Analiza

KOMENT, DOMINIQUE MOISI / Putini i Madh

Nga Dominique Moisi

dominique moisiNjë ditë, në qytetet rusë mund të ngrihen monumente për Vladimir Putinin, me mbishkrimin: “Njeriu që i ktheu Krimenë Nënës Rusi”. Por ndoshta do të ngrihen monumente për të edhe në shumë sheshe europianë, ku presidenti rus mund të konsiderohet si “Babai i Europës së Bashkuar”. Në të vërtetë, lëvizja e beftë e Putinit për të aneksuar Krimenë ka bërë më shumë për harmonizimin e qëndrimeve të qeverive europiane në lidhje me Rusinë, se sa dhjetëra takime dypalësh apo shumëpalësh.

Në Berlin javën që kaloi, dëgjova elitat franceze dhe gjermane që flisnin me një zë, teksa diskutonin se si të përgjigjeshin ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Sigurisht, fjalët nuk janë vepra. Megjithatë, falë Putinit, Bashkimi Europian mund të ketë gjetur një narrativë dhe vrull të ri, të cilët po i kërkonte qysh nga koha e rënies së Murit të Berlinit.

Europës i duhej shumë ky vrull. E gjendur përballë dëshirës së një Rusie neo-imperiale për të rishikuar rendin e pasLuftës së Ftohtë në Europë, BE duhet të flasë me një zë të vetëm nëse dëshiron të shfaqet e fortë dhe e besueshme. Dhe duhet të flasë në një zë me SHBA, ashtu sic ka bërë gjatë Luftës së Ftohtë.

Nga ana e vet, edhe SHBA duket shumë e galvanizuar prej krizës në Ukrainë. Duket sikur njohja që amerikanët kanë me armikun e tyre të ri/të vjetër – një kundërshtar që ata e kuptojnë në një mënyrë që nuk u ndodh me afganët, arabët apo persët – ka ofruar një sens të ri qëllimi. Aleanca e demokracive është rikthyer, dhe ajo loja e thjeshtë e fjalëve, që Amerika vjen nga Marsi dhe Europa vjen nga Venusi nuk ka më kuptim. Të gjendura përballë një Rusie e cila vjen vërtetë nga Marsi dhe që duket se kupton dhe respekton vetëm forcën, vendosmëria e demokracive të botës duhet të mbizotërojë, e mbështetur mbi një unitet të bazuar mbi qëllimin, i cili ishte humbur në rastin e Irakut dhe Afganistanit.

Teksa ngjarjet kanë marrë rrugën e tyre në Ukrainë, analogjitë historike janë shumëfishuar. Sipas disave, ne jemi në vitin 1914, në prag të një lufte botërore që pak e duan, por që askush nuk mund ta parandalojë. Ose jemi në vitin 1938, pas aneksimit të Sudetenlandit nga nazistët gjermanë, të gjendur përballë një agresori që nuk zbutet. Ose jemi në vitin 1945, në pragun e një lufte të ftohtë disadekadëshe. Mund të jemi edhe në vitin 1991, në mesin e shpërthimit të Jugosllavisë, duke parë një shoqëri shumëetnike që ndahet në kampe ndërluftues. Ose mund të jemi në gushtin e 2008-ës, në Gjeorgji, kur Rusia e Putinit ribëri hartën me forcë, për herë të parë.

Të gjithë këto analogji përmbajnë një element të të vërtetës, ndonëse asnjëra nuk gjen zbatim perfekt. Por për të kuptuar sjelljen aktuale të Putinit, një tjetër analogji është ndoshta më e rëndësishme. Lufta e Krimesë e 1853-56, ku gjetën vdekjen më shumë se 800 mijë trupa, përfshirë 250 mijë rusë.

Preteksti për luftën, e cila vuri përballë rusët e udhëhequr nga Car Nikolla I dhe britanikët, francezët e otomanët, ishte përgjegjësia e vetëshpallur e Rusisë për të mbrojtur vendet e shenjtë të Jeruzalemit. Mbretërimi i Nikollës kombinonte ambiciet imperiale me prirjet fetare (të drejtuara kundër perandorisë otomane dhe Kishës Katolike), dhe humbja e Rusisë ishte e lavdishme. Gjatë rrethimit të gjatë të Sevastopulit, më shumë se 120 mijë ushtarë rusë humbën jetën. Lev Tolstoi, që mori pjesë në luftë, e pati si burim frymëzimi për romanin “Lufta dhe Paqja”.

Putini dikur vetëprezantohej si trashëgimtari politik i Pjetrit të Madh. Por ai mund të mbahet mend si një Nikollë I i dytë (portretin e të cilit e mban varur në zyrë): një car ultrakonservator i cili qëndroi shumë gjatë në pushtet dhe humbi kontaktin me realitetin. Me një kombinim të nacionalizmit, ortodoksisë dhe zakoneve mendorë të epokës së KGB-së, Putini përbën një përzierje shpërthyese që duhet menaxhuar me kujdes, por mbi të gjitha me vendosmëri.

Kjo nënkupton nevojën për të mbështetur Ukrainën politikisht dhe ekonomikisht. Zgjedhjet e përgjithshme në 25 maj nuk duhet të ndodhin sic është në plan, por nën kushtet më të mira të mundshme, edhe pse Putini do bëjë të pamundurën për t’i dëmtuar. Shmangia e këtij rezultati kërkon një frenim të partive të ekstremit të djathtë në Ukrainë, shovinizmi antirus i të cilave, i bën ato aleatët më të ngushtë të Putinit në acarimin e konfliktit.

Sanksionet kundër Rusisë, si përshembull përjashtimi i saj nga G8, apo kundër aleatëve më të ngushtë të Putinit nuk do të mjaftojnë. Qëllimi duhet të jetë që të bindet Putini, se Europa (përfshirë Italinë dhe Gjermaninë) ka alternativa ndaj gazit dhe naftës së Rusisë: Nigeria dhe Brazili, për shembull, për të mos përmendur mundësinë e energjisë së importuar nga SHBA. Në të vërtetë, Putini mund t’i ketë dhënë Europës një shans të papritur për të krijuar një politikë të përbashkët energjetike, një politikë që në terma afatgjatë do të jetë më racionale dhe me më pak kosto.

Sigurisht, rivlerësimi afatgjatë i marrëdhënieve ndërkombëtare që i duhet tani Europës do të ketë një kosto. Do të duhet të bëhen sakrifica. Por në këtë lojë fërkimi, Rusia despotike ka më shumë për të humbur se sa Europa demokratike. Një gjë është e sigurtë: Putini nuk u ndal me Gjeorgjinë dhe ai nuk do të ndalet me Krimenë. Nëse nuk u vihen kufij ambicieve të tij tani, analogjitë më të frikshme historike do të jenë edhe ato më të saktat.(Project Syndicate)

Dominique Moisi është Këshilltar në Institutin Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare (IFRI) dhe Profesor në L’Institut d’études politiques de Paris (Sciences Po). Ai është autor i librit: “Gjeopolitika e emocioneve: Si po e ribëjnë botën kulturat, frika, poshtërimi dhe shpresa”.

Linku origjinal: http://www.project-syndicate.org/commentary/dominique-moisi-says-that-russia-s-president-may-give-europe-the-neë-narrative-and-momentum-it-so-badly-needs#SgcAëD9COCvdY2do.99

Leave a Reply

Back to top button