Speciale

Katastrofa natyrore, luftëra, revolucione ekonomike dhe teknologjike: Çfarë i ndryshon komunitetet?

 

Screen Shot 2015-08-13 at 11.07.39

Katastrofa natyrore, luftëra, revolucione ekonomikë dhe teknologjikë: ka ngjarje që u imponohen shoqërive të tëra. Të cilat reagojnë, mirë apo keq, nëse…

“Duhet të jeni ndryshimi që doni të shihni në botë”, thoshte Mahatma Gandhi. Dhe ai nga ndryshimet merrte vesh shumë: dëbimi i anglezëve nga India pas treqind viteve kolonializëm dhe lëvizja e një vendi të shfrytëzuar në traditën e tij mijëvjeçare nuk ishte gjë e vogël. E megjithatë, jo gjithçka varet nga ne si individë. Ka ngjarje që u imponohen shoqërive të tëra: tërmete, luftëra apo ndryshime të ekuilibrave ekonomikë ndërkombëtarë kanë shumë pak të bëjnë me disponueshmërinë tonë personale për të ndryshuar stilin e jetesës, por na sfidojnë të gjithëve, si pjesëtarë të një komuniteti, dhe na kërkojnë të nxjerrim burimet e përbashkët. Cilët? Mes faktorëve që, sipas Jared Diamond, docent në Universitetin e Kalifornisë dhe autor i “Kolapsi: si shoqëritë zgjedhin të jetojnë apo vdesin”, ndikojnë në mbijetesën apo jo të një shoqërie, më e rëndësishmja është kultura: si popujt reagojnë ndaj stimujve të tyre në mënyra të ndryshme. Sepse çdo komunitet, i vogël apo i madh qoftë, ka një vizion të tijin për botën, që ndikon në reagimet e tij.

Saktësisht si dy vëllezër, që ndonëse kanë patur dy prindër të njëjtë, kanë personalitete të ndryshëm dhe reagojnë në mënyrë të ndryshme ndaj të njëjtës situatë.

Ndryshimi i kulturës, e si pasojë edhe sistemit të vlerave, është kështu sfida më e vështirë si për një individ, ashtu edhe për një kolektiv: e megjithatë, është pikërisht në këtë pikë që duhet të hysh në lojë, duke u sforcuar për të kuptuar realitetet e rinj dhe për të reaguar në interesin e përbashkët.

Si ndodh ndryshimi i një shoqërie?

“Shpesh mendojmë që ndryshimi është një lloj reagimi ndaj një faktori traumatik”, thotë Roberto Cartocci, docent i metodologjisë së shkencës politike në universitetin e Bolonjës. “Në të vërtetë, gjithmonë shoqëritë kanë ndryshuar, edhe atëherë kur duket se kalojnë një periudhë palëvizshmërie. E bëjnë me shpejtësi të ndryshme, sipas dimensioneve të ndryshëm, por çdo kolektiv është i detyruar të ndryshojë, ashtu sikurse çdo njeri është i detyruar që të plaket”.

Përse atëherë, nëse ky proces është i nevojshëm, dhe në një farë kuptimi natyral, e kemi të vështirë ta pranojmë dhe kemi prirjen ta përjetojmë ndryshimin më shumë si një humbje, se sa si një shans të ri?

“Sepse jo të gjithë komunitetet e kanë aftësinë e duhur të “rimëkëmbjes”, domethënë aftësinë për t’u bërë ballë ngjarjeve që vënë në rrezik mjedisin e tyre fizik dhe social”, thotë Luca Pietrantoni, docent i psikologjisë sociale në Universitetin e Bolonjës. “Aftësia vetëshëruese natyrisht që nuk është e njëjtë për çdo komunitet dhe në çdo rrethanë, dhe intensiteti i saj më i madh apo më i vogël varet nga shumë variabla, mes të cilave ekonomia, politika dhe traditat kulturore. Një komunitet që përballet me një fatkeqësi sizmike, për shembull, do të ndikohet në aftësinë e vet për të reaguar prej forcës së sistemit të vet ekonomik, nga aftësitë vendim-marrëse të klasës së vet politike, por edhe nga burimet kulturore të popullsisë së vet”. Një shembull pozitiv është mënyra se si Japonia reagoi ndaj tsunamit dhe tërmetit të vitit 2011, duke i treguar botës se një shoqëri që di të menaxhojë si duhet pasurinë e vet dhe që ka një klasë politike të zellshme, rimëkëmbet me shpejtësi: vetëm pak ditë pas tërmetit, autostradat ishin sërish funksionale.

