Analiza

KOMENT / Akti i Europës në tragjedinë e Ukrainës

Joschka Fischer

joshka fisherStrategjitë e mëdha politike dhe përvoja e përditshme shpesh herë kanë shumë të përbashkëta. Përpiquni, përshembull, të gëlltisni një sallam të tërë, dhe me shumë gjasa do të mbyteni për vdekje. Në botën e politikës së lartë, njerëzit nuk sillen ndryshe: ata e copëtojnë sallamin, përpara se ta konsumojnë. Nëse nuk e arrijnë një objektiv menjëherë, fillojnë dhe i qasen me durim, hap pas hapi.

Sot, Kremlini po zbaton këtë “taktikën” e sallamit ndaj Ukrainës. Para syve tanë, po shpaloset një tragjedi në disa akte, ku aktorët dhe qëllimet e tyre janë të qartë. Ajo që nuk dimë, është se sa akte të tjerë do të ketë ky spektakël i trishtë politik, e si pasojë kur – dhe si – do të marrë fund.

Akti i parë nisi në vjeshtën e vitit 2013, kur presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Janukoviç i ktheu shpinën Bashkimit Euriopian dhe udhëheqësve të tij, duke refuzuar të firmoste një marrëveshje asociimi që kishte kohë që planifikohej. Ai zgjodhi futjen e Ukrainës në një bashkim doganor me Rusinë, në këmbim të një mali me para si dhe naftës dhe gazit të lirë nga Rusia. U duk se presidenti rus, Vladimir Putin e kishte arritur objektivin e tij politik, që ishte afrimi i Ukrainës – pas një periudhe zhvendosjeje drejt Europës – sërish në sferën e influencës të Kremlinit.

Akti i dytë u vu në skenë nga populli i Ukrainës, i cili në perëndim të vendit dhe në sheshin Maidan në Kiev, u rebelua kundër Janukoviçit dhe përpjekjes së tij për të reshtuar vendin më pranë Rusisë. Pas tre muajsh protesta, rebelimi shkaktoi rrëzimin e Janukoviçit, duke nxjerrë përkohësisht nga binarët planin e Putinit për ta vasalizuar në mënyrë paqësore Ukrainën. Nuk ishte NATO, BE apo SHBA që vepruan për të ndalur zhvendosjen e Ukrainës drejt lindjes. Janukoviçi u dëbua nga një shumicë domethënëse e vetë ukrainasve.

Akti i tretë buroi prej situatës së brendshme politike të Putinit, dhe rezultoi në një zgjidhje të përkohshme, që shkaktoi pushtimin e maskuar keq, dhe më pas aneksimin e Krimesë nga Rusia. Pa aneksimin e Krimesë, Putini gjendej përballë një katastrofe të brendshme politike dhe një fundi të parakohshëm të ëndrrës së tij për rikthimin e “ëndrrës së bashkimit të tokave ruse”, që kish qenë dikur e Ivanit të Madh. Dhe bashkë me të, edhe të rikthimit të fuqisë globale të Rusisë.

Por objektivi i Putinit nuk ka qenë asnjëherë vetëm dhe thjeshtë kontrolli i Krimesë nga Rusia. Ai gjithmonë ka dashur të gjithë Ukrainën, sepse nuk i trembet asgjëje më shumë, se sa një fqinji të suksesshëm, demokratik, modern, që vetëm përmes shembullit dëmton autoritetin e “demokracisë së tij të kontrolluar”. Kështu, tani kemi mbërritur në aktin e katërt të tragjedisë, në të cilin Rusia përpiqet të gllabërojë Ukrainën lindore, dhe Perëndimi reagon.

Aneksimi i Ukrainës lindore – e si pasojë ndarja e vendit më dysh – përmes forcës ka shumë më pak mbështetje, edhe mes rusisht-folësve, se sa operacioni në Krime. Objektivi i ndërhyrjes së maskuar ushtarake të Rusisë atje është destabilizimi i Ukrainës, duke përdorur “trazira” të inskenuara nga Moska, për delegjitimimin e zgjedhjeve presidenciale të 25 majit, në një përpjekje për të parandaluar konsolidimin e rendit politik të pas Janukoviçit.

Detyra e Perëndimit është që ta stabilizojë Ukrainën me mjete ekonomikë dhe politikë, si dhe të frenojë ekspansionizmin e Rusisë. Nuk është habi që Kremlini po përpiqet ta bëjë çdo lloj reagimi të Perëndimit sa më të kushtueshëm dhe të parehatshëm që të mundet, duke zbatuar strategjinë e destabilizimit mu përpara syve tanë, hap pas hapi, me shpresën që një Europë e frustruar dhe Amerika, një ditë do të hedhin përdhe peshqirin.

Eshtë e kuptueshme që as Rusia dhe as Perëndimi nuk do i arrijnë plotësisht objektivat e tyre në Ukrainë. Kështu që, do të ishte e arsyeshme që të dy palët të përpiqeshin, bashkë me ukrainasit, për të pajtuar interesat e tyre. Por kjo do të kërkonte që Putini të braktiste ambiciet e tij strategjike, gjë që nuk do ta bëjë asnjëherë, sa kohë që do të mundet të vazhdojë të “copëtojë sallamin”.

Frenimi i thikës së Putinit dhe fundi i krizës së Ukrainës varet kryesisht nga BE. Sanksionet nuk do ta impresionojnë Putinin (ai dhe tarafi i tij po e izolojnë Rusinë ekonomikisht dhe financiarisht, në mënyrë shumë më efektive se sa sanksionet). Por, këtë mund ta bëjnë hapat politikë paqësorë, por të prekshëm nga Europa.

Kryeministri polak, Donald Tusk ka bërë sugjerimin e duhur: krijimin e menjëhershëm të një unioni energjetik europian, duke filluar me tregun e gazit natyror dhe duke përfshirë përfaqësim të jashtëm të përbashkët, si dhe një politikë të përbashkët të cmimeve. Ky hap, bashkë me diferencimin e mëtejshëm mes vendeve furnizues, si dhe progresi drejt implementimit të teknologjive të energjisë së rinovueshme, do të përmbysnin ekuilibrin e fuqisë mes BE dhe Kremlinit.

Nëse, në të njëjtën kohë, Polonia do të vendoste të hynte në euro në mundësinë më të parë që do i jepej, sfida e Putinit ndaj Europës lindore do të merrte një përgjigje të fortë dhe tërësisht paqësore. Dhe Polonia do të merrte rolin e një aktori madhor në qendër të një Europe gjithnjë e më të integruar.

Ka qenë Gjermania ajo që ka kundërshtuar kryesisht integrimin e tregjeve europianë të naftës dhe gazit natyror. Pas tragjedisë në Ukrainë, askush në Berlin nuk do të jetë në gjendje të mbrojë këtë qëndrim, sidomos duke parë që udhëheqësit e Gjermanisë nuk duan të konfrontohen me Rusinë përmes sanksioneve. Nuk do të ketë më vend për justifikime, për refuzimin e një unioni energjetik. Për të huazuar nga “Mburraveci” i Ezopit: Hic Rhodus, hic salta! Mjaft me fjalë, Europë. Tani na trego c’di të bësh! (Project Syndicate)

Leave a Reply

Back to top button