Analiza

Kjo Luftë e Ftohtë do të luftohet me Financën

lufta financiareHolger Zschäpitz

Rusia dhe Kina po luftojnë me një armë të fuqishme për t’i bërë ballë Perëndimit. Nuk është një sistem i ri raketor, apo një satelit për spiunazhin kibernetik – të dy kombet kanë nisur një sulm frontal ndaj forcës financiare të Perëndimit, për të arritur një fuqi të barabartë në tregje.

Deri tani, të dy këta vende kanë qenë të pafuqishëm përballë shteteve perëndimorë në këtë front. Që nga monedha kryesore (dollari) dhe transaksionet monetarë globalë me Visa dhe Mastercard, e deri tek agjencitë e fuqishme të rating-ut (vlerësimit), tregjet financiarë ecin të gjithë sipas orës së Perëndimit. Kundërvënia ndaj këtyre tregjeve është pjesë e rëndësishme e përpjekjes për t’u shndërruar në superfuqi politike dhe ushtarake.

Kështu Rusia dhe Kina kanë në plan të ndryshojnë status quo-në, duke krijuar agjencinë e tyre të vleresimit. Të dy shtetet kanë firmosur një marrëveshje për këtë qëllim. Si hap i parë, institucioni i ri do të vlerësojë projektet e investimeve të përbashkët, deklaroi Ministri rus i Financave, Anton Siluanov gjatë një vizite të kohëve të fundit në Kinë. Agjencia do të ndërtohet mbi modelet ekzistues. “Ideja jonë është që rating-u të jetë tërësisht apolitik”, thuhej në një deklaratë të nxjerrë nga Ministria e Financave.

Si Rusia, edhe Kina janë goditur prej tre agjencive të mëdha të vleresimit te kredimarrjes, “Standart&Poor’s”, “Moody’s” dhe “Fitch”, vlerësimet e të cilave dominojnë aktualisht tregjet financiarë. Agjencitë vlerësojnë aftësinë huamarrëse si për shtetet, ashtu edhe për kompanitë. Renditja e tyre luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e kushteve sipas të cilave mund të merren para hua në tregjet financiarë.

Moska e zbuloi kohët e fundit se sa shumë mund të kushtojë një vlerësim negativ. Agjencitë kryesore “S&P” dhe “Moody’s” e ulën vlerësimin për Rusinë, për shkak të krizës së Krimesë, dhe “Fitch” deklaroi se do të bënte të njëjtën gjë. Sipas “S&P”, vendi me sipërfaqen më të madhe në botë është vetëm një shkallë sipër zeros, dhe situata nuk është më e mirë me vlerësimet e dy agjencive të tjera.

Tregjet e aksioneve reaguan fuqimisht pas këtyre uljeve në vlerësim. Normat e interesit u rritën kaq shumë, saqë Moskës iu desh të heqë dorë nga planet për nxjerrjen e bonove të reja. Vlerësimi i ulur dëmtoi edhe rublën, si dhe aksionet në bursën e Moskës. Pas uljes së vlerësimit nga “S&P” në prill, Banka Qendrore e Rusisë u detyrua të ndërhyjë dhe u detyrua të rrisë normën e saj të interesit, për të frenuar largimin e investitorëve nga vendi.

Moska ka akuzuar se këto vlerësime të agjencive perëndimore janë të motivuar politikisht, dhe tani duke se po kundërgodet përmes këtij bashkëpunimi me Pekinin. Në fakt, edhe Kina është e pakënaqur me trajtimin që i kanë bërë agjencitë e mëdha perëndimore të vlerësimit dhe ka krijuar agjencinë e saj, Dagong, e cila tani pritet që të përfshihet në njësinë e re ruso-kineze.

Ka një dallim të dukshëm mes vlerësimeve të agjencive perëndimore dhe Dagongut. Ndërkohë që “Moody’s”, “Fitch” & Co i japin SHBA një vlerësim AAA (maksimumi), Dagongu e vlerëson me A-, domethënë gjashtë shkallë më poshtë.

