Analiza

Kaq e patën pushimet?

oil
Herën e fundit që bota ka përjetuar një rënie të tillë të beftë dhe të madhe në çmimet e naftës – nga 1986 deri në 1999 – kjo pati disa pasoja të thella politike për shtetet që kanë varësi nga nafta dhe ata që varen prej bujarisë së këtyre. Perandoria sovjetike u shemb; Irani zgjodhi një president reformist; Iraku pushtoi Kuvaitin; dhe Jaser Arafati, pasi kishte humbur mbështetësin e vet sovjetik, bashkë me bankierët arabë, njohu Izraelin – sa për të përmendur disa. Natyrisht, edhe faktorë të tjerë patën një rol në këto ngjarje. Por, në secilin rast, rënia e madhe në të ardhurat direkte apo indirekte prej naftës luajti një rol të fortë

Thomas L. Friedman

Më shumë nga sa mund ta kuptojmë ne, bota ka patur një dell fatlum, qysh prej krizës financiare të 2008-ës. Si? Vitet mes 2008 dhe 2013-ës kanë qenë një periudhë relativisht e mirë në politikën e fuqive të mëdha dhe në gjeopolitikë. Kjo u lejoi fuqive të mëdha ekonomike – SHBA, BE, Kina, India, Rusia, Brazili dhe Japonia – që të fokusoheshin pothuajse ekskluzivisht në rimëkëmbjen ekonomike. Por tani ka tregues të fortë se, “kaq e patën” dhe pushimet tanë pa mungesë stabiliteti gjeopolitik.
Herën e fundit që bota ka përjetuar një rënie të tillë të beftë dhe të madhe në çmimet e naftës – nga 1986 deri në 1999 – kjo pati disa pasoja të thella politike për shtetet që kanë varësi nga nafta dhe ata që varen prej bujarisë së këtyre. Perandoria sovjetike u shemb; Irani zgjodhi një president reformist; Iraku pushtoi Kuvaitin; dhe Jaser Arafati, pasi kishte humbur mbështetësin e vet sovjetik, bashkë me bankierët arabë, njohu Izraelin – sa për të përmendur disa. Natyrisht, edhe faktorë të tjerë patën një rol në këto ngjarje. Por, në secilin rast, rënia e madhe në të ardhurat direkte apo indirekte prej naftës luajti një rol të fortë.
Nëse vazhdon prirja për rënie që vërejmë sot në çmimet e naftës, atëherë duhet të presim shumë surpriza. Disa do të kenë funde të lumtur. Vendimi i Kubës për të bërë paqe me Amerikën duhet të jetë nxitur pjesërisht prej frikës së Havanës, se mos humbet një pjesë apo të 100 mijë fuçitë me naftë, që merr përditë në formë subvencioni nga Venezuela. Të tjerë mund të jenë shumë destabilizues. Bota e sotme është shumë më ngushtë e lidhur dhe e ndërvarur se herën e fundit kur çmimet pësuan rënie, domethënë përpara përhapjes së internetit. Dhe bota e sotme ka kaq shumë aktorë të tjerë – superfuqi dhe individë të superfuqizuar dhe hacker-ë që munden të destabilizojnë kompani dhe shtete me armë kibernetike. Shihni fjalorin për fjalët “Sony” dhe “Korea e Veriut”.
Kur dëgjoj presidentin Vladimir Putin tek mburret që ulja e çmimeve të naftës nuk do të ketë ndikim ndaj popullit rus sepse ai është stoik – shihni se çfarë toleruan në Luftën e Dytë Botërore – reagimi im është: “Z. Putin, Lufta e Dytë ndodhi përpara se të ekzistonte një klasë e mesme urbane në Rusi, një klasë që ti vetë dhe një dorë për ta krijuar, përmes të ardhurave nga shitja e naftës dhe gazit”. Shumë më tepër rusë sot janë mësuar tashmë të udhëtojnë jashtë, të zotërojnë një makinë (shihni bllokimet e trafikut në Moskë), të konsumojnë mallra perëndimorë dhe të shohin se si jeton pjesa tjetër e botës. Të shohim se sa stoikë janë sot. Ish ministri i Financave i Rusisë, Alexei Kudrin thoshte tek Financial Times të hënën: “Do të ketë një rënie në standartet e jetesës. Do të jetë e dhimbshme. Do të ketë rritje të protestave”.
