Analiza

KOMENT / A po shkojmë drejt rrëzimit të demokracisë?

STEIN RINGEN*

are we headingPrapa qeverisjeve jofunksionale, a është vetë demokracia duke u kalbur?

Në Athinën e lashtë, demokracisë iu deshën 250 vjet që të shpërbëhej. Ishte krijuar një formë krejt e re e qeverisjes, ku njerëzit vetëqeveriseshin. Ajo ishte një periudhë e mrekullueshme. Athina pati rritje në pasuri dhe kapacitete, luftoi sfidën e persëve, u shndërrua në fuqinë udhëheqësve të botës që njihej, dhe prodhoi thesare të arkitekturës, filozofisë e artit, që të verbojnë edhe sot e kësaj dite me shkëlqimin e tyre. Por, kur erdhën privilegjet, korrupsioni dhe drejtimi i keq, dritat u shuan…

Do të duhej të kalonin 2000 vjet përpara se demokracia të risillej në Kushtetutën e SHBA, tashmë si demokraci e përfaqësimit. Edhe një herë, qeverisja me mbështetjen popullore rezultoi një lëvizje e mencur. SHBA u rritën e u bënë fuqia kryesore e botës – ekonomikisht, kulturalisht dhe ushtarakisht. Në Europë, demokracitë zëvendësuan monarkitë autoritare, si dhe diktaturat fashiste dhe komuniste. Në dekadat e fundit, përhapja e demokracisë i ka shndërruar në pakicë ato pak autokraci që kanë mbetur.

Eksperimenti i dytë demokratik po i afrohet 250-vjetorit. Ka qenë po aq i suksesshëm sa i pari. Por leksioni nga Athina është që suksesi nuk ushqen suksesin. Demokracia nuk është e parazgjedhur. Eshtë një formë qeverisjeje që duhet krijuar me vendosmëri, dhe që do të shpërbëhet nëse nuk ushqehet. Në SHBA dhe Britani, demokracia po shpërbëhet, në një kohë kur ka nevojë të ushqehet me lidership. Nëse dritat fiken në demokracitë model, nuk do të qëndrojnë ndezur as gjetkë.

Nuk mjafton që qeveritë thjeshtë të jenë demokratike: Ato ose duhet të japin, ose të kalben. Në Britani, qeveria është gjithnjë e më joefektive. Konstitucionalisti Antony King e ka përshkruar në rënie, “nga rregulli” tek “rrëmuja” në më pak se 30 vite. Gjatë 10 viteve të qeverisjes laburiste, ky pohim u testua dhe u konfirmua. Në vitin 1997 u votua një qeveri e re, me një mandat dhe vendosmëri për të sprapsur pabarazinë Thatcher-iste. Iu dha i gjithë pushteti parlamentar që një qeveri mund të ëndërrojë, dhe përfitoi nga 10 vite rritje ekonomike të qëndrueshme. Por një qeveri e fortë u mposht prej një sistemi të dobët qeverisjeje. Ajo nuk ofroi asgjë nga ato që kishte pasur qëllim dhe e la Britaninë më të pabarabartë nga sa e kishte gjetur.

Qeveria tjetër, një koalicion i djathtë ka rezultuar njësoj e paaftë. Duhej të riparonte dëmet e krizës ekonomike por ka reaguar me mosveprim nda shkaqeve të krizës, në një sektor monopolistik të shërbimeve financiarë, si dhe me një seri masash shtrënguese që mbrojnë të privilegjuarit, në dëm të të varfërve. Edhe një herë, ka rënë në sy paaftësia dhe jo mungesa e vullnetit. Të dy qeveritë janë gjendur përballë përqëndrimeve të pushtetit ekonomik, që janë bërë tashmë të pamenaxhueshëm politikisht.

Ndërkohë, shëndeti i sistemit të SHBA është më keq se sa duket. Të tre degët e qeverisë duhet të ofrojnë përmes kontrollit dhe ekuilibrave. Por ekuilibrat janë bërë bllokadë, dhe SHBA nuk po merr qeverisjen që ka nevojë. Këtu shfaqet më hapur lidhja mes pabarazisë dhe paaftëisë. Pushteti është përthithur prej sistemit kushtetues dhe uzurpuar nga aktorë si për shembull PAC-set, think tanket, media dhe organizatat e lobimit.

Në epokën e politikës së shpenzimeve masivë, kandidatët varen nga sponsorët për të financuar fushata të përhershme. Kur paraja lejohet të “ikë” prej tregjeve, aty ku e ka vendin, drejt politikës, aty ku nuk ka punë të jetë, ata që e kontrollojnë fitojnë pushtet për të vendosur se cilët do të jenë kandidatët e suksesshëm – ata që dëshirojnë të financojnë – dhe cfarë këta duhet të vendosin sapo futen në zyra. Mbështetësit e pasur kanë të drejtë ta thonë dy herë fjalën e tyre për të influencuar politikën: një herë si votues, një herë si donatorë. Të tjerë kanë vetëm votën, një pushtet që sa vjen e zbehet teksa inflacioni politik e ul vlerën e tij. Eshtë keqkuptim të mendojmë që kandidatët rendin pas pararë. Eshtë paraja që rend pas kandidatëve.

Në Athinë, demokracia u shpërbë kur të pasurit u bënë super të pasur, refuzuan të luajnë sipas rregullave dhe minuan kështu sistemin e vendosur të qeverisjes. Në këtë pikë kanë mbërritur SHBA dhe Britania.

Pothuajse një shekull më parë, kur demokracia kapitaliste ishte në një krizë jo e pangjashme me këtë të sotmen, gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Louis Brandeis paralajmëroi: “Ne mund të kemi demokraci, ose mund të kemi pasuri të përqëndruar në duart e pak njerëzve, por nuk mund t’i kemi të dyja”. Demokracia e kaloi atë furtunë për dy arsye: Nuk është pabarazia si e tillë që e shkatërron demokracinë, por kombinimi mes pabarazisë dhe paligjshmërisë. Më tej, demokracia atëherë ishte në gjendje të mësonte prej krizës.

Leksioni nga Athina është se suksesi ushqen vetëkënaqësinë. Njerëzit, sidomos ata të privilegjuar, pushuan së kujdesuri dhe demokracia u neglizhua. Gjashtë vjet pas krizës ekonomike globale, shenjat nga demokracitë model janë që, ata me privilegje nuk janë në gjendje të kujdesen dhe që sistemet tanë nuk janë në gjendje të nxjerrin mësime. Kriza nisi në industritë e shërbimeve financiarë të dalë jashtë kontrolli në SHBA dhe Britani, por kontrolli nuk është rikthyer. Pabarazia ekonomike ka vijuar tek pabarazia politike, dhe kështu qeverisja demokratike është privuar nga pushteti dhe kapaciteti. Brandeis nuk gabohej: ishte shumë përpara kohës kur jetoi.

* Stein Ringen është Profesor Emeritur në Universitetin e Oksfordit dhe autor i “Kombi i djajve: Lidershipi demokratik dhe problemi i bindjes”

Leave a Reply

Back to top button