Analiza

KOMENT / Rikthim tek Rruga e Mëndafshit

Rusia dhe qasja ndaj rruges se mendafshitAna Palacio

Ish-ministre e Jashtme e Spanjës, ish Zëvendëspresidente e Bankës Botërore. Aktualisht Lektore në “Georgetown University”

Ecuria e ngjarjeve në Ukrainë, ka nxjerrë në pah tre sfida madhore të politikës së jashtme për Perëndimin: rrezikun e izolimit të Rusisë, rebusin e ftohtësisë që shfaq Kina dhe mungesën e vazhdueshme të ideve të reja. Kapërcimi i tyre do të kërkojë një përpjekje të bashkërenduar për të rritur bashkëpunimin dhe ndërtuar besim, mes shteteve që kanë sisteme politikë dhe interesa kombëtarë të ndryshëm. Brezi ekonomik i Rrugës së Mëndafshit që ka propozuar presidenti kinez Xi Jinping, mund të kontribuojë për një përpjekje të tillë.

Reagimi i Europës dhe SHBA ndaj krizës në Ukrainë ka dështuar në dy drejtime. Pikësëpari, ka qenë anemik, pasi ka projektuar një imazh dobësie që dëmton aftësinë për të zhbërë aneksimin e Krimesë në Rusi – gjë që tashmë është pranuar heshturazi – si dhe për t’iu kundërvënë sjelljes agresive të saj në Ukrainën lindore. Në të njëjtën kohë, përdorimi i sanksioneve dhe masave diplomatike ka kontribuar për një izolim ndërkombëtar të Rusisë, duke dëmtuar kështu objektivin afatgjatë të ndëritmit të një marrëdhënieje funksionale.

Ndërkohë që është shumë e rëndësishme që Perëndimi t’u përmbahet parimeve të tij, duke përfshirë edhe sanksione të ashpër, po kaq i rëndësishëm është edhe pragmatizmi. Në fund të fundit, një Rusi e dobët dhe e izoluar është shumë më e rrezikshme se sa një Rusi e fortë dhe e integruar ndërkombëtarisht. E megjithatë, nuk mund të mohosh që tashmë marrëdhënia me Rusinë është thyer, dhe besimi reciprok ka arritur pikën më të ulët që nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik.

Në këtë kontekst, rikthimi i Rusisë në “vathën” ndërkombëtare do të kërkojë angazhimin e Kinës. Por, për Kinën, problemi i Ukrainës është kompleks, për shkak të interesave të saj për marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, dhe deri në një farë mase, për shkak të krahasimeve me veprimet e asaj vetë në vende si Tibeti. Thënë kjo – si dhe heshtja e Kinës për të marrë një pozicion lidershipi global – angazhimi i drejtpërdrejtë i Kinës ka gjasa të vijë vetëm përmes nismave që kanë objektiva të qartë dhe konkretë.

Pikërisht këtë gjë ofron brezi ekonomik i Rrugës së Mëndafshit, gjë që pata mundësi ta shoh vetë gjatë udhëtimit tim të fundit në Pekin. Nisma, e lançuar në shtator të vitit që kaloi, synon të përmirësojë lidhjet mes tregjeve europianë dhe aziatikë, me përfitime konkretë për të 18 vendet e Azisë Qendrore dhe Europës nëpër të cilët kalon kjo rrugë, duke përfshirë edhe Rusinë.

Projekti – i cili synon të nxisë prosperitet të përbashkët përmes shkëmbimeve mes njerëzve, të përmirësojë tregtinë dhe të rrisë qarkullimin e monedhës – është pikërisht ajo çfarë i nevojitet botës, për të shmangur një rikthim në ndarjen e Luftës së Ftohtë, apo ballkanizimin e Europës Lindore. Në fund të fundit, mënyra më e mirë për të krijuar bashkëpunim dhe besim është të garantosh që ky ofron dobi të qarta për të gjithë palët e përfshira.

