Analiza

KOMENT / Tundimi i Jaltës

Julia Timoshenko

yaltaPeriudha e qetë mes shpalljes së luftës në shtator 1939 dhe blicit të nazistëve në Belgjikë e Francë në maj 1940, quhet shpesh herë “Lufta e rremë”. Që kur Rusia ka pushtuar dhe aneksuar Krimenë, si dhe ka nisur të grumbullojë trupa dhe armë në kufirin tonë lindor, ne në Ukrainë kemi jetuar në një “paqe të rremë”.

Megjithatë, nuk ka asgjë të rremë në përpjekjet që po bëjmë ne ukrainasit për të mbrojtur vendin dhe demokracinë tonë. Të rinjtë dhe të rejat tona po dalin vullnetarë për shërbim ushtarak, si kurrë më parë. Qeveria jonë ka negociuar një marrëveshje huaje me FMN-në, që do të na japë disa prej mjeteve që na nevojiten për të vënë rregull, financiarisht dhe ekonomikisht. Kjo marrëveshje do të na imponojë edhe një dhimbje të vërtetë ekonomike, por ukrainasit janë të gatshëm të paguajnë cmimin, me qëllim që të ruajnë pavarësinë e tyre.

Pas një periudhe neglizhimi, një periudhe kur ne – ashtu si pjesa tjetër e Europës – besonim se kufijtë e kontinentit nuk do të ndryshoheshin më kurrë me forcë, ne po shtojmë edhe shpenzimet për mbrojtjen, pavarësisht gjendjes së vështirë të ekonomisë sonë. Nuk do të ketë më dorëzim të territorit sovran të Ukrainës. Asnjë centimetër.

Më e rëndësishmja, pavarësisht grumbullimit të ushtrisë ruse kundër nesh, ne do të zhvillojmë një fushatë elektorale. Muajin që vjen, qytetarët e Ukrainës do të zgjedhin lirisht një president të ri – kundërpërgjigja më e mirë e mundshme ndaj propagandës ruse, sipas të cilës ne kemi dështuar me demokracinë.

E megjithatë, teksa ukrainasit punojnë për të rindërtuar vendin tonë pas sundimit predator të Viktor Janukovicit, ne përballemi me një rrezk të ri, në formën e “ofensivës së paqes” – ai lloj i vjetër i diplomacisë sovjetike, i projektuar për të zbutur vendosmërinë e Perëndimit. Telefonata e fundit e presidentit rus, Vladimir Putin për atë amerikan, Barak Obama për të rinisur bisedimet diplomatike, e pasuar nga një dokument i sovjetikëve ku sugjerojnë se si mund të zgjidhet një krizë që ata vetë e shkaktuan, është në fakt një ofensivë paqeje por që në fakt është edhe një ofensivë ndaj paqes.

Basti i Putinit të ngjan me konferencën famëkeqe të Jaltës në vitin 1945, ku Jozef Stalini bëri Uinston Cërcillin dhe Frenklin Ruzvelltin bashkëfajtorë në një ndarje të Europës, që skllavëroi gjysmën e kontinentit për pothuajse një gjysmë shekulli. Sot, Putini po përpiqet të bëjë perëndimin bashkëfajtor në shpërbërjen e Ukrainës, duke negociuar një kushtetutë federale të projektuar nga Kremlini, e cila do të krijonte shumë Krime – copëza të vogla që Rusia do të mund t’i gëlltiste më me lehtësin më vonë.

Sigurisht, federalizmi tingëllon si gjë e mirë. Shpërndarja e pushtetit politik më pranë njerëzve është gjithmonë joshëse, dhe zakonisht efektive. Por Putini nuk ka në mendje mirëqenien e demokracisë ukrainase. Për të, një sistem federal është një mënyrë për shprehjen e ligësisë politike të Kremlinit, me qëllimin final aneksimin e rajoneve lindorë dhe jugorë të Ukrainës në Federatën Ruse. Sic thoshte Klausevici, federalizmi është aneksim me mjete të tjerë.

Mjafton të shohësh propozimin e Rusisë: njësitë e reja federale të Ukrainës do të kishin një zë të fuqishëm për “drejtimin e politikës së jashtme të Ukrainës”. Ky kusht do i lejonte Putinit që të përpiqej të manipulonte rajonet rusisht-folës të Rusisë, që të vinin veton ndaj të ardhmes europiane të vendit.

Struktura kushtetuese e Ukrainës duhet të vendoset nga vetë ukrainasit. Rusia nuk mund të vendosë – as edhe vendet e tjerë, sado që të kenë dëshirë të ndihmojnë. Ukraina nuk është Bosnja, ku kushtetuta doli prej bisedimeve të paqes, që i dhanë fund viteve të tërë gjakderdhje, pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Nuk është as Kosova, e cila u bë e pavarur në të njëjtën kohë që po krijoheshin strukturat e saj qeveritare. Ukraina është një shtet sovran, i njohur si i tillë nga e gjithë bota, përfshirë Rusinë.

Të pranosh gjoja federalizmin e Putinit, do të thotë të pranosh gënjeshtrat që Kremlini ka thënë për qeverinë e përkohshme të Ukrainës, si dhe gratë dhe burrat e guximshëm që rrëzuan Janukovicin. Njerëzit e Putinit pretendojnë se rusishtfolësit në Ukrainë janë të rrezikuar, por nuk kanë në gjendje të përmendin as edhe një shembull persekutimi. Asnjë refugjat rusisht-folës nga Ukraina lindore dhe Krimea nuk është larguar në drejtim të Rusisë, dhe asnjë rusisht-folës nuk ka kërkuar strehim politik jashtë vendit.

Arsyeja është e thjeshtë: nuk ka shtypje të rusisht-folësve në Ukrainë, dhe nuk ka patur asnjëherë. Qeveria e Ukrainës në kohën e Janukovicit ka qenë e paaftë, e korruptuar, mashtruese. Por ai ishte një shtypës i shanseve të barabartë.

Nëse nuk ka shtypje të rusisht-folësve në Ukrainë, atëherë nuk ka arsye të ndryshohet struktura politike e vendit. Atëherë, a duhet të detyrohet Ukraina që të krijojë një rend të ri kushtetues, të bazuar mbi Gënjeshtrën e Madhe? Ajo që na nevojitet është një qeveri kompetente, eficiente dhe jo e korruptuar. Dhe me ndihmën dhe asistencën teknike të Europës, ne do ta krijojmë.

Dëshira e diplomatëve për të gjetur një zgjidhje paqësore për krizën e Ukrainës është e kuptueshme. Por kushtet që kërkon Rusia, nëse pranohen prej Perëndimit, do të dëmtonin rëndë sovranitetin e Ukrainës. Madje, pranimi i kushteve të Rusisë do të ishte ratifikim i idesë që vendet e fuqishëm mund të kanosin ata më pak të fuqishëm, deri në pikën e dorëzimit të pavarësisë së tyre.

Ne do të qëndrojmë përballë fuqisë që na kanoset – edhe vetëm, po të jetë e nevojshme. Refuzojmë të luajmë rolin e viktimës së pashpresë në librat e historisë që do të shkruhen në të ardhmen.

Leave a Reply

Back to top button