Analiza

Kissinger: Putini nuk është Stalini (+ video)

Screen Shot 2014-11-07 at 8.54.18 PM

Konflikti në rritje mes Perëndimit dhe Rusisë sot nuk është i njëjtë me atë gjatë Luftës së Ftohtë, ka deklaruar Henry Kissinger për Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë këtë javë, gjatë një simpoziumi me rastin e 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.
Megjithëkëtë, ish Sekretari i Shtetit, i cili në moshën 91-vjeçare mbetet një zë i fortë dhe me ndikim në arenën e politikës së jashtme, tha se “jam shumë i shqetësuar për mënyrën si po evoluon situata, pasi nuk po sjell as paqe në Ukrainë, as stabilitet për sistemin ndërkombëtar”.
I pyetur nëse sheh paralele mes Stalinit dhe Putinit, Kissingeri u përgjigj: “Në fakt, jo… Unë nuk mendoj se Putini beson që sistemi i qeverisjes në Rusi është i papajtueshëm me sistemin e qeverisjes në Perëndim. Ai ndihet thellësisht i pakënaqur prej veprimeve të Perëndimit dhe reagon në një mënyrë që Pjetri i Madh do ta kishte kuptuar. Eshtë brutale. Por nuk mendoj se jemi përballë të njëjtit fenomen si Lufta e Ftohtë”.
Kissingeri, i cili ka qenë edhe këshilltar për sigurinë kombëtare i Presidentit Richard Nixon, ia vë fajin pjesërisht Perëndimit për konfliktin në Ukrainë: “Situata që u acarua përgjatë një periudhe prej disa muajsh, gjatë të cilëve unë mendoj se pala perëndimore nuk i kuptoi plotësisht pasojat e asaj që po ziente, dhe nuk i shfrytëzoi mundësitë që mund të kishin qenë të disponueshme për të biseduar në lidhje me problemin themelor, e që është marrëdhënia afatgjatë e Rusisë me Perëndimin”.
Megjithëkëtë, tha ai, komuniteti ndërkombëtar “nuk mund të pranojë propozimin që një shtet thjeshtë mund të shkëpusë një pjesë të një shteti tjetër. Thjeshtë aneksimi i një pjese territori është kundër sistemit ndërkombëtar si e perceptojmë ne”.
Rusia orkestroi ndarjen e Krimesë, një gadishull në Detin e Zi, në fillim të këtij viti. Qeveritë perëndimore akuzojnë Rusinë se po vazhdon të destabilizojë Ukrainën lindore duke mbështetur grupet separatistë që luftojnë kundër Kievit. Pak ditë më parë, separatistët ukrainas mbajtën zgjedhje në republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskit, teksa udhëheqësit pro Rusisë morën fitore të thella. Administrata Obama i dënoi zgjedhjet dhe tha se ato ishin një rrezik për armëpushimin e brishtë.
Rusia, nga ana tjetër, përgëzoi për zgjedhjet duke i quajtur një shprehje e “vullnetit të popullit të Ukrainës juglindore”.
Dyshime për sanksionet
Në lidhje me çështjen e sanksioneve që kanë ardhur si rezultat i krizës së Ukrainës, Kissingeri bëri një dallim me sanksionet ndaj Iranit. Sanksionet gjithnjë e më të shtrënguara ndaj Iranit kanë qenë të suksesshme, për arsye se SHBA ishin në gjendje të bashkonin afërsisht të gjithë komunitetin ndërkombëtar në këtë përpjekje dhe për arsye se sanksionet vunë në shënjestër industrinë bërthamore si një e tërë. Sanksionet kundër individëve rusë përreth Putinit janë një tjetër gjë. “Nuk më pëlqeu shumë ky koncept…”, tha ai. “Eshtë një sistem i keq për marrëdhëniet ndërkombëtare. Cfarë lloj sistemi ndërkombëtar ke, nëse çdo shtet do të ndëshkonte individë të shteteve të tjerë? Unë do të kisha zgjedhur një tjetër metodë për të bërë të qartë pakënaqësinë tonë ndaj Rusisë në lidhje me Ukrainë, tha ai.
Shqipëruar nga www.bota.al

Me poshte, video ne anglisht e intervistes:

https://www.youtube.com/watch?v=sZQTi2eropU

Leave a Reply

Back to top button