesh, por duken të vështira për t’u zbatuar, si për shembull futja e një page minimale universale, ose janë risi që mbeten për t’u “shpikur” edhe në planin juridik dhe financiar, si ndarja e fitimeve dhe e të drejtave teknologjike.

“Duhet të lindë, dhe shpresoj të lindë nga vetëdijësimi në rritje i njerëzve, një lëvizje masive për krijimin e një sistemi të ri kundërpeshe në interes të atyre qytetarëve, që janë shumica, të cilët nuk kanë ndarë fitimet e ekonomisë në dekadat e fundit. Nuk mund të shkohet më tej në shtrydhjen e klasës së mesme. Mënyrat mund të jenë të ndryshme. Mund të taksohet pasuria e të paktëve, por rrezikohet të krijohet një operacion statik i rishpërndarjes së mirëqenies ekzistuese, në vend që të promovohet krijimi i pasurisë së re. Një qasje më e arsyeshme, mund të jetë ajo e ndarjes në mënyrë më të gjerë e pasurisë në të ardhmen, me masa, si shpërndarja tek çdo qytetar, i një kuote të caktuar të përfitimeve ekonomike që prodhohen prej atyre markave”. Alarmet për pasojat e rënda, edhe politike, të fundit të klasës së mesme lëshohen prej të paktën dhjetë vitesh: nuk ka ndodhur asgjë. Reich, që ka punuar me Bill Clintonin dhe njeh mirë familjen, mendon se Hillary mundet dhe do të donte të ndryshonte rrugë.

“Politika e vetme nuk mundet: duhet një ndërgjegjësim dhe një nismë e kompanive. Puna nuk është që t’ua heqësh të pasurve, për t’ua dhënë të varfërve me taksa, por të miratohen rregulla që të shpien drejt një shpërndarje më të barabartë që në fazën e prodhimit të pasurisë, në vend që të rishpërndahet a posteriori. E komplikuar? Po. Por thelbësore, sepse në kushtet aktuale, një shoqëri nuk mund të zgjasë. Nuk është një sfidë për teknologjinë apo ekonominë: është një sfidë për demokracinë”.

La Lettura – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button