Analiza

A kemi mbërritur në fundin e kombeve?

“Imagine there’s no countries… It isn’t hard to do” – “Imagjinoni të mos kishte shtete. Nuk është e vështirë” – këndonte John Lennoni. Në fakt është e vështirë. Atëherë, si duhet të organizohemi? A është shteti komb një institucion i natyrshëm dhe i pashmangshëm? Apo është një anakronizëm i rrezikshëm në një botë të globalizuar?

kombePërpiquni për një moment të imagjinoni një botë pa shtete. Imagjinoni një hartë jo të ndarë në forma me ngjyra, secila me kufij të qartë, me qeveri, me ligje. Përpiquni të përshkruani çdo gjë që bën shoqëria jonë – tregti, udhëtime, shkencë, sport, ruajtje e paqes dhe sigurisë – pa përmendur shtetet. Përpiquni të përshkruani vetveten: ti ke të drejtën për të paktën një nënshtetësi, dhe të drejtën ta ndryshosh, por jo të drejtë të mos kesh fare.
Ato forma shumëngjyrëshe në hartë mund të jenë demokraci, diktatura, apo shumë kaotike për të qenë secila prej këtyre, por pothuajse të gjitha pretendojnë të jenë një gjë: një shtet komb, territori sovran i një “populli” apo kombi që kanë të drejtën e vetëvendosjes brenda një shteti të vetëqeverisur. Kështu thonë Kombet e Bashkuara, që tani numërojnë 193 të tillë.
Dhe gjithnjë e më shumë njerëz duan shtetin e tyre, që nga skocezët që votojnë për pavarësi, deri tek xhihadistët që shpallin një shtet të ri në Lindjen e Mesme. Shumë prej lajmeve më të mëdhenj sot, që nga konfliktet në Gazë dhe Ukrainë, deri tek grindjet për imigrimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian, janë të lidhura në një farë mënyre me shtetet kombe.
Edhe në një kohë që ekonomitë tona globalizohen, shtetet kombe mbeten institucioni kryesor politik i planetit. Numri i madh i votave për partitë nacionaliste në zgjedhjet e këtij viti për BE-në provojnë se nacionalizmi mbetet gjallë – edhe nëse BE përpiqet ta kapërcejë.
Megjithatë, ka një ndjesi në rritje mes ekonomistëve, politologëve dhe madje edhe qeverive kombëtare se shteti komb nuk është domosdoshmërisht shkalla më e mirë mbi të cilën të vijojmë punët tona. Ne mund të menaxhojmë çështjet jetike, si furnizimet me ushqime dhe klimën në një shkallë globale, megjithatë, agjendat kombëtare pengojnë në mënyrë të përsëritur të mirën globale. Në një shkallë më të vogël, administratat lokale dhe rajonale shpesh herë duket se u shërbejnë më mirë njerëzve, se sa qeveritë kombëtare.
Atëherë, si duhet të organizohemi? A është shteti komb një institucion i natyrshëm dhe i pashmangshëm? Apo është një anakronizëm i rrezikshëm në një botë të globalizuar?
Këto janë normalisht pyetje shkencore – por kjo po ndryshon. Teoricieët e kompleksitetit, shkencëtarët e shkencave sociale dhe historianët po i adresojnë me teknika të reja, dhe përgjigjet nuk janë gjithmonë ato që mund të priten. Nuk është aspak i pakohë fenomeni i kombit. Ai është i vonë. Dhe ndërkohë që kompleksiteti vjen në rritje, ai po pëson mutacion, pra shndërrim në struktura të reja politike. Bëhuni gati për neo-mesjetarizmin.
Përpara fundit të shekullit 18 nuk kishte shtete kombe të vërtetë, thotë John Breuilly i London School of Economics. Nëse udhëtoje nëpër Europë, askush nuk të kërkonte pasaportën në kufi; nuk ekzistonin as pasaporta dhe as kufij, ashtu si i njohim sot. Njerëzit kishin identitete etnikë dhe kulturorë, por këta nuk përcaktonin në të vërtetë entitetin politik ku ata jetonin.
Kjo shkon pas në kohë në antropologjinë dhe psikologjinë e politikës së hershme të njerëzimit. Ne e nisëm si familje të zgjeruara endacake, më pas formuam grupe të mëdhenj gjahtarësh, dhe më pas, afro 10 mijë vjet më parë, u vendosëm në fshatra fermerësh. Aleanca të tilla kishin avantazhe përshtatjeje, pasi njerëzit bashkëpunonin për t’u ushqyer dhe mbrojtur.
