Analiza

Katër forcat e shoqërisë moderne dhe si ta “ribëjmë” strukturën tonë sociale

Screen Shot 2016-04-07 at 15.14.25Nga Dejvid Bruks

Kur e mendon, janë katër forca të mëdha që përshkojnë shoqëritë moderne. Migrimi global po shkakton diversitet demografik. Globalizimi ekonomik po krijon shanse më të mëdha, por edhe pabarazi. Interneti po u jep njerëzve më shumë zgjedhje për gjërat që duhet të blejnë dhe t’u kushtojnë vëmendje. Një kulturë autonomie i jep vlerë zgjedhjeve individuale dhe vetëvendosjes.

Të gjithë këto forca e kanë çliruar individin, ose të paktën individët e mirëarsimuar, por ato kanë qenë të këqia për kohezionin kombëtar dhe strukturën sociale. Pabarazia e të ardhurave sfidon kohezionin ekonomik, teksa klasat ndahen. Diversiteti demografik sfidon kohezionin kulturor, teksa grupe të ndryshëm etnikë shkaktojnë fërkime mes tyre. Vënia e theksit tek zgjedhja individuale sfidon kohezionin komunitar si dhe lidhjet e krijuara sociale.

Dobësimi i strukturës sociale ka krijuar një sërë problemesh. Të rinj të tjetërsuar bashkohen me ISIS-in, me qëllim që të kenë një sens përkatësie. Adoleshentë të izoluar qëllojnë me armë në shkolla. Shumë njerëz rriten në lagje të fragmentuara dhe çorganizuara. Polarizimi politik rritet, sepse njerëzit shpesh herë nuk ndërveprojnë me ata që janë në anën tjetër. Armiqësia racore nuk ndalet.

Edhe më e çuditshme, njerëzve u ka pllakosur një ndjesi pafuqie, një humbje efikasiteti. Clirimi i individit duhej të kishte sjellë fuqizimin në masë. Por me sa duket, njerëzit mund të ndjekin objektivat e tyre, vetëm atëherë kur e dinë se cilët janë – kur kanë identitete të fortë.

Identitetet e fortë mund të vijnë vetëm kur njerëzit i përkasin një strukture të pasur sociale. Mund të vijnë vetëm kur kemi role sociale të mirëpërcaktuar – baba, hidraulik, trainer i Ligës. Mund të vijnë vetëm atëherë kur shihemi dhe admirohemi prej fqinjëve tanë, dhe të dashurve tanë, në një mënyrë të caktuar. Siç e ka thënë Ralf Ualdo Emerson, “Të tjerët janë lentet me të cilat ne lexojmë mendjen tonë”.

Nëse heq strukturën e pasur sociale, ajo që mbetet janë njerëz të pasigurtë për atë që janë në të vërtetë. Eshtë e vështirë të jetosh guximshëm, kur vetë themeli yt është fluid dhe në risk.

Ne nuk do të çpështjellim katër forcat e mëdha që përshkojnë shoqëritë tona moderne, kështu që pyetja është si të riendim strukturën sociale përballë tyre. Në një botë që globalizohet dhe ku diversiteti sa vjen e shtohet, si mund ta ruajmë lirinë individuale, e në të njëjtën kohë të forcojmë solidaritetin social?

Në librin e saj të ri “Komonuelthi dhe Marrëveshja”, Marcia Pally e Universitetit të Nju Jorkut ofron një koncept kthjellues. Ajoq ë ne duam, sugjeron ajo, është “ndashmëria mes konteksteve”. Ne duam që të shkojmë dhe krijojmë, eksplorojmë dhe eksperimentojmë përmes mënyrave të reja të të menduarit dhe jetuarit. Por ne duam gjithashtu të jemi në një kontekst – të përfshirë në familje që na duan, dhe komunitete të cilëve u përkasim, të lulëzojmë në brendësi të një infrastrukture sociale të shëndetshme, që na siguron vlerat dhe objektivat.

Krijimi i kontekstit kërkon një mënyrë të re të menduari. Kur shkojmë dhe bëjmë një ujdi, ne praktikisht firmosim një kontratë. Nëse ndodhemi brenda një konteksti, kjo është sepse kemi bërë një marrëveshje. Një kontratë mbron interesat, vëren Pally, por një marrëveshje mbron marrëdhëniet. Një marrëveshje ekziston mes njerëzve që e kuptojnë që janë pjesë e njëri-tjetrit. Ajo përfshin një betim për t’i shërbyer asaj marrëdhënieje, që vuloset prej dashurisë: Ku shkon ti, do të shkoj dhe unë. Ku rri ti, do të rri dhe unë. Njerëzit e tu, do të jenë njerëzit e mi.

Njerëzit në një kontratë i ofrojnë njëri-tjetrit shërbime, por njerëzit në një marrëveshje kënaqen duke ofruar dhurata. Nga dashuria për vendin, ushtarët ofrojnë dhuratën e shërbimit të tyre. Nga dashuria për zanatin, mësuesit u ofrojnë studentëve dhuratën e vëmendjes së tyre.

Struktura sociale riendet kështu, në një kuadër romantik të të menduarit. Gjatë një tjetër perudhe të fragmentimit kombëtar, Abraham Linkolni lartësoi një dashuri të rigjetur për kombin. Ai luajti me kordat mistike të kujtesës dhe përdori Deklaratën e Pavarësisë si një shkrim dhe udhërrëfyes bashkues.

Këto ditë, struktura sociale do të riparohet prej qindra-miliona njerëzve që bëjnë marrëveshje lokale – duke zgjeruar rrathët e tyre të eleminimit të ndarjeve sociale dhe racore. Por ndoshta kjo do të kërkojë që udhëheqësit t’i kthehen historisë së Amerikës, për të ringjallur patriotizmin. Ata do të tregojnë një histori që përfshin temat e dikurshme. Që ne jemi një komb universal, garantuesi i stabilitetit dhe rendit botëror. por do kapërcejë narrativën e dikurshme dhe do të ofrojë një dashuri të përditësuar për Amerikën.

Në një intervistë për Bill Maherin muajin e kaluar, Senatori Cory Booker e përcaktoi patriotizmin duke e krahasuar me thjeshtë tolerancën. Tolerancë, tha ai, do të thotë “që unë do të duroj të drejtën tënde për të qenë ndryshe, por nëse zhdukesh nga faqja e dheut, unë nuk do të jem më keq se sa jam”. Patriotizmi, nga ana tjetër, do të thotë “dashuri për vendin, që bën të domosdoshme dashurinë për njëri-tjetrin, që ne duhet të jemi një komb i cili aspiron për dashuri, që pranon se ti ke vlerë dhe dinjitet dhe që unë kam nevojë për ty. Ti je pjesë e tërësisë sime, pjesë e premtimit të këtij vendi”.

Ky emocion shpjegon çfarë do të thotë të jesh në kontekstin e një jete kombëtare të përbashkët./ Nyt – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button