“Natyrisht”, saktëson Cartocci, “reagimi ndaj ndryshimit të llojit kulturor do të shprehet edhe në zgjedhjen e përfaqësuesve politikë, dhe ja pra ku, në momente krizash të mëdha, në shoqëritë më të papërgatitura mund të lindin lëvizje populiste, që ndonjëherë mund të degjenerojnë në diktatura”.

Çfarë i duhet një shoqërie për të ndryshuar?

Nëse për individin ndryshimi mund të jetë një proces i gjatë dhe i lodhshëm, për komunitetet rrezikon të jetë edhe më shumë. Sepse kuota e lirisë individuale reduktohet dhe sepse grupet që përbëjnë çdo komunitet nuk ndajnë të njëjtat interesa. Ajo që është e nevojshme për pensionistët mund të mos jetë për studentët, ashtu sikurse ajo që mund të ndihmojë industrinë e madhe, penalizon artizanët e vegjël. Kështu, drejtimi që merret prej ndryshimit të madh nuk bën njësoj të lumtur të gjithë individët.

“Edhe për këtë arsye, burimi kryesor i një komuniteti kur ndodhet përballë sfidës së ndryshimit është koherenca relative mes dimensioneve të vet: ekonomia, kultura, shoqëria duhet të ndryshojnë së bashku”, shpjegon Cartocci. “Për shembull, nëse një shoqëri si ajo aktuale, që është përfshirë prej revolucionit dixhital, përshtatet me shkolla dhe universitete të duhur për këtë realitet të ri, do të ketë më shumë mundësi të përshtatet pozitivisht me këtë ndryshim: studentët do të mbërrijnë të përgatitur në tregun e punës dhe do të dinë si të shfrytëzojnë me virtuozitet një mjet që mund të ndikojë në jetën e tyre private. Në këtë mënyrë, ‘kapitali social’, pra niveli i kohezionit dhe besimit mes qytetarëve, do të rritet, duke e bërë komunitetin më të fortë”.

“Për të kapërcyer një ndryshim”, shton Pietrantoni, “një shoqëri duhet të ketë edhe një masë të madhe ‘teprice’: bllokohet një copëz e sistemit për shkak të një ngjarjeje të paparashikuar? Nëse komponentët e tjerë funksionojnë mirë, atëherë do të jetë e mundur të rishpërndahen të ardhurat dhe i gjithë sistemi do të rifillojë të funksionojë sipas parametrave të rinj”. Pra, një shoqëri do të jetë në gjendje t’i përgjigjet mirë goditjeve të ndryshimit nëse bilanci i “zërave” të saj do të jetë aktiv, për shembull nëse do të ketë rezerva. Dhe nëse mes pjesëtarëve të saj do të ketë një nivel të mjaftueshëm solidariteti dhe besimi.

Çfarë fitojmë?

Megjithatë për një shoqëri, ashtu sikurse për një individ, pyetja është e njëjta: çfarë fitoj duke ndryshuar? “Në çdo situatë krize, domethënë ndryshimi”, thotë Pietrantoni, “ka gjithmonë tregues dështimi dhe tregues burimesh. Kriza aktuale ekonomike, që nuk është e pëlqyeshme për askënd, po bën megjithatë të rriten vlera të reja morale: mjedisi, një vëmendje më e madhe ndaj konsumit, reduktimi i lëvizshmërisë. Kjo e dhënë e fundit, për shembull, nëse është e vërtetë që ndikon negativisht në industrinë e automobilëve, nga ana tjetër është e vërtetë edhe që krijon efekte pozitivë: më pak aksidente, më pak ndotje, përdorim më i madh i transportit publik dhe mjetesh alternativë, si biçikleta, që kanë efekt pozitiv edhe mbi shëndetin. Dhe nga këto vlera të reja mund të vijnë edhe përgjigje virtuoze që përfshijnë ekonominë dhe politikën”

Fatmirësisht, ka shembuj pozitivë të përshtatjes me krizën ekonomike dhe mjedisore të këtyre viteve të fundit. Finlanda, Suedia dhe Danimarka rezultojnë në krye të renditjes në “Raportit për gjendjen e ekonomisë së gjelbër”, sepse kanë ditur fillimisht të pranojnë sfidën dhe më pas të përshtasin institucionet dhe infrastrukturën e tyre. Dhe sigurisht nuk është rastësi që vendet që kanë borxhin më të ulët publik të Europës, janë ata që investojnë më shumë në kërkim dhe zhvillim.

Sette – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button