Sanksionet e perëndimit ndaj bankave të Putinit, bashkë me rënien e beftë në çmimet e naftës si dhe largimin e kapitalit – edhe ky i nxitur prej sanksioneve – do të thonë se Rusia ka një hendek të rrezikshëm mes fondeve që futen në ekonominë e saj dhe sasisë së fondeve që ka nevojë të nxjerrë për të paguar borxhet dhe financuar importet. Putini nuk mund të shpëtojë nga ky presion, pa u hequr sanksionet e Perëndimit. Dhe këta do të hiqeshin vetëm nëse Putini zhbën marrjen e Krimesë dhe ndërhyrjen në Ukrainë.
Nëse Putini e pranon se aventura e tij në Ukrainë ishte një gabim, do të duket shumë budalla dhe në Kremlin do të shfaqen menjëherë thikat e gjata kundër tij. Nëse nuk sprapset, rusët do të paguajnë një çmim të kripur. Sido që të shkojë, ai sistem do të tensionohet dhe pasojat për ekonominë globale janë të paparashikueshme. Mos harroni: kolapsi ekonomik i Rusisë në vitin 1998 – i shkaktuar edhe ai nga rënia e çmimeve të naftës si dhe moratoriumit që ajo shpalli për pagesat ndaj huadhënësve të huaj – dha një dorë për fundosjen e gjigandit amerikan “Long-Term Capital Management”, duke shkaktuar një pothuajse “plandosje” të Bursës së Nju Jorkut.
Një rënia e zgjatur në kohë e çmimeve të naftës do të ketë impaktin e vet mbi Algjerinë, Iranin, shtetet e Gjirit Arabik, ku regjimet e vjetër tashmë kanë përdorur çmimet e naftës për të rritur pagesat e qeveritarëve, si dhe për të blerë heshtjen e popujve të tyre gjatë Pranverës Arabe. Gjithashtu, në një epokë kur makineritë dhe programet kompjuterikë po bëjnë që “mesatarja” të marrë fund për vendet e zhvilluar, ku të gjithë tashmë kanë nevojë të rrisin aftësitë e tyre, çfarë do të ndodhë me shtetet arabë në zhvillim dhe Iranin, të cilët kanë përdorur paratë e shitjes së naftës për të fshehur mangësitë e tyre në dije, arsim dhe fuqizim të grave? Qeveria e udhëhequr nga ushtarakët në Egjipt ka një nevojë shumë të madhe për paratë e naftës së shteteve arabë për të kapërcyer krizën. Mes këtyre, një lajm pak i mirë: Shteti Islamik, që varet prej kontrabandës së naftës, nuk do të arrijë të qeverisë aq rehat.
Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Erdogan i cili ka arrestuar kundërshtarët brenda vendit, po duket si “Vladimir Putin Jr.” Erdogani është një figurë tragjike për arsye se ai bëri shumë për ta fuqizuar ekonominë e Turqisë. Por sot, sipas Financial Times, “Turqia ka tashmë nevojë për më shumë se 200 miliardë dollarë financime të huaja në vit, domethënë më shumë se një e katërta e GDP-së, për të ruajtur nivelin aktual të rritjes ekonomike”. Do të ketë më pak para nga nafta arabe dhe ruse për këtë dhe javën që kaloi, teksa Erdogani kritikohej nga BE për arrestimin e kundërshtarëve, lira turke pësoi një tjetër rënie rekord kundrejt dollarit.
Cmimet e lartë të naftës mbuluan shumë mëkate dhe ushqyen shumë mëkate. Nëse qëndrojnë sërish në nivele të ulët për një kohë të gjatë, shumë udhëheqës do të duhet të paguajnë çmime pakice për politikën e tyre të çmendur, jo çmime shumice. Pasojat politike dhe gjeopolitike do të variojnë – do të jenë të mira dhe të këqia – por pasoja do të ketë me bollëk./NYT/
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button