Analiza

“Këtu nuk ka përse!”. Ora Zero për arabët

Në një pasazh të famshëm të “Mbijetesë në Aushvic”, Primo Levi përmend një incident me mbërritjen në kampet nazistë të vdekjes që rrok shumë mirë pikëpjekjen e njerëzores me kundër-njerëzoren. Ai dhe të burgosur të tjerë italianë mbahen në një hangar, teksa presin të mësojnë fatin e tyre. Levi hedh sytë rrotull, në kërkim të ndonjë mjeti për t’i dhënë fund etjes: “I vura syrin një cope akulli të varur jashtë dritares, që nëse zgjasja dorën, mundesha ta kapja. Hapa dritaren dhe theva akullin, por në çast, një rojë trupmadh që ruante përjashtë ma mori nga dora brutalisht. “Warum?” (Përse?) e pyeta me gjermanishten time të çalë. “Hier ist kein warum!” (Këtu nuk ka përse!) u përgjigj ai, duke më shtyrë brenda me një të goditur

Roger Cohen

isis-tank

Në një pasazh të famshëm të “Mbijetesë në Aushvic”, Primo Levi përmend një incident me mbërritjen në kampet nazistë të vdekjes që rrok shumë mirë pikëpjekjen e njerëzores me kundër-njerëzoren. Ai dhe të burgosur të tjerë italianë mbahen në një hangar, teksa presin të mësojnë fatin e tyre. Levi hedh sytë rrotull, në kërkim të ndonjë mjeti për t’i dhënë fund etjes: “I vura syrin një cope akulli të varur jashtë dritares, që nëse zgjasja dorën, mundesha ta kapja. Hapa dritaren dhe theva akullin, por në çast, një rojë trupmadh që ruante përjashtë ma mori nga dora brutalisht. “Warum?” (Përse?) e pyeta me gjermanishten time të çalë. “Hier ist kein warum!” (Këtu nuk ka përse!) u përgjigj ai, duke më shtyrë brenda me një të goditur.
Këtu nuk ka përse. Kjo frazë më është kthyer vazhdimisht në mendje, që kur pashë një ekzekutor të organizatës që e quan veten Shteti Islamik, tek u priste kokën dy gazetarëve amerikanë dhe një punonjësi britanik. Të tre burrat ishin thyer prej kohës së gjatë në burgim. Ishin “tretur”, një gjë e tmerrshme për t’u parë. Sa herë duhet të kenë pyetur veten për “përse”-në e robërimit, poshtërimit dhe torturimit deri në momentin kur, një thikë e vogël, me një lëvizje të rrufeshme, ua ndau kokën nga trupi. Secili prej të treve vdiq i vetëm, ndryshe nga jazidët që u vranë në grup, ushtarët shiitë që u masakruan, gratë dhe fëmijët që u vranë gjatë përparimit të forcave të veshura me të zeza të ISIS-it përgjatë Irakut verior. Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i ISIS-it ka krijuar një kult të dhunës që e ka bërë eleminimin e të gjithë jobesimtarëve, gurin e themelit të një lëvizjeje, objektivi i shpallur të cilës është rikthimi i Kalifatit, por që për arsye të ekzistencës, ka vetë vrasjen.
Eshtë njerëzore të kërkosh arsyet. Ndoshta ngjitja e ISIS-it mund të shihet si momenti kulmor i pakënaqësisë disa dekadëshe të arabëve ndaj atij që e perceptojnë si dominim të Perëndimit, duke përftuar mbështetje nga i njëjti zemërim që i “dha forcë” Vëllazërisë Myslimane dhe Al Kaedës para tij. Ose si një shprehje e dështimit të shoqërive arabe. Ose si një reagim i armatosur i sunitëve ndaj pushtimit amerikan të Irakut, që solli edhe fuqizimin e shiitëve. Ndoshta është edhe një hakmarrje brutale