Ndonëse zyrtarët kinezë kanë folur gjerësisht për rritjen e shkëmbimeve mes popujve, lehtësimin e kufizimeve për përdorimin e monedhave të huaja, dhe reduktimin e barrierave tregtare, rigjallërimi dhe modernizimi i Rrugës së Mëndafshit kërkon gjithashtu një infrastrukturë funksionale, e fokusuar në ndërveprimin dhe ndërlidhjen shumëdrejtimëshe. Konsolidimi i një rrjeti të fortë të transportit rrugor, ajror dhe detar do të prodhojë një efekt kaskadë si dhe do të ofrojë fitime të rëndësishëm ekonomikë, duke ndihmuar në optimizimin e zinxhirëve të furnizimit. Hekurudhat janë shumë të rëndësishme në këtë përpjekje, pasi mund të lehtësojnë stresin që shkaktojnë rrugët detare të pasigurta si dhe ofrojnë lidhje më të shpejta, me më pak pasoja për mjedisin. Sot, transporti hekurudhor nga Kina për në Europë kërkon gjysmën e kohës që kërkon ai detar.

Megjithatë, ekziston rreziku që Kina do të ndjekë një qasje dypalëshe, duke përdorur hekurudhën për t’u shërbyer interesave të ngushtë të politikës së jashtme. Ndonëse Kina mund të ketë mjetet për të financuar projekte infrastrukturorë në shkallë të gjerë e që kërkon kjo nismë, një strategji e tillë e fragmentuar do të pengonte integrimin, teksa do të forconte pikëpamjen që një Kinë e fortë do të ishte rrezik për rendin ndërkombëtar. Udhëheqësit e Kinës duhet të pranojnë që, nëse brezi ekonomik i Rrugës së Mëndafshit do të ketë potencial, ky duhet të jetë i ngritur mbi një vizion të gjerë, që përfshin diversitet të financimit, shumëllojshmëri të pronësisë, dhe organizim efektiv me angazhim të shume aktorëve.

Banka Botërore ka mbështetur një qasje të tillë përmes krijimit kohët e fundit të Nismës së Infrastrukturës Globale, që do të ndërlidhë aktorë publikë rajonalë dhe kombëtarë, si dhe sektorin privat, në financimin e zhvillimit të infrastrukturës. G20, grupi që përcakton de facto axhendën ndërkombëtare, ka shprehur mbështetje për këtë projekt.

Zbatimi i këtij modeli gjithëpërfshirës në projektin e Rrugës së Mëndafshit – sidomos duke përfshirë Europën, Kinën, Rusinë dhe institucione shumëpalësh – do të forconte nismat ekzistuese. Për shembull, do të forconte strategjinë e infrastrukturës, që ka hartuar Programi i Bashkëpunimit Ekonomik i Azisë Qendrore, që vepron me financim të Bankës Aziatike për Zhvillim me kontribute nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Por, përtej financimit të përbashkët, koordinimi efektiv është i rëndësishëm për suksesin e një projekti të tillë. Këtu, përvoja e Europës për kompromis dhe harmonizim është thelbësore. Për të përmirësuar sistemin e vet të fragmentuar infrastrukturor, Bashkimi Europian zgjodhi një qasje me korridorë themelorë – që i korrespondonin rrugëve kryesore të trafikut transnacional – për të hedhur themelet e integrimit, ndërveprimit dhe zhvillimit e menaxhimit të një infrastrukture të koordinuar. Sistemi i Menaxhimit Hekurudhor Europian, i cili ka kapërcyer pengesën e standarteve të ndryshëm të sigurisë mes shteteve anëtarë për të krijuar një sistem të unifikuar, është një prej shembujve të shumtë të suksesshëm që ka sjellë kjo strategji.

Europa ka demonstruar se pronësia e përbashkët, bashkë me zgjidhjet konkrete mund të inkurajojë dialog produktiv, gjë që do i hapte rrugë një bashkëpunimi me dobi reciproke. Rruga e Mëndafshit ofron më shumë se sa një mundësi ekonomike: ajo u shërben interesave afatgjatë për sigurinë të të gjithë pjesëmarrësve. Në një kohë kur kaq shumë lidhje janë prishur, kjo është një mundësi që Europa nuk mund ta lërë t’i shpëtojë. (Project Syndicate)

Leave a Reply

Back to top button