Analiza

Kjo është një luftë idesh

Screen Shot 2015-11-16 at 07.44.14

Bruno Tertrais

Volteri ka shkruajtur dikur një dramë me titullin “Fanatizmi…”, një satirë ku feja përdoret si vegël politike nga një udhëheqës cinik. Shënjestra e vërtetë ishte Kisha Katolike, dhe Volteri i kishte zët të gjithë fanatikët fetarë. Por kontributi i tij më i rëndësishëm në kulturën politike franceze, ishte respekti i tij për lirinë e shprehjes.

Të premten, një prej shënjestrave ishte Comptoir Voltaire. Shumica e sulmeve ndodhën në këtë lagje birgjeze-boheme, e cila të premteve është mishërimi i shkujdesjes dhe gëzimit të të jetuarit për francezët. Por është njëkohësisht edhe lagja e Charlie Hebdo, dhe marshimeve që pasuan sulmin e janarit. Në fakt, atentatorët e të premtes mbrëma ndoqën ngushtësisht itinerarin tradicional të pjesës më të madhe të demonstrimeve franceze, nga Place de la Republique deri tek Place de la Nation, përgjatë Bulevardit Voltaire. Në shënjestër u vu edhe Stade de France, ku zhvillohej një ndeshje miqësore mes Francës dhe Gjermanisë: vetë simboli dhe mishërimi i ripajtimit në Europë dhe lënies pas krahëve të luftës. Dhe një koncert rroku në Bataclan, një sallë shumëqëllimëshe, ku janë mbajtur shpesh edhe takime të komunitetit hebre.

Këto duhet të mjaftojnë, për ta bërë të qartë se në shënjestër, të premten mbrëma, ishte vetë identiteti dhe shpirti i Parisit, “kryeqyteti i gjërave të neveritshme dhe perversiteteve”, sipas Shtetit Islamik. Shumica e popullit francez u befasua kur panë që vendi i tyre super laik përshkruhej si ai “që mban flamurin e kryqit”, nga komunikata e ISIS. 

Politikat e Francës në Lindjen e Mesme janë një arsyetim dytësor për xhihadistët e armatosur. Presidenti Hollande e tha këtë në fjalimin e të shtunës në mëngjes: ne jemi në shënjestër, për shkak të asaj që jemi.

Hollande tha gjithashtu se Franca është “në luftë” – siç e ka thënë tashmë prej më shumë se një viti – kundër një “ushtrie” terroriste, një shprehje që deri më sot është përdorur vetëm disa herë nga ministri i Mbrojtjes. Ky është një largim i madh nga kritikat që francezët i bënin retorikës amerikane të pas 11 shtatorit. Por, kur gjërat bëhen personale, perspektiva ndryshon. Për shembull, shumica e francezëve nuk e dinë, ose nuk e mbajnë mend, se Jacques Chirac, një kritik i madh i “luftës kundër terrorizmit” dhe një prej kundërshtarëve kryesorë të pushtimit të Irakut, nuk e kishte problem të thoshte “Natyrshëm ne jemi në luftë” në vitin 1986 – kur, si Kryeministër, iu desh të përballet me një fushatë të madhe terrorizmi në Paris.

Kështu që, duhet të presim që Franca të dyfishojë përpjekjet për të luftuar xhihadizmin e armatosur në përgjithësi, dhe ISIS-in në veçanti. Megjithatë, ka pak mjete ushtarake që Parisi do të jetë në gjendje t’i kushtojë asaj lufte: shumica e tyre janë të përkushtuar ndaj kundërterrorizmit, nga bregu afrikan i Atlantikut deri në Eufrat. Ka gjasa që Franca do të kërkojë solidaritetin e aleatëve të saj në BE dhe NATO, duke bërë thirrje për zbatimin e klauzolave të traktatit që janë detyruese për aleatët, nëse ndonjëri prej tyre sulmohet. Në mënyrë të veçantë, ne do të kemi nevojë për më shumë ndarje informacionesh zbulimi nga miqtë tanë amerikanë, në Siri dhe Irak.

Disa do të kërkojnë edhe një operacion të bashkërenduar në Lindjen e Mesme – është një opsion i debatueshëm ky, por gjithësesi një fantazi sot, përderisa askush prej aleatëve dhe miqve tanë në rajon do të ishin të gatshëm të na ndiqnin në këtë pikë.

Të tjerë do të kërkojnë të rishikojmë politikat tona në Lindjen e Mesme. Zgjedhjet e bëra nga Franca në dekadën e kaluar kanë qenë të qarta: forco lidhjet tradicionale me Arabinë Saudite, mbështet shtetndërtimin në Liban, shkëputu me regjimin e Asadit, vazhdo të jesh syçelët me Iranin.

Eshtë një politikë legjitime. Nuk ka të bëjë me zgjedhjen mes botës sunite dhe shiite: vendi i dikurshëm laik që mishëron Volteri, nuk do t’ia dijë për të tilla prirje me bazë fetare. Ka të bëjë me vetëdijësimin që rendi i vjetër në Lindjen e Mesme ka marrë fund një herë e mirë, se qeveritë siriane dhe iraniane më shumë kanë shkaktuar telashe, se sa kanë ndërtuar stabilitet, dhe se Damasku, ashtu si dhe Bagdadi – dhe Teherani – kanë patur një rol në ngjitjen e ISIS-it gjatë dy viteve të fundit.

Cila është alternativa? Eshtë e vërtetë që zjarrfikësit nuk duhet të bëhen aleatë me zjarrvënësit. Megjithatë, nëse nuk do të kish patur operacion kundër ISIS, njolla e errët që ilustrion përparimin e tij në harta do të kishte mbuluar tashmë një hapësirë, nga Damasku në Bagdad. Dhe do të duhen vite për të sprapsur përparimin e tij.

Por komponenti ushtarak është vetëm një pjesë e kësaj panorame. Lufta do të fitohet në shtëpi. Eshtë një luftë idesh, e cila do të bëhet edhe më e shëmtuar në javët dhe muajt e ardhshëm: këtë herë, Marine Le Pen mund të jetë në pozicion më të mirë për të kapitalizuar mbi ngjarjet aktuale, se sa ishte pas uslmeve të janarit. Qeveria franceze nuk mund t’i kërkojë çdo të huaji, çdo pjesëtari të një komuniteti, që të jetë Volteri. Por ka ende një shans për të shpëtuar modelin tonë të integrimit, dhe për të qenë besnikë të idealeve të tij të tolerancës dhe lirisë.

The Guardian / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button