Analiza

KLIMA: Drejt rrugës pa kthim?!

Nga Stefan Fukart

Le Monde

warming

Të veprohet shpejt dhe fort, përndryshe ndryshimi klimatik do të shkaktojë gjithnjë e më tepër “efektet e përhapura, të rënda dhe të pakthyeshme”, në shoqëritë njerëzore dhe në ekosistemet.

Me këto fjalë të pazakonta e të forta grupi i ekspertëve ndërqeveritarë mbi evolucionin e klimës bëri publike në Kopenhagë, sintezën e raportit të tij të pestë, në prani të Ban Ki-moon.

Raporti që ne paraqesim është hartuar nga qindra shkencëtarë ndërkombëtarë dhe është më i ploti, që asnjëherë nuk është ndërmarrë për këtë temë, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Ai përmban tre mesazhe kyçe. Sëpari, influenca e njerëzve mbi klimën është e qartë, dhe kjo influencë rritet me shpejtësi. Më pas, ne duhet të veprojmë shpejt dhe në mënyrë deçizive nëqoftëse dëshirojmë të evitojmë pasoja shkatërrimtare. Dhe në fund, ne kemi mjetet të kufizojmë ndryshimin klimatik dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”. Që sot e tutje shtoi ai, “vendimarrësit duhet të marrin vendimet, sepse koha luan kundra nesh”.

Raporti i paraqitur bën një përmbledhje të tre kapitujve të botuara nga grupi i ekspertëve qysh në shtator të vitit 2013: i pari mbi gjëndjen klimatike, i dyti mbi impaktet dhe prekshmërinë e rajoneve të ndryshme të botës, dhe i treti mbi levat e veprimit ekonomik për të kufizuar ngrohjen klimatike.

Ai do të shërbejë si bazë shkencore dhe ekonomike për negociatat që do të zhvillohen në muajin dhjetor në Lima (Peru), pastaj në Paris në vitin 2015, ku do të mund të përfundohet me një marrëveshje detyruese për pakësimin e lëshimit të gazrave në nivel botëror.

PERMBAJTJA NE DIOKSID KARBONI, E PAPRECEDENTE

“Me këtë raport, mesazhi është më i saktë, më i fortë dhe niveli i besimit është shumë më i rëndësishëm se sa në vitin 2009. Injoranca nuk mund të jetë më një pretekst për mosveprim”, deklaroi Michel Jarraud, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike (OMM), nën patronazhin e së cilës është vendosur Grupi i ekspertëve. Brenda tridhjetë viteve, qeveritë dhe vendimarrësit në të gjitha nivelet, do të jenë përgjegjës të vendimeve që nuk do të merren tani, sepse njohuria është aty. Ne e dimë. Ne nuk kemi më falje në se nuk veprojmë”.

Sipas raportit, përmbajtja atmosferike në dioksid karboni (CO2), gaz kryesor me efekt serre i çliruar nga aktivitetet njerëzore, është e paprecedentë qysh prej të paktën tetëqindmijë vitesh. Temperatura e atmosferës së ulët tokësore është rritur me 0,85 °C qysh prej fundit të shekullit të XIX.

Niveli i oqeanëve është ngritur 19 centimetra, “çka tashmë është një sinjal alarmi në shumë rajone të botës”, deklaroi Rajendra Pachauri, presidenti i grupit të ekspertëve.

Sasia globale e borës dhe e akujve në sipërfaqen e Tokës ka rënë në shumicën e rajoneve të botës. “Efektet e ndryshimit klimatik janë ndjerë tashmë gjatë dekadave të fundit në të gjitha kontinentet dhe oqeanet”, shprehen në raportin e tyre shkencëtarët.

Për të ruajtur probabilitetin që të mbetet nën 2 °C të ngrohjes klimatike në raport me periudhën paraindustriale – pragu i rrezikut i aprovuar nga komuniteti ndërkombëtar në vitin 2009 – çlirimi në nivel botëror i gazrave me efekt serre duhet të jetë pakësuar nga 40 % deri në 70 % deri në vitin 2050, në raport me nivelin e tyre të vitit 2010. Pra Pachauri paralajmëron: “qysh prej vitit 2010, çlirimi i gazrave është rritur më shpejt se sa në dekadat e mëparshme”.

RREZIQE TE MEDHA PER SIGURINE USHQIMORE BOTERORE”      

Për të mbajtur stabilitetin klimatik të planetit, shkencëtarët e mbledhur nga Grupi i ekspertëve thonë se “nivelet e lëshimit të gazrave duhet të jenë afër zeros në vitin 2100, madje dhe nën” – domethënë që në mënyrë globale, sistemi ekonomik do të duhet të funksionojë duke thithur CO2 më tepër se sa duke e lëshuar atë, siç ndodh sot.

Një rritje e temperaturës mesatare përtej 4 °C, e kombinuar me një rritje të kërkesës për ushqimin, do të përfaqësonin rreziqe të mëdha për sigurinë ushqimore botërore”, vlerësojnë shkencëtarët.

Ka një mit, sipas së cilit aksioni klimatik do të kushtojë shumë shtrenjtë, ndërkohë që mos veprimi do të kushtojë shumë, shumë më shtrenjtë”, ka shpjeguar M. Pachauri. Në fakt, sipas simulimeve të kryera nga ekonomistët e mbledhur nga Grupi i ekspertëve, një politikë klimatike ambicioze, e bërë në nivel botëror dhe që lejojnë të qëndrohet në kufirin e 2 °C të ngrohjes klimatike, nuk do të mbyllej  nga një reduktim i vogël i rritjes. “Kjo korrespondon me një pakësim vjetor nga 0,04 % deri në 0,14 %, me si vlerë mesatare 0,06 %, në raport me një rritje të konsumit që përfshihet midis 1,6 % dhe 3 % në vit”, shkruajnë ekspertët.

Megjithatë këto vlerësime janë llogaritur pa marrë parasysh dëmet që pjesa e pa evitueshme e ngrohjes klimatike do të shkaktonte për ekonomitë. “Dhe sa më tepër ne presim, aq më tepër këto kosto do të jenë të rëndësishme”, u shpreh presidenti i grupit të ekspertëve. Edhe në rast politike klimatike shumë ambicioze, e ardhmja do të jetë ndofta më pak rozë se sa thuhet me 0,06 % të uljes së konsumit i llogaritur nga modelet ekonomike të Grupit të ekspertëve.

Krahas kësaj, ka shtuar M. Pachauri, përpjekjet për të realizuar objektivat nuk mund të bëhen “pa ndryshimin e stileve të jetës dhe sjelljes së njerëzve”. Në një deklaratë që nuk do t’i pëlqente industrive nxjerrëse, presidenti i Grupit të ekspertëve shtoi gjithashtu se “të trajtosh çështjen e ndryshimit klimatik nuk do të jetë e mundur nëqoftëse agjentët ekonomikë vënë secili përpara interesat e tyre në mënyrë të pavarur: Kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit”.

Pergatiti: S. Metani / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button