Lufta dhe paqja
Por kishte edhe limite. Robin Dunbar, i Universitetit të Oxfordit ka treguar se një individ mund të ndjekë ndërveprimet socialë që lidhin jo më shumë se 150 vetë. Provat për këtë përfshijnë studime fshatrash dhe njësish ushtarake gjatë gjithë historisë, si dhe numrin mesatar të miqve në Facebook.
Por kishte një arsye të rëndësishme për të patur më shumë shokë se aq: lufta. “Në shoqëritë e vogla, mes 10 deri 60 përqind të vdekjeve të meshkujve kanë si shkak luftën”, thotë Peter Turchin i Universitetit të Connecticutit në Storrs. Të kishe më shumë aleatë do të thoshte të kishe më shumë shanse për të mbijetuar.
Turchin ka zbuluar se perandoritë e lashta euraziatike u rritën atje ku luftimet ishin më të fortë, gjë që lë të kuptohet se lufta ishte një faktor madhor në zgjerimin politik. Arkeologu Ian Morris i Stanford University arsyeton se teksa popullsia rritej, njerëzit nuk mund të gjenin më toka të pazëna ku të mund t’u shpëtonin armiqve. Humbësit e betejave thjeshtë përthitheshin në zotërimet e armikut – kështu që këta zotërime rriteshin edhe më shumë.
Si e kalonin numrin e Dunbarit? Përgjigja universale e njerëzimit ishte shpikja e hierarkisë. SHumë fshatra bënë aleancë mes tyre nën një kryetar; disa kryetarë u bashkuan nën një kryetar më të madh. Për t’u rritur, këto aleanca shtuan më shumë fshatra, dhe nëse ishte e nevojshme, më shumë shtresa hierarkie.
Hierarkitë nënkuptonin që udhëheqësit mund të koordinonin grupe të mëdhenj pa u dashur që dikush të merrej personalisht me 150 vetë. Përvec rrethit më të afërt, një individ ndërvepronte me një person të një niveli më të lartë në hierarki, dhe zakonisht me tetë vetë nga nivelet më të ulët, thotë Turchin.
Këto aleanca vazhduan të zgjerohen dhe të rriteshin në kompleksitet, me qëllim që të kryheshin aksione më kolektivë, thotë Yaneer Bar-Yam e Institutit të Sistemeve Kompleksë në Cambridge, Massachusetts. Që një shoqëri të mbijetojë, duhet që sjellja e saj kolektive të jetë po aq komplekse sa edhe sfidat me të cilat përballet – duke përfshirë konkurrencën nga fqinjët. Nëse një grup përshtaste një shoqëri hierarkike, kështu duhej të bënin edhe fqinjët. Hierarkitë u përhapën dhe kompleksiteti social u rrit. Hierarkitë më të mëdha jo vetëm fituan më shumë luftëra, por edhe ushqenin më shumë njerëz përmes ekonomive të shkallës, që lejonin risi teknike dhe sociale si ujitja, depozitimi i ushqimit, mbajtja e rregjistrave dhe një fe bashkuese. Më pas, vijuan qytetet, mbretëritë dhe perandoritë.
Por këto nuk ishin shtete kombe. Një qytet apo rajon i pushtuar mund t’i nënshtrohet një perandorie pavarësisht identitetit “kombëtar” të banorëve. “Ideja e shtetit si një kuadër i domosdoshëm për politikën, mund të sfidohet kollaj”, thotë historiani Andreas Osiander i Universitetit të Leipzigut në Gjermani.
Një argument kryesor është se shoqëritë agrare kërkonin shumë pak qeverisje. Nëntë në dhjetë vetë ishin fshatarë që punonin në fermë, kështu që ishin kryesisht vetëorganizues. Qeveria ndërhyri për të marrë pjesën e saj, për të vendosur ligje bazë dhe për të ruajtur paqen brenda territoreve të padiskutuar. Përndryshe, roli i saj ishte të luftonte për të ruajtur ata territore, ose të pushtonte më shumë.
Edhe kohë më vonë, sundimtarët kalonin shumë pak kohë duke qeverisur, thotë Osiander. Në shekullin 17, Luigji XIV i Francës kishte gjysmë milioni trupa që luftonin në luftëra jashtë vendit por vetëm 2000 që ruanin rendin në vend. Në shekullin 18, holandezët dhe zviceranët nuk kishin nevojë për qeveri qendrore. Shumë imigrantë europiano lindorë që mbërrinin në SHBA në shekullin 19 mund të thonin se nga cili fshat vinin, por jo nga cili shtet: për ta, nuk kishte rëndësi.
