Analiza

KOMENT / Rikthimi i somnambulëve (2014-a si 1914-a?)

DOMINIQUE MOISI

sarajevo-murder* Në fakt, situata sot mund të konsiderohet edhe më e rrezikshme. Në fund të fundit, një shekull më parë, mbi botë nuk vërtitej fantazma e një apokalispsi bërthamor. Në një kohë kur instrumentat e vetëvrasjes kolektive të njerëzimit ende nuk ishin shpikur, lufta mund të shihej ende, siç thoshte strategu prusian Carl von Clausevitz, “si vazhdim i politikës me mjete të tjera”

Në 28 qershor 1914, Duka Franz Ferdinand, trashëgimtari i fronit të Austro-Hungarisë dhe bashkëshortja e tij, Sophie, Dukeshë e Hohenbergut, u vranë në Sarajevë – shkëndija e parë e një serie vendimesh të këqinj që kulminuan në Luftën e Parë Botërore. Një shekull më vonë, bota është sërish e turbulluar prej konflikteve dhe pasigurisë, të ilustruar më së miri në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe në jug dhe lindje të Detit të Kinës. A mundet që vetëdijësimi për gabimet e bërë në vitin 1914, të ndihmojë botën të shmangë një tjetër katastrofë madhore?

Rendi global ka ndryshuar dramatikisht gjatë njëqind viteve të fundit. Por rritja e ndjesisë që ne kemi humbur kontrollin mbi historinë, bashkë me dyshimet seriozë për aftësitë dhe parimet e udhëheqësve tanë, ofron një farë baze krahasimi me ngjarjet e Sarajevës në 1914.

Vetëm një vit më parë, çdo lloj krahasimi mes verës së 1914-ës dhe të tashmes do të tingëllonte artificial. I vetmi paralel që mund të hiqej ishte i kufizuar në Azi: komentatorët ngrinin pyetjen nëse Kina po shndërrohej gradualisht në një ekuivalent modern të Gjermanisë nën udhëheqjen e Kaizer Vilhelmit II, teksa tensionet rajonalë për pretendimet territorialë të Kinës i ngjanin deri në një farë mase situatës në Ballkan në prag të Luftës së Parë.

Megjithatë, në muajt e fundit konteksti global ka ndryshuar shumë. Duke parë zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe në Europën Lindore, mund të thuhet se e gjithë bota po i ngjan Europës së vitit 1914.

Në fakt, situata sot mund të konsiderohet edhe më e rrezikshme. Në fund të fundit, një shekull më parë, mbi botë nuk vërtitej fantazma e një apokalispsi bërthamor. Në një kohë kur instrumentat e vetëvrasjes kolektive të njerëzimit ende nuk ishin shpikur, lufta mund të shihej ende, siç thoshte strategu prusian Carl von Clausevitz, “si vazhdim i politikës me mjete të tjera”.

Armët bërthamore ndryshuan gjithçka, teksa ekuilibri i terrorit parandalonte përshkallëzimin e Luftës së Ftohtë (pavarësisht se dikur u afruam shumë, sidomos gjatë krizës së raketave në Kubë). Por me kalimin e kohës, i ashtuquajturi “shkatërrimi i ndërsjellë i garantuar” u bë një koncept gjithmonë e më abstrakt.

Irani tani po përpiqet të bindë SHBA se një kalifat fondamentalist që shtrihet nga Aleppo deri në Bagdad përbën një rrezik shumë më të madh se sa armët bërthamore. Ukraina, në përshkallëzimin e konfliktit të saj me Rusinë, duket më shumë e shqetësuar nga një embargo energjetike, se sa nga arsenali bërthamor i Rusisë. Edhe Japonia – i vetmi vend që ka përjetuar drejtpërdrejtë një sulm bërthamor – duket indiferente ndaj faktit që Kina zotëron armë bërthamore, në një kohë që merr një qëndrim gjithnjë e më kryeneç ndaj fqinjit të saj të fuqishëm.

Shkurt, “bomba: nuk duket se ofron më zgjidhjen përfundimtare. Ky ndryshim është shkaktuar pjesërisht prej ekspansionit global të armëve bërthamore. Ishte shumë më e lehtë të bindje shtetet që të pranonin një seri të përbashkët rregullash kur, pavarësisht ideologjive të tyre të papajtueshme, këta ndanin pjesën më të madhe të kulturës Perëndimore.

Këtu qëndron dallimi i dytë thelbësor mes 2014-ës dhe 1914-ës: Europa nuk është më qendër e botës. Kievi sot nuk mund të krahasohet me Sarajevën një shekull më parë. NJë konflikt i nisur në Europë nuk mund të zgjerohet më në një luftë botërore – qoftë edhe për faktin që Europa është e lidhur përmes Bashkimit Europian që, pavarësisht mungesës së popullaritetit, e bën të pamendueshme luftën mes shteteve anëtarë të tij.

Në këtë kuptim, rreziqet realë qëndrojnë jashtë Europës, ku nuk ka një kuadër të tillë për paqen, dhe ku rregullat e lojës ndryshojnë shumë. Në këtë kontekst, ankthi në rritje i botës – i intensifikuar edhe prej kujtesës së vrasjes së Dukës Ferdinand – është tërësisht i justifikueshëm.

Në lindjen e mesme po krijohet një shtet xhihadist. Vendet aziatikë kanë nisur të krijojnë ishuj artificialë, duke ndjekur shembullin e Kinës, për të përforcuar pretendimet e tyre territorialë në jug të Detit të Kinës. Dhe presidenti rus, Vladimir Putin është duke ndjekur ambicie imperiale anakronike. Këta zhvillime duhet të shërbejnë si një paralajmërim se bota nuk mund të shmangë të vërtetën dhe të parandalojë katastrofën në të njëjtën kohë.

Në 1914-ën, udhëheqësit e Europës, pasi dështuan në gjetjen e kompromiseve të kënaqshëm, u dorëzuan para pashmangshmërisë së luftës (disa më me entuziasëm se të tjerët). Siç e ka thënë historiani Christopher Clark, ata shkuan “si somnambul” drejt saj. Ndërkohë që 2014-a ka shumë pak gjëra të përbashkëta me 1914-ën, ajo ka një tipar të përbashkët: rreziku që një mjedis gjithnjë e më kopleks i sigurisë dhe politikës do të vërë poshtë udhëheqësit. Përpara se ata të zgjohen, situata mund të dalë jashtë kontrolli. /Project Syndicate/

Përgatitur në shqip nga bota.al

 

 

Leave a Reply

Back to top button