Ekonomi

Koha për ndryshim në FMN

Screen Shot 2015-07-09 at 18.54.33Nga David Singh Grewal

Kriza greke e ka bërë në mënyrë të dhimbshme të qartë, se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka nevojë për ndryshime në kupolën e tij drejtuese – dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin pozitën e saj të privilegjuar si kontribuesi më i madh i FMN-së, për të insistuar në këtë reformim.

Gjatë muajit të fundit të negociatave me qeverinë greke mbi borxhin, drejtoresha e FMN-së, politikania franceze Christine Lagarde, ka ndjekur një axhendë aq të ashpër, sa edhe vetë ekonomistët e stafit të saj e cilësojnë të dëmshme. Të enjten e kaluar, megjithë kundërshtimin e evropianëve, por me mbështetjen amerikane, FMN-ja publikoi ​​një vlerësim të krizës greke, një draft mbi analizën e qëndrueshmërisë së borxhit grek, që tregonte se kursimet e mëtejshme, do të dëmtonin aftësinë e Greqisë për t’iu rikthyer rritjes ekonomike.

Publikimi i raportit të kontestuar, zbuloi një shtëpi të përçarë, me stafin e FMN-së kritik ndaj axhendës, ndaj së cilë Lagarde ka qenë një zëdhënëse kryesore. Edhe njeherë, Lagarde ka qenë këmbëngulëse tek negociatat me qeverinë aktuale greke, ndoshta më skiftere në gjirin e “Trojkës” që përfaqëson kreditorët e Greqisë – FMN, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane. Rezultati befasues, ishte se Greqia u shty javën e shkuar në “pamundësi për të paguar borxhin” me FMN-në, një term i sjellshëm për falimentimin.

Dështimi i Greqisë për të paguar këstin e rradhës të borxhin të saj ndaj FMN-së, përbën herën e parë në historinë e institucionit që një vend i zhvilluar dështon. Ky nuk është vetëm problemi i Greqisë. Kriza e borxhit dhe dështimi për ta paguar atë, janë gjithmonë produkt i përbashkët i huadhënësit dhe huamarrësit.

FMN-ja është projektuar për të ndihmuar shmangien e këtij fenomeni, duke shërbyer si huadhënësi i fundit global. Por nën udhëheqjen e Lagarde, fondi është bërë pjesë e problemit, duke e rënduar krizën ekonomike në Greqi – me rezultatin e parashikueshëm të referendumit grek, kundër masave të mëtejshme shtrënguese.

Ashtu si shumë anëtarë të tjerë të elitës qeveritare evropiane, Lagarde ka lënë të kuptohet se qëllimi i saj me këtë linjë të ashpër, ishte ndryshimi i regjimit në Athinë:zëvendësimi i qeverisë aktuale greke, të zgjedhur nga populli me një tjetër. Sigurisht, kjo gjë nuk është përcaktuar në mandatin e saj si drejtuese e një institucioni ndërkombëtar, të ngarkuar me sigurimin e ndihmës financiare dhe këshillave teknike për anëtarët e saj.

Në fakt, në ndjekjen e kësaj axhende, Lagarde ka devijuar nga protokollet e vjetra të FMN, duke shpërfillur këshillat e ekspertëve të stafit të saj, dhe ndoshta ka shkelur vetë rregullat e FMN-së. Por ajo ka pasqyruar prioritetet e Lagarde, si ish-ministre franceze e financave, dhe një aleate e ngushtë dhe mike personale e ministrit gjerman të financave, Volfgang Shojble.

Tani më shumë se kurrë, pasi referendumi i së djelës tregoi se një shumicë e madhe e grekëve i refuzon kushtet e Trojkës, Greqia ka nevojë për një partner të besueshëm dhe bujar në FMN. Ajo ka nevojë për të ripërtërirë bisedimet për ristrukturimin, dëshpërimisht të nevojshëm të borxhit, dhe të ketë një gamë sa më të mirë opsionesh për t’i vënë në tryezë, në mënyrë që të risjellë rimëkëmbjen ekonomike, qoftë brenda apo jashtë eurozonës.

FMN-ja është e pozicionuar mirë si partner negociator, pasi si Komisioni Evropian ashtu edhe Banka Qëndrore Evropiane, kanë mandate të kufizuara dhe detyra më të ngutshme që orientojnë pozitat e tyre. Por nuk ka asnjë arsye për të menduar se një gje e tillë do të ndodhë, për aq kohë sa Lagarde mbetet në krye të FMN-së.

Besueshmëria e Lagarde, ishte dëmtuar që përpara se kriza greke të bëhej akute. Ajo ka qenë e njollosur nga skandali i vazhdueshëm, para marrjes së drejtimit të FMN-së, kur ajo dyshohej se kishte ndihmuar në vendosjen e një çmim të madhi në arbitrazhin ndërkombëtar, në favor të një biznesmeni me të cilin kishte lidhje politike.

