Sekretari i Shtetit John Kerry ka deklaruar gjatë një interviste për “Cbs” se “ka shumë mundësi” që rusët dhe kinezët janë duke i lexuar email-et e tij. Kohët e fundit, mediat amerikane kanë raportuar për disa sulme të “hacker”-ëve rusë dhe kinezë në postat elektronike të zyrtarëve të administratës Obama. Prandaj, gjatë pyetjes së gazetarit, nëse Kerry mendon se janë duke iu lexuar email-et nga rusët dhe kinezët, ai ka dhënë këtë përgjigje. “Ka shumë mundësi. Ata kanë cenuar një numër interesash amerikane gjatë ditëve të shkuara. Gjithsesi unë e di se çfarë shkruaj në email-e”, u shpreh Kerry. Megjithatë, Sekretari i Shtetit është shprehur se Shtëpia e Bardhë nuk është duke u kursyer aspak kur vjen puna te siguria kibernetike, duke shpenzuar miliona “ashtu siç po bëjnë të gjithë” sipas tij, ndërsa ka paralajmëruar se spiunazhi kibernetik mund të ngrihet si çështje për diskutim edhe në nivele të larta./TCH
1 minute read