Standarte të ndryshëm

Me Dagongun, Rusia dhe Kina kanë vlerësim shumë më të mirë: Pekini ka AAA, ndërsa Rusia një A, që e vendos atë dy shkallë më lartë se SHBA. Agjencitë perëndimore e vendosin Rusinë tre shkallë poshtë SHBA, dhe Kinën dy shkallë më poshtë.

Dagongu e bazon vlerësimin e vet mbi të dhëna më themelore, si raporti i borxhit ndaj GDP, ku si Kina edhe Rusia janë në pozicione shumë më të mirë se sa SHBA. Matur përkundrejt performancës ekonomike, detyrimet e Moskës nuk shkojnë as 13%. Kjo, sa i përket borxhit të përgjithshëm. Nëse përfshin edhe asetet rezervë nga fondet sovranë, ku shkojnë një pjesë e të ardhurave nga shitja e energjisë, atëherë i bie që Rusia të mos ketë fare borxhe. Raporti i borxhit të Kinës është 20%, ndërkohë që ai i superfuqisë më të madhe të globit është më shumë se 100%.

Por SHBA kanë monedhën kryesore të globit dhe mund të printojnë kartëmonedha sa herë të duan, qe të paguajnë borxhet. Dhe vendi i shanseve të pafundme ka një histori të mirë në kredimarrje, ndërkohë që Rusia ka një të kaluar ku spikat falimenti i vitit 1998. Veç kësaj, nën presidentin rus, Vladimir Putin, ka patur një rritje të largimit të kapitalit nga vendi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e kapitalit të larguar është 50 miliardë dollarë.

Agjencitë perëndimore të vlerësimit të aftësisë huamarëse përdorin kritere krejt të ndryshëm për vlerësimet e tyre, se sa Dagongu kinez. Mënyra si vepron Moody’s dhe të tjerat ka shkaktuar irritim edhe në Europë. Edhe Kontinenti i Vjetër donte të krijonte agjencinë e tij të vlerësimit. Por deri tani, asgjë nuk ka ndodhur.

Armë të tjera

Ndërtimi i një agjencie të re vlerësimi është një gjë, por pranimi nga ana e aktorëve të mëdhenj ekonomikë është krejt tjetër gjë. Sa kohë që bota e financës është e varur nga fjala e tre agjencive kryesore perëndimore, konkurenca do ta ketë shumë të vështirë. Dagongu ende nuk ka vënë këmbë brenda pragut – dhe kjo është diçka që si Rusia, edhe Kina do të duan ta ndryshojnë.

Krijimi i agjencisë së tyre është një tjetër hap për dy fuqitë e mëdha në luftën e tyre kundër epërsisë financiare të Perëndimit. Javët e fundit, të dy këta vende kanë paralajmëruar edhe masa të tjera.

Një prej tyre është krijimi i bankës së tyre të zhvillimit për të konkuruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, struktura e të cilit vazhdon të reflektojë botën perëndimore të pasluftës, ku vendet në zhvillim kishin shumë pak zë.

Po kështu, të dy vendet dëshirojnë të dobësojnë supremacinë e dollarit. Rusia po planifikon Unionin Ekonomik Euraziatik, ku rubla do të jetë monedha kryesore e tregtisë. Dhe Kina dëshiron një rol më të madh për juanin e saj në tregtinë e jashtme.

Të gjithë transaksionet financiarë në dollarë përgjithësisht menaxhohen nga bankat amerikane, dhe kështu bëhen pjesë e sferës perëndimore të influencës. Kjo vlen edhe për sistemet e pagesave që kontrollohen nga gjigandët amerikanë Visa dhe Mastercard. Gjatë krizës së Krimesë, kompanitë e kartave të kreditit ndërprenë pagesat për klientët e Bankës Rossiya dhe institucioneve të tjerë kredidhënës.

Edhe këtu Kremlini ka reaguar. Putini shpalli krijimin e një kompanie kombëtare për kartat e kreditit që synon të ndërtojë një sistem kombëtar pagesash. “Duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë”, tha ai.

Të gjithë këta veprime të kujtojnë garën e armatimit gjatë Luftës së Ftohtë: Rusia dhe Kina duket se po punojnë me zell për ndërtimin e kapaciteteve kundërsulmues në rast të ndonjë lufte totale financiare me Perëndimin. /Die Welt/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button