Përpara epokës moderne, thotë Breuilly, njerëzit identifikoheshin “vertikalisht”, nga cilët ishin sundimtarët e tyre. Kishte shumë pak ndërveprim horizontal mes fshatarëve, përtej tregjeve lokalë. Nuk kishte rëndësi se kush ishin të tjerët mbi të cilët sundonte mbreti.
Sisteme të tillë janë shumë të ndryshëm nga shtetet e sotëm, të cilët kanë kufij të mirëpërcaktuar të mbushur me nënshtetas. Perandoritë e lashta janë të ngjyrosura në hartat që shohim sot, sikur të kenë patur kufij të vendosur, por nuk ishte kështu. Përvec kësaj, njerëzit dhe territoret shpesh herë binin nën juridiksione të ndryshëm për qëllime të ndryshëm.
Shoqëri të thjeshta
Një kontroll i tillë, jo i shtrënguar, thotë Bar-Yam, nënkuptonte që njësitë politike paramoderne ishin në gjendje vetëm për disa veprime të thjeshtë, si rritja e ushqimit, luftimi në beteja, mbledhja e haraçeve dhe ruajtja e rendit. Disa, si Perandoria Romake e bënin në një shkallë shumë të gjerë. Por kompleksiteti – veprimet e ndryshëm që shoqëria mund të kryente në mënyrë kolektive – ishte relativisht i ulët.
Kompleksiteti kufizohej nga energjia që një shoqëri mundej të tërhiqte. Për pjesën më të madhe të historisë, kjo ishte në thelb puna e njeriut dhe e kafshëve. Në fundin e Mesjetës, Europa shfrytëzonte më shumë, sidomos energji të ujit. Kjo e rriti kompleksitetin social – tregtia pësoi rritje, për shembull – duke kërkuar më shumë qeverisje. Një sistem feudal i decentralizuar i hapi rrugë monarkive të centralizuara me më shumë fuqi dhe pushtet.
Por këta nuk ishin ende shtete-kombe. Monarkitë përcaktoheshin nga ai që i sundonte, dhe rregullat përcaktoheshin me pranim të ndërsjellë – ose e kundërta e tij, lufta pothuaj e përhershme. Megjithatë, në Europë teksa tregtia sa vinte e rritej, monarkët zbuluan se mund të merrnin më shumë pushtet prej pasurisë, se sa prej luftërave.
Në vitin 1648, Paqja e Vestfalisë në Europë i dha fund disa shekujve luftë duke shpallur mbretëritë ekzistuese, perandoritë dhe njësi të tjera politike si “sovrane”: askush nuk duhej të ndërhynte në punët e brendshme të të tjerëve. Ky ishte një hap drejt shteteve modernë – por këta entitete sovranë ende nuk përcaktoheshin prek identiteteve kombëtarë të popujve të tyre. thuhet se ligji ndërkombëtar e ka origjinën në traktatin e Vestfalisë, megjithatë fjala “ndërkombëtar” nuk do të fillonte të përdorej deri 132 vjet më vonë.
Deri në atë moment, Europa kish mbërritur në pikën e kthesës të revolucionit industrial. Shfrytëzimi i më shumë energjie prej qymyrit nënkuptonte që sjelljet komplekse të individëve mund të amplifikoheshin, thotë Bar-Yam, duke prodhuar sjellje kolektive shumë më komplekse.
Kjo gjë kërkonte një lloj të ri qeverie. Në vitet 1776 dhe 1789, revolucionet në SHBA dhe në Francë krijuan të parët shtete-kombe, që përcaktoheshin prej identitetit kombëtar të nënshtetasve të tyre dhe jo prej prejardhjes së sundimtarëve. Sipas Breuilly, “në vitin 1800 pothuajse askush në Francë nuk e mendonte veten si francez. Në vitin 1900, të gjithë e mendonin veten si të tillë”. Për arsye të ndryshme, njerëzit në Angli kanë patur një ndjenjë të hershme të të qënurit “anglezë”, por kjo nuk ishte shprehur si një ideologji nacionaliste.
Deri në vitin 1918, me copëtimin e perandorive të fundit të mëdha shumëkombëshe të Europës, kufijtë shtetërorë europianë ishin ribërë kryesisht përgjatë vijave kulturore dhe gjuhësore. Të paktën në Europë, shteti-komb ishte normë.
Një pjesë e arsyes ishte një adaptim pragmatist i masës së kontrollit politik që kërkohej për të qeverisur një ekonomi industriale. Ndryshe nga bujqësia, industria ka nevojë për çelik, qymyr dhe burime të tjerë, të cilët nuk janë të shpërndarë në mënyrë uniforme, kështu që shumë mikro-shtete nuk ishin më të mundshëm. Ndërkohë, perandoritë u bënë gjithmonë e më të ngathëta teksa industrializoheshin dhe kishin nevojë për më shumë qeverisje reale. Kështu që, në Europën e shekullit 19, mikro-shtetet u shkrinë e u bashkuan ndërsa perandoritë u ndanë.
