Analiza

KOMENT / Putini nuk është post-komunist. Putini është post-fashist

Jan Fleischhauer

Der Spiegel

putin postfashistDisave u pëlqen ta idealizojnë Vladimir Putinin, si pasardhësin ideologjik të udhëheqësve të majtë sovjetikë, por kjo është marrëzi. Fjalimet e tij ofrojnë prova të qarta se pikat ku mbështetet e kanë origjinën tek fashizmi.

Për të kuptuar Vladimir Putinin, duhet ta dëgjosh. Duhet të lexosh atë që ai do. Por më e rëndësishmja, duhet të shohësh se çfarë ai po përpiqet të parandalojë. Shpesh herë, frikërat dhe urrejtja e një njeriu flasin shumë më tepër se sa planet dhe premtimet e tij.

Atëherë, cila është shtysa e Putinit? Tema qendrore e të gjithë fjalimeve të tij është frika nga rrethimi – rreziku që paraqesin ato fuqi, të cilat duan ta mbajnë poshtë popullin rus, sepse kanë frikë prej forcës së tij të brendshme. “Ata përpiqen vazhdimisht të na vënë pas qoshes, për arsye se ne kemi një pozicion të pavarur, sepse ne e ruajmë dhe sepse ne i quajmë gjërat ashtu si janë dhe nuk bëhemi hipokritë”, tha ai në fjalimin e 18 marsit përpara Dumës. Në një intervistë në muajin prill, Putini tha: “Ka shumë forca në botë që kanë frikë nga forca jonë, “madhësia jonë” siç ka deklaruar një prej sovranëve të mëdhenj rusë. Kështu që, përpiqen të na copëtojnë”.

Rrezik për shpirtin rus

Ka një tendencë për ta parë politikën e jashtme të Kremlinit, nga një këndvështrim gjeopolitik, domethënë që Rusia po përpiqet të rifitojë një pjesë të territorit që humbi kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. Por, kur Putini flet për armikun e popullit rus, ai e ka fjalën për diçka më të thellë dhe më bazike. Forcat kundër të cilave ai ka shpallur luftë nuk po përpiqen të shtrijnë ndikimin e tyre gjithnjë e më shumë në lindje, ato i janë qepur edhe shpirtit rus. Këtu e ka fjalën Putini kur thotë se Rusia duhet të ngrihet kundër Perëndimit.

Po çfarë ka në qendër të këtij shpirti? Edhe këtu, Putini ka ofruar disa ide. “Unë mendoj që një rus, ose në një shkallë më të gjerë, një person që i përket botës ruse, kryesisht mendon për përcaktimin e tij më të lartë moral, për të vërtetën më të lartë morale”, tha ai gjatë intervistës. Kundër kësaj ideje, është një Perëndim i fiksuar tek suksesi dhe prosperiteti personal, ose siç e thotë Putini “vetvetja”. Në këndvështrimin e presidentit, beteja që po zhvillon Rusia është ideologjike për nga natyra. Eshtë një luftë kundër materializmit sipërfaqësor, kundër zbehjes së vlerave, kundër feminizimit dhe zhburrërimit të shoqërisë, dhe kundër shpërbërjes së të gjithë lidhjeve tradicionale që janë pjesë e këtij zhvillimi. Shkuërt, kundër gjithçkaje “joruse”.

Edhe sot, shumëkush e ka të vështirë të njohë natyrën e vërtetë të një njeriu që aktualisht po përpiqet të përmbysë rendin paqësor europian. Ndoshta nuk kemi kurajën të bëjmë krahasimet e duhur, sepse ata na kujtojnë një epokë që kishim menduar se e kishim lënë pas. Brenda Partisë së Majtë në Gjermani dhe një pjese të Socialdemokratëve, Putini shihet ende si një njeri të rritur në traditën e liderit partiak sovjetik, i cili qëndronte për një version të idealizuar të Socializmit. Ndjesia e vjetër e solidaritetit është aty. Por, bazohet mbi një keqkuptim, sepse Putini nuk është postkomunist. Ai është postfashist.

Kërkimi për analogjinë e duhur historike duhet të përqëndrohet në ngjarjet e Romës në 1919 dhe Sarajevës në 1914. Nuk do u duhet shumë kohë atyre që hyjnë në botën e jehonave dhe metaforave të Putinit, për të identifikuar tek ai tipare që kanë qenë të pranishëm edhe në kohën e lindjes së fashizmit. Eshtë kulti i trupit që ka Putini, retorika e fortë e vetëvlerësimit, denigrimi i kunërshtarëve si të degjeneruar, përbuzja e demokracisë dhe parlamentarizmit perëndimor, nacionalizmi i ekzagjeruar.

Armiqtë e lirisë në të djathtën ekstreme të Europës e kanë nuhatur herët ndryshimin e klimës politike. Ata e kuptuan menjëherë, se kur flet Putini, ata dëgjojnë dikë që ndan me ta obsesionet dhe urrejtjen. Putini ua kthen duke i pranuar këta individë që mendojnë si ai. “Sa për rishikimin e vlerave në vendet europianë, unë mendoj që po, jemi dëshmitarë të këtij procesi”, tha ai gjatë intervistës të enjten e kaluar, duke përmendur fitoren e Victor Orbanit në Hungari dhe suksesin e Marine Le Penit në Francë. Ishte evetmja gjë pozitive që pati për të thënë gjatë intervistës 4-orëshe.

Mision historik për popullin rus

Kur u miratuan për herë të parë një vit më parë, njerëzit nuk arritën të rroknin kuptimin e vërtetë të ligjeve të reja kundër homoseksualëve në Rusi. Por sot është e qartë se ai hap shënoi shfaqjen e Rusisë së re. Ajo që nisi me një ligj kundër homoseksualëve, tani po vazhdon në një tjetër nivel: Përparimi logjik i besimit se disa grupe janë më inferiorë si dhe superioritetit të popullit tënd.

Dhe kur Putini përmend legjendën e Moskës si një “Romë e Tretë”, është e qartë që ai i cakton një mision historik popullit rus. Rusisë po i bie barra jo vetëm të ndalë dekadencën e Perëndimit në kufijtë e saj, por edhe të ofrojë bastionin e fundit për ata që i kishin humbur tashmë shpresat në këtë betejë. Por ai po thotë gjithashtu që Rusia nuk dorëzohet asnjëherë.

“Vdekja është e tmerrshme, apo jo?” i pyeti Putini shikuesit në fundin e intervistës televizive. “Por jo, mund të jetë e bukur kur i shërben popullit: pra vdekja për mikun, për popullin, për atdheun”. Më fashist nuk bëhet.

Leave a Reply

Back to top button