Analiza

KOMENT / Marshimi i nacionalistëve

marshimi i nacionalisteveJOSCHKA FISCHER

Ish-Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, ish Zëvendës Kancelar në periudhën 1998-2005

Europa përbëhet nga kombet e vet dhe kështu ka qenë prej qindra vitesh. Kjo e bën bashkimin politik të kontinentit një detyrë kaq të vështirë, edhe sot. Por, nacionalizmi nuk është parimi i ndërtimit të Europës. Përkundrazi, ai ka qenë dhe mbetet parimi i zhbërjes së Europës. Ky është mësimi kryesor që duhet nxjerrë nga përparimi dramatik i partive populiste europiane në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian.

Eshtë një mësim që europianët duhej ta kishin nxjerrë tashmë. Luftërat e shekullit të 20 në Europë, në fund të fundit, u luftuan nën flamurin e nacionalizmit – dhe ato pothuajse e shkatërruan tërësisht kontinentin. Në fjalimin e tij të lamtumirës para Parlamentit Europian, François Mitterrand e distiloi një jetë të tërë përvojë politikë në një fjali të vetme: “Nacionalizëm do të thotë luftë”.

Këtë verë, Europa do të përkujtojë 100 vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, e cila e hodhi Europën në humnerën e dhunës së nacionalizmit modern. Europa do të përkujtojë edhe 70-vjetorin e zbarkimit të Aleatëve në Normandi, që do të vendoste fatin e Luftës së Dytë Botërore në favor të demokracisë në Europën Perëndimore (dhe më vonë, pas fundit të Luftës së Ftohtë, në të gjithë Europën).

Historia e vonë e Europës është e mbushur me përkujtime dhe përvjetorë të tillë, të gjithë të lidhur ngushtë me nacionalizmin. E megjithatë, shpresat e shumë europianëve për të ardhmen duket se gjejnë shprehje pikërisht tek ai, ndërkohë që një Europë e bashkuar, që ka qenë garantuesi i paqes mes popujve europianë që nga viti 1945, shihet si barrë dhe si rrezik. Kjo është domethënia e vërtetë e rezultatit të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Por vetëm shifrat dhe përqindjet nuk e shprehin shkallën e humbjes që ka pësuar BE. Për aq sa zgjedhjet demokratike përcaktojnë shumicat dhe pakicat – dhe si pasojë shpërndarjen e pushtetit për një periudhë kohe – ato nuk garantojnë gjithmonë një vlerësim të saktë të situatës politike. Zgjedhjet ofrojnë një foto të çastit – një moment të ngrirë. Për të kuptuar tendencat kohëgjata, ne duhet të ekzaminojmë ndryshimin ne votën e partive të ndryshme nga një palë zgjedhje, tek të tjerat.

Nëse rezultati i zgjedhjeve të Parlamentit Europian do të gjykohej ekskluzivisht nga fakti që një shumicë dërrmuese e qytetarëve europianë hodhën votën për partitë pro Euro, atëherë do të na shpëtonte pika themelore – rritja dramatike e mbështetjes për partitë nacionaliste euroskeptike në shtete si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Austria, Greqia dhe Hungaria. Nëse tendenca vazhdon, atëherë do të bëhet një rrezik ekzistencial për BE-në, pasi do të bllokojë integrimin e mëtejshëm, i cili nevojitet urgjentisht dhe do ta shkatërrojë nga brenda idenë europiane.

Veçanërisht Franca ofron shkak për t’u shqetësuar shumë, sepse Fronti Nacional është vendosur tashmë si forca e tretë politike në vend. “Pushto Francën, shkatërroj Europën!” është bërë objektivi i Frontit Nacional për zgjedhjet e ardhshme. Pa Franën, në Europë ndodh shumë pak ose asgjë. Bashkë me Gjermaninë, ajo është e domosdoshme për të ardhmen e BE. Dhe askush nuk duhet të ketë dyshime që Fronti dhe votuesit e vet e kanë seriozisht atë që thonë.