Këta shtete-kombe të rinj justifikoheshin jo thjeshtë si eficientë ekonomikisht, por si përmbushje e fatit kombëtar të banorëve të tyre. Një sërë historianësh kanë konkluduar megjithatë se kanë qenë shtetet që kanë përcaktuar kombet e tyre respektivë, dhe jo e kundërta.
Franca, për shembull, nuk ka qenë shprehja e natyrshme e një kombi francez që kish ekzistuar më herët. Në revolucionin e 1789, gjysma e banorëve të saj nuk flisnin frëngjisht. Në vitin 1860, kur u bashkua Italia, vetëm 2.5% e banorëve flisnin rregullisht italishte standarte. Udhëheqësit e saj i flisnin frëngjisht njëri-tjetrit. Njëri prej tyre madje tha atë shprehjen e famshme që, pasi kishin krijuar Italinë, tani duhej të krijonin italianët – një proces që shumëkush mendon se vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Sociologu Sinisha Malesheviç i Universitetit të Dublinit në Irlandë beson se ky “shtetndërtim” ka qenë një hap kyç në evolucionin e shteteve-kombe modernë. Ai kërkonte krijimin e një ideologjie nacionalizmi që e barazonte emocionalisht kombin me rrethin e familjes dhe miqve të njerëzve.
Kjo, nga ana tjetër, mbështetej fort në teknologjitë e komunikimit masiv. Në një analizë me shumë ndikim, Benedict Anderson i Cornell University në Nju Jork i përshkruante kombet si komunitete “të imagjinuar”: ata janë shumë më tepër se sa rrathët tanë më të afërt dhe ne nuk do i takojmë asnjëherë të gjithë, megjithatë njerëzit do të vdisnin për kombin e tyre ashtu si do të bënin për familjen.
Ndjenja të tilla nacionaliste, argumentonte ai, pasi librat në tregun masiv standartizuan gjuhën e folur dhe krijuan komunitete gjuhësorë. Gazetat mundësuan që njerëzit të mësonin për ngjarje me interes të përbashkët, duke krijuar një komunitet të madh “horizontal”, që më herët kish qenë i pamundur. Identiteti kombëtar u nxit qëllimisht edhe prej arsimit në masë të financuar prej shteteve.
Faktori kyç që vinte në lëvizje këtë proces ideologjik, thotë Malesheviç, ishte në fakt strukturor: zhvillimi i burokracive me shtrirje të gjerë që nevojiteshin për të qeverisur shoqëri shumë komplekse. Për shembull, thotë Breuilly, në vitet 1880 Prusia u bë qeveria e parë që bënte pagesa për papunësinë. Fillimisht këto paguheshin në fshatin e lindjes së një punëtori, ku identifikimi nuk ishte problem. Teksa njerëzit nisën të migrojnë për të gjetur punë, pagesat nisën të bëhen kudo në Prusi. “Pikërisht atëherë u duhej të përcaktonin se kush ishte një Prusian”, thotë ai, dhe për ta bërë kishin nevojë për burokracinë. Prej këtu erdhën dokumentat e nënshtetësisë, censuset dhe kufijtë e kontrolluar me policë.
Kjo solli një fryrje të strukturave të kontrollit, me më shumë shtresa të menaxhimit të mesëm. Pikërisht kjo burokraci ishte elementi që bashkoi njerëzit në njësi me madhësi kombesh, argumenton Malesheviç. Por jo me projekt: gjithçka erdhi e u zhvillua prej sjelljes së sistemeve hierarkikë kompleksë. Teksa njerëzit bëjnë gjithnjë e më shumë lloje aktivitetesh, thotë Bar-Yam, struktura e kontrollit e shoqërisë së tyre bëhet pashmangshmërisht më e dendur.
Në shtetin-komb, kjo përkthehet në më shumë burokratë për frymë. Të qënurit të lidhur pas një kontrolli kaq të fortë burokratik i nxiti njerëzit që të ndiejnë edhe lidhje personale me shtetin, sidomos në një kohë kur lidhjet me kishën dhe fshatin erdhën duke u dobësuar. Teksa qeveria ushtronte gjithnjë e më shumë kontroll, njerëzit përftuan në këmbim më shumë të drejta, si ajo e votimit. Për herë të parë, njerëzit ndien se shteti ishte i tyri. /New Scientist/
FUNDI I PJESES SE PARE. VIJON NESER
PERSHTATUR NE SHQIP NGA: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button