për Abu Ghraibin dhe Guantanamon (ku, duhet thënë, ka patur një “përse” të vogël për të burgosur që janë mbajtur me vite, por të padënuar për asnjë krim). Ose është një përpjekje e mirëfinancuar e vehabizmit saudit, interpretuar në formën e tij më të drejtpërdrejtë. Mund të jetë dhe një alternativë për të rinjtë e pakënaqur myslimanë, ndaj boshllëkut moral të qytetërimit Perëndimor. Ose një provë e krizës së Islamit dhe lufta e pashmangshme “Tridhjetë Vjeçare” e degëve sunite dhe shiite të tij. Por mund të jetë thjeshtë edhe një thirrje për të rrëmbyer armët kundër Shteteve të Bashkuara, në po të njëjtën mënyrë si Kryqtarët e pafe u dëbuan prej Levantit.
E megjithatë, në fund të fundit, nuk ka një “përse” për barbarizmin e ISIS-it. Nuk ka përse në Raqqa. E liga mund të ketë dhe arsye; ata nuk kanë. Makineria naziste e vdekjes ishte unike. Na ndodh shpesh të dëgjojmë të përmendet me mendjelehtësi, duke nënvleftësuar vetë fenomenin dhe viktimat e tij. Por, mua më vuri në mendime pasthënia e Martin Amis, në romanin e tij të ri “Zona e interesit”, ku ai përpiqet të “hetojë” përse-në e Hitlerit dhe përmend si pasazhin e copës së akullit, ashtu si dhe një tjetër po nga Levi:  “Ndoshta nuk mund, dhe për më tepër, nuk duhet, ta kuptosh atë që ndodhi, sepse ta kuptosh është pothuajse si ta justifikosh. Të shpjegohem: ‘të kuptosh’ një propozim apo sjellje njerëzore do të thotë ta ‘nxësh’ atë, të kuptosh autorin, të vësh veten në vendin e tij, të identifikohesh me të’. Levi, duke iu referuar Hitlerit, Himmlerit dhe të tjerëve, vazhdon: “Ndoshta është e dëshirueshme që fjalët e tyre (dhe gjithashtu, fatkeqësisht, veprat e tyre) të mos jenë të kuptueshme për ne. Janë vepra dhe fjalë jonjerëzore, madje kundër-njerëzore”.
E gjendur përballë kundër-njerëzores, njerëzorja duhet të kundërgodasë. Në deklaratën e përbashkët të masakrave të Tetorit 1943, firmosur nga Churchilli, Rooevelti dhe Stalini, hebrenjtë nuk përmendeshin fare, ndonëse tashmë ishin vrarë në dhomat e gazit apo pushkatuar me miliona. Një mekanizëm mbrojtjeje ndaj të pakuptueshmes është të bësh sikur ajo nuk ekziston. “Lërjani arabëve, është rrëmuja e tyre, le ta pastrojnë vetë”, është një përgjigje e papërshtatshme sot, kur përmendet ISIS. Do të ishte e gabuara. Koalicioni i Obamës në luftën për të çrrënjosur ISIS-in mund të jetë jobindës, por pasiviteti ishte rruga e gabuar.
Sigurisht, Hitleri e shkatërroi Gjermaninë. Zemërimi i tij ishte i orientuar jashtë, por impakti përfundimtar u ndie brenda. Al-Baghdadi, me kalifatin e tij 1000-vjeçar vë në shënjestër Perëndimin, por në rrezik është një rend i kalbur arab dhe i cili duhet të gjejë një përgjigje ndaj ISIS-it dhe pakënaqësive të qytetarëve të vet. Kjo është Ora Zero e arabëve.
Edhe një gjë: Do të thoja se në këtë luftë, të gjithë mjetet janë të justifikueshëm. Bashkimi Sovjetik, një rival ideologjik, ishte një aleat kyç në mposhtjen e nazizmit. Eshtë e qartë se cili vend mund ta luajë sot këtë rol kundër ISIS-it. Quhet Iran. /NYT/
Përshtatur në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button