Analiza

KOMENT / Somalizimi i qiejve

somalizimi i qiejveJacques Attali
Tragjedia e tmerrshme që sapo ndodhi në hapësirën ajrore të Ukrainës na bën të reflektojmë për dimensionet e shumtë të të ardhmes së botës.
PIksësëpari, ajo konfirmon gjasat për skenarin më të keq të mundshëm, me fjalë të tjera një botë pa rregulla apo policë, e dominuar nga banda, politike apo kriminale. Një bot pa shtet, që do i ngjante Somalisë, një vend që prej 20 vitesh nuk ka shtet, pasi ka rënë në duart e militarëve, predikuesve të gjithfarëlloj besimesh dhe kriminelëve të çfarëdolloji. “Somalizimi” është skenari i makthit i globalizimit, kur ky vendoset pa sundimin e ligjit, pa polici apo drejtësi.
Kjo gjë po ndodh tani, në një rajon që mendonim se e kishim ruajtur, sepse ndodhet në zemër të Europës, Ukrainë, ku ndarjet po bëhen gjithnjë e më të mëdha mes grupeve rivalë, ndërkohë që shteti ukrainas, apo institucionet e kualifikuar ndërkombëtarë, që nga OSCE tek BERZH, që nga Këshilli i Europës tek Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, nuk janë në gjendje t’i japin fund kësaj situate.
Shkatërrimi i një avioni pasagjerësh në një lartësi të madhe nga një raketë, demonstron se Somalizimi, anarshia nuk njeh limite. Pasi ka mbërritur në dete, pranë brigjeve të Somalisë, tani ka mbërritur në qiej, mbi Ukrainë. Nga ky moment, duhet të kemi frikë, pasi asnjë linjë ajrore nuk është e sigurtë, kudo në botë. Së pari, në afërsi të aeroporteve në Afrikë, ku po përhapen me shpejtësi raketat tokë-ajër me rreze të shkurtër, që nga ndërhyrja e pamatur franko-britanike në Libi. Këto armë të vdekjes mund të lëshohen drejt një avioni që afrohet nga një shtëpi shumë pranë aeroportit. Nëse kjo ndodh vetëm një herë, atëherë do të ishte goditje e rëndë për ekonominë botërore. Jo vetëm për prodhuesit e avionëve dhe linjat ajrore, por edhe për të gjithë tregtinë e vlerës së shtuar, të gjithë marrëdhëniet e biznesit dhe shkëmbimet intelektualë, të gjithë biznesin e turizmit, që nuk do të ekzistonin pa transportin ajror.
Asgjë nuk do të përmirësohet, sa kohë që njerëzit e arsyeshëm do të besojnë se kriminelët dhe fanatikët do u binden të njëjtave rregulla që këta vetë kanë rënë dakord të zbatojnë. Dhe sa kohë që janë gati t’u shesin, t’u besojnë ose të lejojnë që armë të fuqishme të mbërrijnë në duart e tyre. Kjo qasje është po aq absurde dhe kriminale sa edhe ajo që detyroi Mahatma Gandhin, në korrik 1939 dhe dhjetor 1940, që t’i shkruante “mikut të shtrenjtë” Adolf Hitler, e t’i kërkonte që të bëhej i arsyeshëm. Nëse sillemi me mafiat dhe terroristët njësoj si sillemi me njerëzit e arsyeshëm, atëherë e gjithë bota, shumë shpejt do të shndërrohet në një vend të padurueshëm.
Ka një nevojë urgjente për të nxjerrë pesë konkluzione të domosdoshëm nga kjo, me qëllim që të nisim marrjen e pesë lloje masash. Ata kërkojnë mobilizim global nga vendet e zhvilluar. Dhe janë të realizueshme.
– Ka një nevojë urgjente për hartimin e rregullave globale shumë të rrepta në lidhje me rrugët ajrore, që do u imponoheshin të gjithë kompanive ajrore. Do ishte çmenduri që të ishim në gjendje ta bënim këtë për futbollin, por jo për sigurinë tonë.
– Nisja e një fushate të gjerë politike, financiare dhe ushtarake me qëllim mbledhjen e të gjithë raketave tokë-ajër që janë ende të shpërndara në duar privatësh përreth botës. Kjo gjë është bërë për armë të tjera dhe ka patur sukses.
Më në përgjithësi, dënimi dhe dëbimi nga arena ndërkombëtare i cilitdo shteti që do u shiste armë të tilla lëvizjeve separatiste apo tregtarëve privatë të armëve. Dhe më specifikisht, për Europën:
Forcimi i institucioneve, që nga BERZH dhe OSCE, tek Këshilli i Europës, që bashkojnë europianët, domethënë vendet anëtarë të BE, turqit, rusët dhe ukrainasit.
Organizimi i sigurisë në Europë duke përfshirë në këtë proces të gjithë vendet, ndërkohë që nuk duhet të mbetemi të varur nga SHBA, interesat e të cilës janë të ndryshëm.
Unë e di që, përsëri, asnjë prej këtyre nuk do të bëhen. Përveçse ndoshta, sëirhs, pas fatkeqësisë, dhe jo në vend të saj.
* President themelues i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. President i PlaNet France
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button