Analiza

Këto nuk janë kohët më të këqia

Fareed Zakaria

Bota e sotme është e paparashikueshme, por ajo as nuk krahasohet me rreziqet gjeopolitikë që kanë ekzistuar për dekada të tëra gjatë Luftës së Ftohtë, për të mos folur për periudhën para saj. Gjithësesi, ia vlen që të kuptohet se çfarë po e prodhon mungesën e stabilitetit sot.

KOhwt mw tw kwqiaBota të duket një rrëmujë e vërtetë këto kohë, dhe ky mund të jetë një shans i mirë për të ekzaminuar forcat e mëdha që prodhojnë trazirën. Por në Uashington, sigurisht, shndërrohet në një tjetër shans për partitizma. “Unë besoj se gjërat që po shohim në botë sot, domethënë më shumë trazirë se sa në gjithë jetën time, janë një rezultat direkt i mungesës së lidershipit të Amerikës”, deklaroi Senatori John McCain fundjavën që kaloi në CNN.

Vërtetë? McCain ka patur një jetë të gjatë dhe të spikatur, dhe unë jam i sigurtë që ai e mban mend se çfarë ka ndodhur, për shembull, në vitin 1973, kur ai bashkë me 590 të tjerë u liruan nga burgu në Vietnam. Atë vit, vetëm në Vietnam, disa qindra-mijëra vetë gjetën vdekjen si pasojë e luftës.

Dhe kjo nuk përfshin dhjetëra-mijërat që vdiqën në luftën e Yom Kippurit, edhe ata në vitin 1973. Pasoja e asaj lufte ishte që, si kundërpërgjigje ndaj përfshirjes së Amerikës, vendet kryesorë prodhues të naftës shpallën një embargo nafte ndaj SHBA dhe aleatëve më të ngushtë të saj. Brenda një viti, çmimi i naftës ishte katërfishuar dhe bota e industrializuar u zhyt në një krizë të thellë ekonomike, duke e humbur një herë e përgjithmonë aksesin në energjinë e lirë nga Lindja e Mesme.

E gjithë kjo ndodhi nën hijen e një lufte të mundshme bërthamore. Superfuqitë kishin pothuajse 45 mijë armë bërthamore, që ia kishin drejtuar njëra-tjetrës. Gjatë luftës së Yom Kippurit, forcat e SHBA ishin në gatishmëri të lartë – DEFCON 3. E vetmja herë kur ishin vënë në një nivel më të lartë gatishmërie, DEFCON 2, kish qenë gjatë krizës së raketave në Kubë.

Mund të kisha përzgjedhur 1956-ën, vitin kur Bashkimi Sovjetik shtypi brutalisht kryengritjen në Hungari, kur kontrolli i Vietnamit nga Franca mori fund, kur britanikët dhe izraelitët organizuan një pushtim të dështuar të Egjiptit, dhe tensionet kino-amerikanë për Taivanin vazhduan të shtohen, tensione që vetëm disa vite më herët e kishin shtyrë Uashingtonin të mendonte përdorimin e armëve bërthamore.

Bota e sotme është e paparashikueshme, por ajo as nuk krahasohet me rreziqet gjeopolitikë që kanë ekzistuar për dekada të tëra gjatë Luftës së Ftohtë, për të mos folur për periudhën para saj. Gjithësesi, ia vlen që të kuptohet se çfarë po e prodhon mungesën e stabilitetit sot.

Në Europën Lindore, faktori kyç që vë në lëvizje ngjarjet është se populli ukrainas ka vendosur që nuk dëshiron të jetojë nën kontrollin e Kremlinit. Kjo gjë ka shkaktuar tensione, por kjo ndodh sepse njerëzit duan pavarësi reale nga një sistem i vjetër imperial. Ky është zhvillim pozitiv, sado që e ndërlikon jetën.

Në Azinë Lindore, po bëhemi dëshmitarë të një prej rrëfimeve më të vjetër të historisë, ngjitjen e një fuqie të madhe. A është vërtetë kaq e habitshme që Kina, ekonomia e dytë më e madhe e botës, po kërkon më shumë influencë politike në rajonin e vet?

Në të dy këta raste, administrata Obama i ka menaxhuar relativisht mirë sfidat, duke kundërvepruar në një mënyrë të kujdesshme por të vendosur, duke bashkërenduar politikat me aleatët dhe garantuar që tensionet të mos dalin nga kontrolli dhe të shndërrohen në konflikte aktivë.

Ka qenë më pak i suksesshëm sa i përket situatës së Lindjes së Mesme, zona me trazirat më të mëdha. Siç na e kujton lufta e Yom Kippurit, ky nuk është fenomen i ri. Zbigniev Brzezinski fliste për “harkun e paqëndrueshmërisë” gjatë viteve 1970, i cili ngjan shumë me zonën e trazirave sot. Lufta Iran-Irak shkaktoi më shumë se gjysmë milioni viktima në vitet 1980. Dhe ka patur edhe dy luftëra të kryesuara nga SHBA kundër Irakut, pushtimi i Libanit nga Izraeli, dy intifada e kështu me radhë.

Forcat që krijojnë paqëndrueshmërinë e sotme janë më të thella se më parë. Rendi i vjetër i Lindjes së Mesme ishte ngritur mbi dy fakte të lidhur mes tyre – mbështetjen e superfuqive dhe diktaturat shtypëse. Të dyja janë dobësuar dhe, si rezultat, forcat që për një kohë të gjatë ishin shtypur – të islamit, etnisë dhe demokracisë – po dalin në sipërfaqe. Eshtë marrëzi të mendosh që Uashingtoni mundet ta stabilizojë këtë situatë, gjë që na e kanë treguar shumë mirë edhe eksperiencat e tij të gjata dhe të kushtueshme në Afganistan dhe Irak.

Pavarësisht gjithë problemeve, le të mos harrojmë se sot jetojmë në një botë me më pak rreziqe. Lufta bërthamore as nuk çohet nëpër mend. Arsenalet bërthamorë ruso-amerikanë janë në një të pestën e madhësisë që ishin në 1973-shin dhe në një nivel shumë më të ulët gatishmërie. Në vitin 1973, Freedom House publikoi raportin e saj të parë të të drejtave politike përreth botës. Në atë kohë, vendet që renditeshin si “jo të lirë” ishin më të shumtë në numër se sa vendet “e lirë”. Sot ky raport është përmbysur, teksa numri i vendeve “të lirë” është dyfishuar. Tregjet e hapur, tregtia dhe udhëtimet kanë lulëzuar, duke lejuar qindra miliona njerëz të dalin nga varfëria dhe të jetojnë jetë më të mira.

Sigurisht, ka kriza, probleme dhe tensione përreth botës. Por askush që ka njohuri për historinë nuk do të donte të shkonte pas në kohë, në kërkim të një bote me më pak trazira. /Washington Post/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button