Megjithatë përtej të kaluarës së saj problematike, trajtimi që ajo i ka bërë krizën greke, mjafton që Lagarde të largohet nga ajo detyrë. Ajo ka dëshmuar, se nuk ishte në gjendje apo e gatshme për ta drejtuar FMN si një institucion ndërkombëtar dhe të ngarkuar me një mision global. Përkundrazi e shndërroi atë institucion, në një shërbëtor të qëllimeve të Brukselit dhe Berlinit.

Mandati i Lagarde skadon vitin e ardhshëm, dhe nuk duhet të rinovohet. Por Greqia nuk mund të presë deri sa të vijë pasardhësi i saj. Trojka ka nevojë të gjejë mënyra të reja, për të falur borxhin grek dhe rivendosur rritjen ekonomike. Lagarde e ka treguar veten, se është një pengesë në këtë proces. Vështirësia për FMN – këtë vit apo tjetrin – do të jetë gjetja e një pasardhësi, që nuk e ndan paragjykimet e Lagarde. Tradicionalisht, FMN-ja është drejtuar nga një evropian, ndërkohë që institucioni simotër, Banka Botërore, nga një amerikan. Marrëveshja është e gjatë në kohë, dhe daton që në krijimin e këtyre institucioneve, si shtyllat e rendit ekonomik të pasluftës.

Nëse kjo ndarje tradicionale e punës brenda botës së Atlantikut të Veriut duhet të ruhet, FMN-ja do të duhet të gjejë një tjetër figurë nga Evropa për ta vendosur në krye. Dhe duket se çdo tjetër i  brendshëm nga elita financiare dhe qeveritare e kontinentit, do të ndajë opinionet e Lagarde – në mënyrë të veçantë, një prirje për të parë krizën e borxhit në Evropë, përmes një lenteje të ngushtë, të shqetësuar për fatin e euros, dhe tepër të ndjeshëm ndaj detyrimeve që përcakton Brukselit dhe Berlinit.

Në fakt, ishte kreditimi i jashtëzakonshëm për Greqinë nga ana e paraardhësit të Lagarde, politikanit francez Dominik Shtraus-Kahn në vitin 2010 – me justifikimin e nevojës së mbajtjes së Greqisë në euro, por pa ristrukturimin e borxhit – ai e që e shtyu Evropën në zgrip të humnerës ekonomike. Nuk duhet të vijohet në këtë mënyrë. Është koha që FMN-ja të drejtohet nga dikush nga jashtë Evropës, që do të përqëndrohet tek një axhendë më e gjerë e rritjes, zhvillimit, dhe kapitalit ndërkombëtar.

Në kohën e themelimit të FMN-së në vitin 1944, bota kishte shumë më pak shtete sesa ka tani. Shumica dërrmuese e vendeve të sotme afrikane dhe aziatike, ishin atëherë koloni evropiane, dhe anëtarët e bllokut sovjetik nuk ishin gati, ose të paaftë për t’iu bashkuar këtyre institucioneve të udhëhequra nga perëndimi. Ndarja e kontrollit të Bankës dhe Fondit mes amerikanëve dhe evropianëve, reflektonte realitetet gjeopolitike të asaj kohe. Por ajo nuk pasqyron realitetet e sotme gjeopolitike, dhe as të një FMN-je me 188 vende anëtare.

Kur Lagarde të largohet, Shtetet e Bashkuara duhet ta përdorën ndikimin e saj për të zgjedhur një drejtor të ri menaxhues, nga një prej shteteve të mëdha demokratike të botës në zhvillim, si India, Brazili, Indonezia, apo Afrika e Jugut. Një lider i tillë, do të mund të sjellë një perspektivë shumë të nevojshme, për një institucion tashmë të njollosur nga përçarjet brenda Evropës.

Në fakt, ndërsa shumë vende në zhvillim kanë vuajtur nën programet e mëhershme shtrënguese të FMN-së, dikush me një përvojë të dorës së parë ndaj krizës së borxhit, do të provohet të jetë veçanërisht i vlefshëm. Në fund të fundit, tragjedia greke nuk është as fillimi e as fundi i problemeve të Evropës, duke pasur parasysh gabimet strukturore, që bart projekti i tij i bashkimit monetar. Dy javë më parë, ndërsa përjashtoi mundësinë e dialogut të mëtejshëm me Greqinë, Lagarde është raportuar të ketë përqeshur me negociatat e mëtejshme, duke u shprehur se ato kërkojnë “persona të rritur në dhomë”. Ndoshta kjo duhet të fillojë nga vetë drejtuesi i FMN-së.

Shënim: David Singh Grewal është një profesor i asociuar në Yale Law School.

“Huffpost.com” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button