Në zemër të krizës politike të Europës është gjendja e keqe ekonomike dhe financiare, që as qeveritë e shteteve dhe as institucionet e BE nuk po e adresojnë. Në vend të forcimit të solidaritetit mbarëeuropian, problemet ekonomike duket se po sjellin një konflikt të madh në shpërndarje. Ajo që dikur ishte një marrëdhënie mes të barabartëve, është kthyer në një përplasje të fortë mes huamarrësve dhe kredidhënësve.

Mosbesimi i ndërsjellë që karakterizon këtë konflikt mund të dëmtojë në mënyrë të pandreqshme shpirtin e Unionit dhe të gjithë projektin europian. Europa Veriore është mbërthyer nga frikërat e shpronësimit; jugu është i mbërthyer nga një krizë ekonomike që duket se nuk ka fund si dhe një papunësi e paprecedentë, për të cilën qytetarët bëjnë përgjegjës veriun – sidomos Gjermaninë. Kriza e borxheve në jug, bashkë me pasojat e masave të rënda të kursimit, shihet thjeshtë si braktisje e parimit të solidaritetit nga veriu i pasur.

Në këtë klimë solidariteti në rënie, nacionalizmit të vjetër iu dhanë fitoret në pjatë të argjendtë. Në të vërtetë, kudo ku BE mund të fajësohej për kolapsin e mirëqenies së klasës së mesme, shovinizmi nacional dhe ksenofobia ishin strategji elektorale fituese.

Duke parë dobësinë e Francë dhe rezultatin zgjedhor dramatik atje, si dhe rrugën e çuditshme të Britanisë drejt daljes nga BE, roli udhëheqës i Gjermanisë do të vazhdojë të rritet, gjë që nuk është e mirë as për Gjermaninë dhe as për Europën. Gjermania nuk ka aspiruar asnjëherë për këtë rol. Por fuqia ekonomike dhe qëndrueshmëria institucionale e kanë bërë të pashmangshëm pranimin e tij. Megjithëkëtë, hezitimi i Gjermanisë për të udhëhequr mbetet një problem i madh.

Të gjithë europianët e kanë në gjen që të kundërshtojnë instiktivisht – dhe racionalisht – ndaj çdo lloj forme hegjemonie. Kjo vlen edhe për Gjermaninë. Por të bësh përgjegjëse Gjermaninë për masat e kursimit në jug është vetëm pjesërisht e justifikuar, pasi nuk ishte qeveria gejrmane që i detyroi vendet e prekur të kishin nivele të lartë borxhi publik.

Gjermania mund të bëhet përgjegjëse për këmbënguljen e udhëheqësve të saj, që të zbatoheshin njëkohësisht reduktimi i borxhit dhe reformat strukturore si dhe kundërshtimi i tyre për pothuajse çdo lloj politike të orientuar nga rritja ekonomike në eurozonë. Veç kësaj, asnjëri prej kampeve politikë në Gjermani nuk është gati të pranojë “problemin gjerman” të unionit monetar (domethënë forcën relative të vendit, që nuk e ka përdorur në dobi të projektit europian në tërësi).

Pyetja tani është se sa shumë do të bëjë Gjermania për Francën, që të shpëtojë Europën. Trysnia mbi Kancelaren gjermane, Angela Merkel si dhe Presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi me siguri do të rritet, dhe nuk do të vijë vetëm nga Parisi, por edhe nga Roma, Athina dhe kryeqytete të tjerë.

Për Gjermaninë, alternativa e ndryshimit të kursit tani, është të presë deri kur vendet në borxhe të Europës të zgjedhin qeveri që vënë në dyshim detyrimin e tyre për të paguar. Në Greqi, këto gjëra po thuhen tashmë. Për Europën do të ishte fatkeqësi. Për Gjermaninë, thjeshtë marrëzi. (Project Syndicate)

Leave a Reply

Back to top button