Kina sinjalizoi se do të blejë bonot e Greqisë kur Athina të zhvillojë ankandin e radhës. Ky vendim i Pekinit cilësohet si një mbështetje për një vend, që u godit financiarisht nga kriza e borxheve.
Por në anën tjetër, Kina dëshiron ta shndërrojë Greqinë në një portë të Europës për produktet kineze. Në vizitën tre ditore në Greqi, kryeministri i Kinës, Li Keqiang premtoi se vendi i tij do të jetë një investitor afatgjatë në bonot greke, edhe pse ai paralajmëroi se ekonomia globale vazhdon të jetë e pasigurtë. “Ekonomia kineze është nën presion, por po rritet me ritëm të qendrueshëm. Bashkëpunimi ynë me Athinën zyrtare shpresoj se do të thellohet në vitet në vijim, pasi për ne është një vend strategjik”, deklaroi Keqiang.
E shpëtuar me dy paketa ndihme nga ndërkombëtarët, Greqia shpreson se investimet kineze do të ndihmojnë në nxitjen e ekonomisë. Kina nga ana tjetër, e konsideron pozicionin gjeografik të Greqisë si një portë për Europën dhe Afrikën për shpërndarjen e produkteve kineze. “Asnjëherë nuk e kemi braktisur tregun grek të bonove, por përkundrazi kemi rritur sasinë e blerjeve”, shtoi kryeministri kinez. “Vullnetin e vendit tim e shpreha edhe gjatë takimit me kryeministrin Antonis Samaras. Kur Greqia të nxjerrë në shitje bono të reja, Kina do t’i blejë ato dhe do të jetë një investitor afatgjatë.
E nxitur nga yieldi në nivelin më të ulët në 4 vite e gjysëm dhe nga perspektivat për rritje të shpejtë ekonomike, Athina u rikthye në tregun e bonove në Prill të këtij viti, pas një përjashtimi 4-vjeçar. Gjithashtu, dy vendet nënshkruan marëveshje për tregtinë dhe investimet, me një vlerë prej 5 miliardë dollarë, duke përfshirë këtu edhe një bashkëpunim prej 1.2 miliard dollarë me firmën e energjisë së rinovueshme Terna Energy dhe 1.5 miliard me kompaninë e anijeve Costamare. Gjatë vizitës së tij, kryeministri kinez vizitoi edhe portin e Pireut, ku grupi kinez i anijeve, Cosco, kontrollon dy terminale dhe po përgatit një ofertë për privatizimin e këtij porti. Gjithashtu, firmat kineze kanë në plan të ndërtojnë një aeroport gjigand në ishullin e Kretës, që ka një pozicion shumë strategjik, midis Europës, Azisë dhe Afrikës. /scan-tv.com/