Analiza

KOMENT / Zakaria: 2014-a s’po duket vit i mbarë për Putinin

Fareed Zakaria *

PutinViti që kaloi, në shumë drejtime, u duk se ishte viti i Vladimir Putinit. Presidenti rus kishte konsoliduar pushtetin në vendin e tij, shtypur cdo opozitë të mundshme, nuk lejoi rrëzimin e aleatit të tij në Siri dhe ndërmjetësoi një marrëveshje për eleminimin e armëve kimike të Sirisë.

Edhe ky vit po shkonte shumë mirë për Putinin. Olimpiada Dimërorë e Sochit nuk ishte katastrofa që parathoshte shumëkush dhe, mbi të gjitha, Putini kishte ruajtur marrëdhënien historike të Rusisë me Ukrainën, duke “ia hedhur” Bashkimit Europian, i cili i kishte bërë Ukrainës një ofertë të ndërlikuar dhe të kushtëzuar, që presidenti ukrainas e kishte refuzuar në këmbim të parave të thata nga Rusia.

Kështu dukej, deri disa ditë më parë. Por tani, në cështjen qendrore, atë të Ukrainës, Rusia nuk po duket dhe aq triumfante.

Presidenti i Ukrainës, Janukovic, që tashmë është ish-president, e mbivlerësoi forcën e tij. Putini pretendoi se forca do të zgjidhte problemin dhe do të shpërndante protestuesit. Vëzhguesit perëndimorë u mbërthyen nga dëshpërimi, dhe filluan të fajësojnë për gjithcka që po ndodhte, që nga Uashingoni, deri në Bashkimin Europian.

Më pas gjërat nisën të ndryshojnë. Presidenti Janukovic dhe opozita bënë një marrëveshje, e ndërmjetësuar nga europianët, duke bërë thirrje për një qeveri koalicioni, zgjedhje të përgjithshme dhe një kushtetutë të re. Por edhe kjo nuk u mjaftonte protestuesve, të cilët ia kanë dalë ta sjellin ndryshimin shumë më shpejt, duke rrëzuar presidentin dhe duke filluar menjëherë procesin e transformimit. Në këtë situatë të gjatë dhe komplekse, janë njerëzit në rrugë që kanë shfaqur vendosmëri, kurajë dhe këmbëngulje.

Por, duhet me qenë të matur. Gjithë sa ne dimë për këta lloj revolucionesh është se ky është një moment drithërues, që shpesh herë shoqërohet me trazira, tension, dhunë dhe kaos. Shkatërrimi i rendit të vjetër është shumë më i kollajtë se sa ndërtimi i një rendi të ri.

Kjo do të jetë vecanërisht e vërtetë në Ukrainë, një vend i zhytur në korrupsion dhe që, në shumë drejtime, është në prag të kolapsit ekonomik. Opozita do të duhet të veprojë me mencuri dhe duhet të përfshijë edhe ata që i përcmon, përfshirë edhe mbështetës të ish presidentit Janukovic.

Dhe Rusia nuk do të lejojë që Ukraina të rrëshkasë plotësisht nga shtrëngimi i saj. Një prej flotave të shumta që ajo ka, është e vendosur në Detin e Zi, në Ukrainë. Gazsjellësit rusë përshkojnë të gjithë vendin, duke transportuar gaz në drejtim të Europës. Rusia do të kërkojë të ketë fjalën e vet për sa ndodh aty, sic ka bërë 300 vitet e fundit. Prandaj opozita ukrainase, e shndërruar në qeveri, duhet të ketë një qasje të matur dhe një sens uniteti kombëtar.

Por, edhe Rusia duhet të jetë e kujdesshme. Sic është parë këto javët e fundit, ajo ka krijuar një ndjenjë të fortë kundërshtimi mes dhjetëra milionë ukrainasve, dhe armiqësia e tyre ndajdominimit rus fare mirë mund të rritet.

Të paktën për momentin, le të mahnitemi prej shpirtit të popullit ukrainas, të shpresojmë për të ardhmen e tij dhe të vërejmë se 2014-a nuk po duket një vit aq i mirë për Vladimir Putinin, sic dukej një javë më parë.

* GLOBAL PUBLIC SQUARE

Leave a Reply

Back to top button