Analiza

KOMENT / Një botë e re dhe e frikshme

Anne Applebaum

nje bote e re dhe e frikshmeNë imagjinatën e Perëndimit, fjalët “luftë” dhe “pushtim” bartin konotacione të qartë. Nga librat, filmat dhe televizioni, kemi mësuar se ngjarje të tilla përfshijnë përdorim tankesh, avionësh dhe artilerie, si dhe ushtarë me uniforma, armë të përparuara, komunikime të sofistikuar. Duken si pushtimi i Irakut apo, për të shkuar më pas në kohë, D-Day (zbarkimi në Normandi).

Deri tani, pushtimi i Ukrainës lindore nga Rusia nuk ngjan aspak me këto beteja. Në këtë luftë përfshihen jo ushtarë, por vullnetarë dhe banditë lokalë, disa të lidhur me ish presidentin Viktor Janukovic, disa nga bandat kriminale dhe të tjerë që gabimisht mendojnë se po luftojnë për një lloj autonomie lokale.

Ata udhëhiqen jo nga oficerë me uniforma, por nga forca speciale dhe agjentë të shërbimit të fshehtë të Rusisë, disa me kamuflazhe pa deviza, të tjerë që komunikojnë “me aktivistët” nëpërmjet telefonëve. Furnizohen me logjistikë nga Rusia dhe mbajnë automatikë prodhim rus, por në pjesën më të madhe nuk kanë tanke, apo avionë. Nuk ka një fushatë bombardimi, por vetë sulme të organizuar dhe sistematikë ndaj rajoneve të policisë, këshillave bashkiakë, aeroporteve.

Ndryshe nga planifikuesit e zbarkimit në Normandi apo Operacionit “Liria e Irakut”, rusët që organizojnë pushtimin e Ukrainës nuk kanë nevojë për një fitore të menjëhershme. Ata kanë objektiva fleksibël dhe janë të përgatitur ta përshtasin strategjinë e tyre në varësi të rezistencës që ndeshin. Eshtë e qartë që, në terma afatgjatë Rusia shpreson të aneksojë Ukrainën lindore dhe jugore. Që tani kanë filluar të qarkullojnë harta me këtë qëllim.

Por nërkohë, Kremlini mund të përpiqet të prishë zgjedhjet presidenciale të Ukrainës, të planifikuara për në 25 maj, ose të destabilizojë qeverinë e brishtë të Ukrainës, ndoshta përmes një kolapspi ekonomik. Rusët mund të shpresojnë të provokojnë një luftë civile, apo dicka që ngjan me një luftë civile, gjë që më pas do të kërkonte një “mision paqeruajtës” rus.

Shumë prej këtyre taktikave janë të njohura, ndonëse nuk i kemi parë prej një kohe të gjatë. Në vitin 1945, policë të fshehtë sovjetikë, pasi morën detyrën për të transformuar vende të Europës Lindore në shtete-kukull komunistë, filluan gjithashtu të organizojnë banditë dhe vullnetarë lokalë – kriminelë dhe sociopatë të dëmtuar nga lufta, si dhe njerëz që gabimisht mendonin se po luftonin për një formë socializmi të mirë – duke i kthyer në forca paramilitare dhe policore, pikërisht si ato që po operojnë në Ukrainën lindore. Atëherë, ashtu si sot, ata udhëhiqnin në hije. Atëherë ashtu si sot, ata e përshtasnin strategjinë e tyre në varësi të rezistencës që ndeshnin dhe mbështetjes që kishin.

Por shekulli 21 nuk është shekulli 20. Kur komunistët polakë, të mbështetur nga komunistët sovjetikë, falsifikuan rezultatet e një referendumi kombëtar në vitin 1946, nuk kishte shumë vëzhgues ndërkombëtarë që të ankoheshin. Ndërkohë në ditët e fundit, interneti është mbushur me fotografi të “aktivistëve prorusë” që mbajnë raketëhedhës të prodhuar në Rusi, si dhe rregjistrime me zë, të rusëve që japin urdhëra. Megjithatë, efekti i këtyre zbulimeve ka qenë që rusët janë inkurajuar të gënjejnë më haptas dhe më me agresivitet. Ministri i Jashtëm i Rusisë vazhdon të këmbëngulë se “Moska nuk është e interesuar të destabilizojë Ukrainën”, dhe presidenti rus, Vladimir Putin i ka bërë thirrje OKB të ënojë përpjekjet e dobëta dhe konfuze të Ukrainës për t’u mbrojtur. Televizioni rus – që shihet nga shumë njerëz në Ukrainë – vazhdon të denoncojë dhunën joekzistente që vjen prej “fashistëve të Kievit” dhe madje edhe raportet e motit i ka të politizuar: Mbi Donetsk grumbullohen re të errëta, ndërkohë që në Krime shkëlqen dielli. Këto lojëra fjalësh dhe fushata disinformimi janë sot shumë më të sofistikuara se cdo gjë që ka prodhuar ndonjëherë ish Bashkimi Sovjetik.

Ky kombinim – sovjetizimi i modës së vjetër plus media moderne – është një gjë e re, aq shumë sa është e drejtë të themi se po shohim një lloj të ri lufte, dhe një lloj të ri pushtimi. 13 vjet më parë, pas 11 shtatorit 2011, SHBA iu desh papritur të ripërshtasë mënyrën e të menduarit për luftën asimetrike, pra ato lloj betejash ku grupe të vegjël terroristë munden të luftojnë kundër superfuqive të mëdha. Më vonë, rimësuam taktikat e kryengritësve në Irak.

Por tani, Europa, SHBA dhe mbi të gjitha ukrainasit duhet të mësohen me luftën me maska – termi rus është maskirovka – që supozohet se duhet të bëjë konfuzë jo vetëm kundërshtarët, por edhe aleatët potencialë të kundërshtarëve. Perëndimi duhet të rishikojë me urgjencë strategjitë e tij ushtarake, energjetike dhe financiare ndaj Rusisë. Por do të nevojiten edhe politika më specifike për të luftuar pushtimet me maska që mund të vijojnë në Moldavo, ose më vonë në shtetet balltike, nëse ky aktuali do të ketë sukses.

Amerikanët dhe europianët duhet të fillojnë të rishikojnë financimin dhe drejtimin e kompanive tona televizive ndërkombëtare, me qëllim që t’i kundërvihen luftës së re të fjalëve. Duhet gjithashtu të fillojmë të fuqizojmë policitë lokale të shteteve në kufi me perandorinë ruse. Avionët F-16 të NATO-s nuk mund të luftojnë banditët që hyjnë me forcë në zyrat e bashkive. Nuk ka të bëjë vetëm me shpenzimin e parave: kemi nevojë për më shumë forca speciale, më shumë informacione “njerëzorë”, dhe jo vetëm anije dhe avionë. Mbi të gjitha, duhet të jemi të përgatitur për atë që mund të vijë. Po hyjmë në një botë të re, dhe na duhen mjetet për ta përballuar. (The Ëashington Post)

* Gazetare polako-amerikane, fituese e Cmimit Pulitzer. Ka shkruajtur gjerësisht për komunizmin dhe zhvillimin e shoqërisë civile në Europën Lindore

Leave a Reply

Back to top button