Analiza

KARRIERE / Ana e errët e meritokracisë

Screen Shot 2016-04-22 at 13.42.03Një prej ambicieve të pakta që ndajnë politikanët në të gjithë spektrin politik është ajo e krijimit të një shoqërie tërësisht meritokratike, domethënë një shoqëri ku, ata që ngjiten në majë, ia dalin vetëm prej talentit dhe aftësive të tyre (në vend të privilegjeve të padrejtë: si prindër të klasës së pasur, miqësi me shefin etj.). Në të gjithë botën perëndimore, të gjithë qeveritë kanë objektivin e përbashkët që të përpiqen të krijojnë një hierarki të bazuar në aftësinë, duke zëvendësuar “gjysmakët” me ata që e meritojnë, kudo ku janë dhe në cilëndo moshë, ngjyrë të lëkurës apo seks.

Ky ideal i meritokracisë ka sjellë shanse për miliona njerëz. Individë të aftë dhe inteligjentë, që për shekuj të tërë ishin mbajtur poshtë prej hierarkisë së kastave, janë tashmë të lirë të shprehin talentin e tyre në një terren të barabartë për të gjithë. Kryesisht, kemi kthyer faqe dhe kemi lënë pas një botë që dikur ishte e mbushur me sundimtarë që ishin shumë të sëmurë apo budallenj për të qeverisur, lordë që nuk mund të menaxhonin pronat e tyre, komandantë që nuk i kuptonin parimet e betejës, fshatarë që ishin më të mençur se sa zotërit e tyre dhe shërbëtore që dinin më shumë se sa zonjat e tyre. E kaluara nuk është më pengesë për përparimin. Në shpërndarjen e shpërblimeve, më në fund ka hyrë një element i drejtësisë.

Por, meritokracia ka edhe një anë të errët: pasi, nëse besojmë vërtetë që kemi krijuar një botë ku të suksesshmit e meritojnë vërtetë të gjithë suksesin e tyre, atëherë duhet që dështakët të jenë ekskluzivisht përgjegjës për dështimet e tyre. Në një epokë meritokratike, një element i drejtësisë hyn në shpërndarjen e pasurisë, por edhe të varfërisë. Statusi i ulët tashmë nuk është më vetëm për të ardhur keq. Ai shihet edhe si i merituar.

Sigurisht, suksesi financiar (pa trashëgimi apo kontakte) në një meritokraci ekonomike u jep individëve një ndjesi vlere personale që fisnikët e dikurshëm, që i kishin trashëguar pasurinë dhe kështjellat prej etërve, nuk kanë qenë në gjendje ta ndiejnë. Por në të njëjtën kohë, dështimi financiar është shoqëruar me një ndjesi turpi që fshatarëve te dikurshëm, të cilëve u ishin mohuar të gjithë shanset në jetë, gjithashtu u ishte kursyer. Pyetja përse dikush mbetet sërish i varfër vazhdon të jetë akute dhe ata që nuk kanë sukses, e kanë të vështirë të gjejnë një përgjigje në epokën e meritokracisë.

Screen Shot 2016-04-22 at 13.41.52Duket se nuk ka patur mungesë të njerëzve të gatshëm të ofrojnë një përgjigje ndaj kësaj pyetje në emër të të varfërve. Për disa, është e qartë që të varfërit e kanë pozicionin që kanë për shkak të budallallëkut dhe degjenerimit të tyre. Në disa vende, pas ngjitjes që ka pasur meritokracia ekonomike, të varfërit tashmë nuk përshkruhen më si “të pafatë” (domethënë objektiv i bamirësisë), por përshkruhen si “dështime”, ose objekt i përçmimit në sytë e individëve “të bërë vetë”, të cilët nuk janë aspak të prirur të ndiejnë turp për gjendjen e tyre apo të derdhin lotë krokodili, për ata njerëz, prej shoqërisë së të cilëve vetë kanë shpëtuar.

Ka qenë sociologu Michael Young i cili ka eksploruar i pari anën e keqe të besimit tek një sistem social që supozohet të jetë i drejtë. “Sot të gjithë njerëzit, sado të përulur, e dinë që kanë patur çdo lloj shansi”, shpjegon ai tek Ngjitja e Meritokracisë. “Nëse u është përsëritur disa herë që janë ‘të trashë’, atëherë nuk mund të bëjnë më sikur… A nuk janë ata të detyruar që te kenë një status inferior, jo si në të shkuarën për shkak se u janë mohuar shanset, por sepse janë inferiorë?’ Plagës së varfërisë, sistemi meritokratik i ka shtuar edhe plagën e turpit.

Eshtë simptomë e besimit tonë të madh tek meritokracia që tashmë është bërë e pamundur të shpjegojmë dështimet tanë, si rezultat i “fatit të keq”. Ndërkohë që mendohet si e sigurtë që fati luan një rol teorik në formësimin e karakterëve tanë, në terma praktikë zhvillimi i njerëzve ecën duke menduar që këta duhet të jenë përgjegjës për biografitë e tyre. Do të ishte modesti e kotë të shpjegohej një sukses me “fatin e mirë”, dhe më e rëndësishmja në këtë kontekst, të fajësosh të kundërtën, pra fatin e keq për dështimet. Fituesit e bëjnë vetë fatin e tyre, thotë mantra moderne. Kjo gjë me siguri do të kishte shastisur adhuruesit e lashtë romakë të Perëndeshës së Fatit. Eshtë alarmuese që të na duhet të mbështesim statusin tonë tek elementë rastësorë. Eshtë edhe më e vështirë të jetojmë në një botë kaq të mbushur me ide të kontrollit racional, saqë tashmë e ka eleminuar krejt “fatin e keq” si një shpjegim të besueshëm për humbjen apo dështimin.

Por sigurisht, nuk mund të ketë asnjëherë një sistem me të vërtetë meritokratik, sepse “merita” e një individi është shumë komplekse për t’u shpjeguar me vendin e punës që mund të kesh. Ata që kanë besim tek meritokracia, praktikisht janë duke mbështetur një supozim të marrë dhe me siguri arrogant se njerëzit e zakonshëm mund të marrin kollaj në duart e tyre përgjegjësitë solemne që në kohët e shkuara ishin në duart e Zotave që, të ndihmuar nga engjëjt, do të peshonin shpirtin e gjithësecilit në Ditën e Gjykimit.

Për të çliruar vetveten nga disa prej efekteve anësorë ndëshkues të këndvështrimit meritokratik për botën, do të ishte gjë e mençur që të pushonim së mbushuri gjëra të tilla si shpërndarja e vendeve të punës dhe pasurisë, me konotacione moralë – si dhe të ruanim pak atë besimin e vjetër dhe modest, të një dallimi mes asaj që dikush fiton dhe asaj që ka në shpirt. /The philosopher’s mail/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button