Nunc est Bibendum

Kinezë e japonezë po na “grabisin” whisky-n! Po pse s’duhet të “trembemi?

Whiskey-BannerPak ditë më parë, në një produksion televiziv të BBC 4 që inskenonte një të ardhme të afërt, post BE, titulluar ‘’The great European disaster’’, një mesoburrë që fluturonte me të bijën nga Londra për në Romë, i kërkonte stjuardesës një whisky kinez. Pse kjo zgjedhje? Ngaqë whisky kinez ishte kthyer në një trend, ai që e kërkonte ishte një i apasionuar i whisky-t kinez… apo sepse ky i fundit ishte thjesht më pak i kushtueshmi?

Kjo nuk lihej të kuptohej por më kujtoi se si dy-tri muaj më parë Jim Murray klasifikonte në vendin e parë të biblës së tij të whisky-t, whisky-n japonez Yamazaki, më specifikisht Yamazaki Single Malt Sherry Cask 2013 (besoj asnjë scotch single malt-dashës nuk hedh poshtë cilësinë e këtij produkti pavarësisht shijeve të secilit). U shkruajt për habitje e preokupim. Zhurmë e pajustifikuar. Pastaj kush do të ishte halli i skocezëve? Mos iu vidhej podiumi?

Apo whisky-dashësit në përgjithësi, shqetësoheshin se po të fusin hundët aziatikët nuk do të ishte mirë, se cilësia do cënohej. Si për të kthjelluar gjykimin e për të zgjeruar perspektivën, një gazetar skocez i preokupuar pak më gjerësisht, si për shëmbull për vendime të marra përtej detit e që prekin operacione biznesi kudo në botë, na sjell në vëmendje:

Edhe në vitin 2013 nëntë nga whisky-t e Suntory Liquors, fituan çmime në International Spirits Challenge 2013, për kategorinë “jo skotch”, një garë ndërkombëtare që mbahet në Mbretërinë e Bashkuar. Që pas medaljes së artë, për të parën herë për Yamazaki 12 Years Old në edicionin e vitit 2003, çmimet për whisky-t e Suntory-t nuk kanë munguar më asnjëherë.

Në fillim të vitit 2014, gjiganti japonez Suntory (sot zotëruesi i distilerisë Yamazaki) shpalosi vullnetin për blerjen e grupit amerikan Beam Inc, për 16 miliard $. Ky operacion na kujton edhe njëherë të gjithëve se në masë të konsiderueshme sektori i whiskey-it skocez, është sot i përqëndruar në shoqëritë me seli përtej oqeaneve. Grupi Suntory i cili në vitin 1989 bleu një pakicë aksionesh nga prodhuesi i distilateve Morrison Bowmore, në 1994 përfitoi në masën 100% pronësinë e distilerisë së njohur së tepërmi për Single malt-in e saj, Bowmore. Më tej akoma, Suntory ka bërë të tijët edhe Laphroaig, Teacher’s, një “blended” shumë i dashur në Indi, si edhe Ardmore single malt.

Sipas “Scotch Whisky Industry Review” të analystit Alan Gray, në vitin 2012 u shitën më se 200,000, kartona nëntëlitërshe Laphroaig-u e sa për Teacher’s, shitjet arritën në 2.1 million kartona.

Fatmirësisht, eksperienca e pronësisë përtej detit ndryshon nga tendenca e zakonshme e shoqërive multinacionale që fokusohen në shkurtimin e kostove bazë, në dëm të komuniteteve ku prodhimi është vendosur.

Suntory ka provuar tashmë se është një pronar i denjë i Morrison Bowmore me qasjen e tij afatgjatë e cila, fatkeqësisht, shpesh mungon në botën e sotme të korporatave. Morrison Bowmore është sot në rrugë të mbarë nën pronësinë japoneze, pasi Suntory ka investuar shumë në markat e tij të Scotch-it. Suntory gëzon pronësi private, pra nuk nxjerr aksione në bursë. Shpesh është më e lehtë për shoqëritë në pronësi krejt private të adoptojnë një qasje afatgjatë, për shkak se ata nuk janë të detyruar të konsiderojnë edhe dëshirat e investitorëve, zakonisht më tepër të orientuar nga rezultate të menjëherëshme.

Marrëveshja e kompanisë japoneze për të blerë të Beam Inc në pronësi private të kujton operacionin 601 milionësh (£), të vitit 1999 me anë të së cilit Edrington me bazë në Glasgow, bleu shoqërinë e listuar në bursë, Highland Distillers. Edrington dhe Suntory kanë një marrëdhënie të hershme e pozitive. Suntory zotëron 25% të aksioneve në The Macallan single malt, një prej markave kryesore Edrington-së e sipas Suntory-t dhe të nënshkruarit, Rolls Royce i scotch-it.

