Analiza

KOMENT / Zemra franceze e Europës

“Në këtë vit përvjetorësh, ia vlen të reflektosh mbi të ardhmen e Francës
Javier Solana
The Gallic Heart of EuropeEuropa ka nevojë për një Francë që është krenare, e begatë dhe në gjendje të kapërcejë dyshimet e saj të zymtë. Ne kemi nevojë për kombin e madh që ishte dhe që do të jetë – Franca që frymëzoi të gjithë botën me revolucionin, kulturën dhe vlerat e saj. Alain Peyrefitte, studiuesi, politikani dhe i besuari i Charles de Gaulle, ka thënë se “pa Europën, Franca do të jetë një hiç”. Por, edhe pa Francën, Europa do të jetë një hiç.
Në këtë vit përvjetorësh, ia vlen të reflektojmë mbi të ardhmen e Francës. Në 14 korrik, Dita Kombëtare e Francës, që këtë vit shënoi 225-vjetorin e vërshimit drejt Pallatit të Bastijës, ushtarë algjerianë marshuan në paradë përgjatë Champs-Élysées, për herë të parë që nga lufta e Algjerisë për pavarësi gjysmë shekulli më parë, një simbol i lëvizsshëm i përsosmërisë. Ka qenë gjithashtu njëqind vjetori i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, dhe 25-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, që solli me shpejtësi ribashkimin e Gjermanisë.
Europa ka ndryshuar shumë që atëherë. 25 vjet më parë, Franca dhe Republika Federale e Gjermanisë Kishin popullsi të ngjashme prej afro 60 milionë banorëve (si Italia dhe Mbretëria e Bashkuar). Ribashkimi i Gjermanisë i shtoi më shumë se 16 milionë banorë të rinj nga ish Gjermania Lindore, duke e bërë Republikën Federale të zgjeruar tashmë, vendin me popullsi më të madhe në Bashkimin Europian deri më sot.
Kjo gjë prishi ekuilibrin e boshtit franko-gjerman, përreth të cilit ishte mbajtur prej një kohe të gjatë BE si i tërë. Për të shmangur pasojat politike negative, Gjermania ra dakord të ketë një peshë më të vogël në votim për çështjet e BE-së – një mungesë ekuilibri që nuk u korrigjua deri në hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës në vitin 2009.
Me kalimin e kohës, dhe në një proces që ka dalë edhe më shumë në pah prej krizës ekonomike aktuale, madhësia dhe fuqia ekonomike bënë që Gjermania të fillonte të përcaktonte ritmin e çështjeve europiane. Sot Gjermania është bërë qartësisht pikë referimi për hartimin e politikave në lidhje me problemet më të rëndësishëm që ndesh BE.
Por, logjika e mënyrës si u ndërtua Europa, kërkon që Franca të plotësojë Gjermaninë – dhe tani, që shtete të tjerë të mëdhenj të BE-së, përfshirë Italinë, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Poloninë, po ecin kaq mirë. Në të vërtetë, Euroa e sotme nuk mund të jetë një çështje e dy vendeve, si 30 vite më parë.
Por, për shumë prej shteteve anëtarë të BE-së, Franca mbetet një simbol. Kështu që kur vuan Franca, vuan edhe Europa. Shërimi i Europës dhe shërimi i Francës janë dy pjesë të të njëjtit ekuacion, me të njëjtat të panjohura në lojë.
Për shkak të rëndësisë së saj, peshës historike dhe bagazhit kulturor, Franca ndjek me mosbesim ndryshimet që po ndodhin përreth saj – a thua pesha e kombësisë së vet nuk e lejon të nisë fluturimin dhe i ngushton horizontin. Por sot, asnjë shtet nuk mund të mbetet i izoluar nga globalizimi, as mund ta zbusë, dhe as mund ta udhëheqë atë i vetëm. Kështu që, Franca duhet të shohë sërish nga Europa, e cila nga ana e saj ka nevojë edhe për Francën, edhe për Gjermaninë me qëllim që të jetë e ekuilibruar dhe e suksesshme.
Franca ka ende barrën e pasojave të votimit të saj kundër Kushtetutës Europiane në vitin 2005 – që duhet ta themi, nuk ka qenë momenti i saj më i mirë. Dhjetë vjet më vonë, Franca nuk duhet të ketë frikë nga shkëmbimi i një pjese të sovranitetit të saj, me më shumë bashkim politik në Europë. Përkundrazi, Franca duhet të jetë një prej udhëheqësve të kësaj përpjekjeje, duke shtuar zërin dhe qendërsinë e vet si një shtet që ndodhet mes Europës veriore dhe jugore, dhe të shërbejë si model për shtete të tjerë me probleme sociale.
Ashtu si Gjermania bëri dikur një hap përpara, duke hequr dorë nga Deutsche Mark-a e saj në këmbim të Euros, edhe Franca duhet të zhvillohet përtej kuadrit klasik të shtetit-komb. Ashtu sikurse epërsia ekonomike e Gjermanisë përkthehet në fuqi më të madhe politike, ajo bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për ta plotësuar këtë me pikëpamjen unike të Francës. Kjo është veçanërisht e vërtetë po të kemi parasysh progresim e pandalshëm drejt një integrimi më të madh ekonomik, i cili më tej do të çojë tek një integrim më i madh politik.
Themeli i fortë ekonomik i Francës i jep këtij vendi mjetet për të përballuar reformat që i nvojiten me urgjencë. Të ardhurat e saj për frymë janë më shumë se 30 mijë Euro në vit, dhe ajo ka një shtet të fortë social si dhe një shoqëri të arsimuar. Megjithatë, rritja e GDP është në stanjacion.
Europa dhe bota nuk mund të lejojnë që Franca dinamike të zhytet në një Francë statike, një Francë që i reziston çdo lloj ndryshimi. Për shembull, bashkëpunimi i Francës në ndërtimin e një tregu të përbashkët europian për energjinë është shumë i rëndësishëm për SPanjën. Në të vërtetë, kjo marrëdhënie mund të jetë shumë dobiprurëse për Francën dhe për gjithë Europën.
Franca duhet ta konsiderojë Europën të vetën. Vlerat republikane franceze gjejnë shprehjen e tyre në BE. Liria, barazia dhe vëllazëria janë armike të vizioneve nacionalistë, ekstremistë dhe eurofobë që kanë pllakosur Europën sot. Këta vizione të errët duhet të ndeshin në angazhimin e Francës për integrim, sundim të ligjit dhe laicizëm.
Franca ka marrë angazhime të rëndësishëm ndërkombëtarë kohët e fundit që të gjithë duhet t’i vlerësojnë, me shpresën se rizgjimi politik, ekonomik dhe social i Francës do të vazhdojnë. Nuk duhet të ketë sprapsje në rrugën drejt modernizimit, sidomos tani, kur forcat politike që shfrytëzojnë frikën dhe urrejtjen janë në ngjitje, duke tradhëtuar vlerat republikane. Ky është momenti për Francën, bashkë me pjesën tjetër të Europës, që të kapërcejnë pesimizmin, dyshimin dhe mosbesimin. /Project Syndicate/

*Ish-përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ministër i Jashtëm i Spanjës

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button