Analiza

KOMENT / Diejt e gushtit

Malaysia Airlines plane crashes in eastern UkraineMH17, lufta e Ukrainës dhe pasiviteti i Europës

Roger Cohen

Një shekull pas Luftës së Parë Botërore, askush nuk i do armët e gushtit.

Megjithatë, duhet pyetur, nëse pritja me vite të tërë për konkluzionet e hetimit zyrtar mbi fatin e Malaysia Airlines Flight 17, është më mirë se sa veprimi tani, mbi bazën e atyre që dimë: Që Boeingu 777 me 298 vetë në bord u rrëzua nga një raketë, e lëshuar prej një sistemi “Sa-11”, prodhim rus, nga një zonë e Ukrainës lindore e kontrolluar prej separatistëve të mbështetur nga Rusia, nga mercenarë rusë dhe agjentë rusë. Një fshatar ukrainas gjysmë i dehur, me një pushkë prodhim i viteve 1950, nuk mundet të rrëzojë një avion 12 mijë metra lart.

“Një sasi shumë e madhe provash”, sipas fjalëve të Sekretarit të Shtetit, John Kerry, na tregojnë për furnizimin dhe trainimin me sisteme Sa-11. Qeveria ukrainase ka prova fotografike dhe zanore për krimin. Në qershor, një avion transporti ukrainas që po ulej në atë zonë u godit me raketë, gjë që shkaktoi vdekjen e 49 personave. Këtë muaj, një tjetër avion transporti që fluturonte në 6700 metra lartësi, u godit nga një raketë. Nuk ka nevojë për shkencë raketash.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka luajtur me zjarrin. Irredentizmi i tij e ka bërë hero në Rusi. Por ka vënë në rrezik gjithë botën. Krimea ishte precedenti i këtij krimi. Rrëzimi i MH17 është një akt lufte. Ndoshta ka qenë i improvizuar aty për aty, por gjithësesi. Kufoma holandezësh kanë rënë nga qielli në fushat me luledielli dhe grurë të Ukrainës lindore, për t’u ndotur edhe në vdekje. 193 shpirtëra holandezësh të pafajshëm janë çnderuar prej banditëve të Republikës Popullore të Donetskut.

“Kjo është vrasje, vrasje në masë. Le ta quajmë ashtu siç është”, thotë Julian Lindley-French, një analist i mbrojtjes që jeton në qytetin e vogël holandez të Alphenit. “Këtu, tronditja po shndërrohet në zemërim”, më tha ai, “dhe ai zemërim do të gjejë jehonë në javët që do të vijnë. Ky është fillimi i një periudhe torture komplekse për Holandën”.

Reagimi i holandezëve ka qenë ai i thjeshtë “prekjes me putër” të Moskës. Sa për bashkimin Europian, ai ka qenë pothuajse joekzistent. Kur vijnë krizat, Europa zhduket – si fantazma që shket tutje. Perëndimi është shndërruar në një nocion të zbrazët. Holandezët bëjnë shumë tregti me Rusinë. Europa lundron në një fluskë pothuajse-pacifizmi. Më mirë të të keqtrajtojnë se sa të jesh luftëdashës. Askush nuk i do armët e gushtit.

“Rikthimi i shpejtë i kufomave të viktimave mbetet një domosdoshmëri absolute, si dhe prioriteti ynë maksimal”, tha në një deklaratë Mark Rutte, kryeministri holandez. “Jam i tronditur nga pamjet e një sjelljeje tërësisht jo respektuese në atë vend tragjik”. Ai bisedoi me Putinin për të shprehur zemërimin e tij.

Pak a shumë, kaq ishte. Trupat kalben nën diell për ditë të tëra. Ata janë futur në qese plastike, në vagonë frigoriferikë, në një stacion të mbushur me miza. Kutia e Zezë po trajtohet si diçka që duhet shitur shtrenjtë. Harbutët shkojnë të grabisin. Ekipet e hetimeve zyrtarë janë ndaluar tek perimetri. Putini tjerr fije të papranueshme, të mbështjella brenda formulave të kobshme zyrtare. Mohimi që ai bën është tërësisht i papranueshëm.

Një shkrimtar holandez, Sidney Vollmer, i dërgoi një letër të hidhur kryeministrit Rutte, duke e falënderuar që ka mbajtur lart moralin e holandezëve, për faktin “që nuk ka nxitur drejt një grupi trupash që kalben, teksa portofolët dhe iPhonet e tyre shkojnë drejt Moskës”. Sido që të jetë, “kufomat do të zhduken në mjergullën e luftës, dhe siç e dimë mirë të gjithë, na duhet Gazpromi”.

Pasitiviteti i holandezëve ka një emër: sindroma e Srebrenicës. Tani po shndërrohet në sindromë të Europës.

Kjo vrasje në masë është një mizori që nuk duhet injoruar. Ulja e buxheteve ushtarakë i kanë reduktuar shumë forcat speciale holandeze. Rusia do të vinte veton për çfarëdolloj Rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të autorizonte forcën për një mision të kufizuar për marrjen e trupave dhe provave. Por Ukraina, në territorin e të cilës janë mbetjet e avionit dhe trupave, do ta mbështeste. Qeveritë e SHBA, Britanisë dhe Australisë duhet të vendosin një ultimatum që të mbështetet në kërcënimin e besueshëm të forcës, ku të kërkojnë akses të pakushtëzuar në vendngjarje. Rusia e Putinit nuk duhet të lejohet të organizojë Kupën e Botës 2018. Një prioritet i Perëndimit duhet të jetë shndërrimi i ushtrisë ukrainase në një forcë të besueshme.

Nuk do të ndodhë. Europa është e dobët. Amerika e Obamës është vetëm në favor të shkurtimeve, jo vendosmërisë. Putini duhet zbutur. Askush nuk do të sfidojë bllofin e tij. Paqësuesit e Putinit kanë shumë argumenta. Dërgo forca në Ukrainë, dhe kështu do të vërtetosh tezën e Putinit se Perëndimi ka projekte për këtë vend. Plus, kush e do Luftën e Tretë Botërore?

Republika Popullore e Donetskut e sheh nga lartë poshtë Mark Rutten. Fushat e vdekjes së 1914-ës i lënë vendin fushave të vdekjes së 2014-ës. Lulet holandeze vazhdojnë të tregtohen përreth globit, një tregti ende e lulëzuar.

Një lexuese, Katherine Holden, më dërgoi një poemë me titull “Lulëzimi i vdekjes”. Ajo shkruan: “Gjethet e kadifejta dhe kërcyejt e papërkulur shndërrohen në varre të përkohshme për fëmijë, nëna, doktorë, mësues, etër, studentë, artistë, vëllezër e motra, që bien nga qielli i errësuar. Shiu i ushqyer me mish njeriu”.

Të gjithë i duan diejt e gushtit. Prioritet janë pushimet verore. Askush nuk i do armët. Pa mendoni sa shumë zbutje sjellin armët e mëdha. /IHT/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button