Gjatë një vizite në selinë qëndrore të Suntory-t në Tokyo në vitin 2010, historia e rritjes së Morrison Bowmore u theksua nga drejtuesit e kompanisë japoneze si një arritje e realizuar nën drejtimin e ekipit skocez të menaxhimit të udhëhequr prej vitit 2000 nga veterani i kësaj industrie, Mike Keiller, i cili u fokusua në marketimin single-malt të grupit, i cili përfshin edhe Auchentoshan, Glen Garioch dhe McClelland. Morrison Bowmore e braktisi tregun e paqëndrueshëm të whisky-t të hapur.

Sipas njërit prej stafit ekzekutiv të Suntory-t, në vitin 2010 Toshihiko Kumakura u ngjitën ne 164,000 kartona dymbëdhjetësh, nga 146,000 kartonët e shitur në 2008-ën. Në vitin 1990 ishin shitur gjithsej vetëm 21,000 kartonë. Sipas analistit Gray, shitjet e Bowmore për vitin 2012 ishin rreth 173,000 kartona.

Në mes pronarëve të tjerë të huaj të interesuar për whisky-in skocez, spikat edhe grupi francez Pernod Ricard, që ka shënuar një rekord mbresëlënës investimesh në Chivas Brothers, zotëruar prej tij. Rreth një vit më parë grupi lajmëroi edhe për një tjetër investim të madh, me qëllim rritjen e kapacitetit prodhues duke u përgatitur kështu t’i përgjigjet kërkesës globale, gjthnjë e në rritje, për whiskey.

Grupi francez i mallrave luksoze LVMH, apo shoqëria që qëndron mbrapa emrave si Louis Vuitton dhe Moet Hennessy, ka kohë që ka investuar shumë në single malts si Glenmorangie dhe Ardbeg. Edhe grupi Tailandez INVER House Distillers, pronar i single malt-it Old Pulteney, ka investuar tashmë në fushën e marketingut dhe të shpërndarjes ndërkombëtare.

E pra, ndërsa ështe e rëndësishme të përgëzohet një sukses si ai i Edringtonit, që është në pronësi të një Trusti bamirësie e që zotëron gjithashtu edhe The Famous Grouse, Highland Park, Cutty Sark si marka të saj, nuk ka se si mos të pranohet se shoqëritë e huaja kanë bërë shumë për t’i dhenë zhvillim të mëtejshëm sektorit të Scotch whiskey-it.

Suntory është një nga shembujt kryesorë. Nëse vizitoni distilerinë Yamazaki të grupit, e cila gjendet mes kryeqytetit Tokyo dhe Osakas, Hiroyoshi “Mike” Miyamoto, Drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Whiskey-it në Yamazaki Distillery, nuk do të mungojë së nënvizuari pasionin e shoqërisë për cilësinë. Grupi Suntory prej kohësh ka zakon të përdorë aktorë perëndimorë për promovimin e brandit te tij japonez, për atë që e mbajnë mend, këtë na e kujton edhe trillimi kinematografik Lost in Translation, ku aktori Bill Murray i lodhur e i hutuar nga orari i ndryshëm, e gjen veten konfuz nën drejtimin e një regjisori të ri japonez, modern e pak konvencional. Me sytë nga rezultatet e deritanishme të arritura nga Suntory, mund të thuhet se marka si Teacher’s Laphroig dhe Ardmore janë në duar të sigurta.

Globalizimi që çon në rritje të kërkesës për blended whisky (të na falin ata që e preferojnë) e për whisky plot karamel e ngjyrues, ku mungon vjetërimi i vërtetë, të rinjtë që qorrazi i qasen botës së whisky-t e që shtyjnë industritë të mbushin tregjet me produkte gjithnjë e më pak të rafinuara, janë kërcënimi i vërtetë për të bërit single malt. Ja këto, whisky-dashësit e stërvitur, nuk shohin me sy të mirë. Por shembulli japonez mbush me pozitivitet. Si për ruajtjen e standarteve ashtu edhe për hedhjen e hapave të rëndësishëm në krijimin e produkteve cilësore lidhur me territore të caktuara dhe me përbërësit kyç që këta ofrojnë.

Asnjë e keqe nuk i vjen pra whisky-t dhe të apasionuarve, nga kalimi i pronësisë në duart e shoqërive përtej detit – edhe pse me kinezët në fakt nuk i dihet – por nëqoftëse si në skenarin e fillimrreshtave, kinezët mendojnë se munden ata vetë të krijojnë e të hedhin në treg whisky të denjë, “Made in China”, më mirë t’u kujtojmë: “Jepi Çezarit atë që është e Çezarit…’’ Po japonezët e njohin dhe e ruajnë traditën e scotch-it përsëmbari, e pasi studuan atë pranë atyre që e bëjnë tradicionalisht, arritën të dalin ata vetë me një whisky që sipas z. Jim Murray, për 2014-n, s’paska rivalë. Të tilla histori nuk duhen të jenë shqetësuese, ato janë në fakt inkurajuese. Na rrisin gamën e produkteve tipike e genuine e na shtojnë mundësitë e shijimit.

E pastaj të paktën për të nënshkruarin, Yamazaki apo jo, japonez apo jo, për sa kohë nuk do të preket Macallan apo ndonjë tjetër ikonë skotch-i… rreziku s’është aspak real!

Andi Qinami/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button