Analiza

Kompleksi i Mongolit

Figura historike që “Kalifati” i Shtetit Islamik merr si shëmbull është ajo e udhëheqësit gjakatar mongol Hulagu Kan, i cili e shkatërroi krejtësisht Bagdadin në shekullin e XIII

Hassan Haidar

Al-Hayat

Screen Shot 2015-03-12 at 22.46.25Shteti islamik të kujton format më të këqija të terrorit që Iraku ka njohur në të kaluarën e tij të largët, gjatë pushtimit mongol [dhe pushtimi i Bagdadit në vitin 1258] nga Hulagu Kani [(1217-1265), nipi i Xhengis Kanit. Pasi kishin vrarë, djegur, torturuar banorët, mongolët sulmuan bibliotekat.

Sipas tregimeve të asokohe, ata kishin hedhur kaq libra në lumin e Tigrit, saqë ai ishte nxirë nga boja e tyre. Sot, zbulimi i fundit i Shtetit islamik, i cili merret me artin për të mbjellë terrorin në zemrat e qytetarëve të tij, ishte të hidhte në erë bibliotekën qëndrore të Mosulit, mediatekën dhe teatrin e universitetit të qytetit, dhe të djegin më shumë se 100 000 libra në provincën e Al-Anbarit, përfshirë dhe mbishkrimet e çmueshëm.

Organizata dogji të gjallë pilotin jordanez dhe ekzekutoi qindra luftëtarë dhe civilë, duke i qëlluar me plumb në kokë, ose duke i therur, një tmerr i shkaktuar nga marrëdhënia e afërsisë midis xhelatit dhe viktimës së tij.

Të gjithë mendonin se jemi në periudhën e mjeteve që lejojnë të vrasësh në distancë. Shteti islamik nuk kënaqet të imitojë mongolët duke djegur librat, me qëllim që të fshijë gjurmët e së kaluarës. Ai i imiton ato duke ngjyrosur ujin. Atje ku Hulagu kishte ngjyrosur ujin e lumit Tigër me bojë të zezë, ata ngjyrosin ujin e Mesdheut me ngjyrën e kuqe të gjakut, si në videon e prerjes së kokave të 21 koptëve egjiptianë [në bregdetin libian], e prodhuar sipas specialistëve, me shumë retushim. Ai i kthehet traditës së grabitjes të femrave, praktikë e zakonshme e luftërave të vjetra, duke kapur rob femra zaidite, apo të tjera, për t’i nxjerrë në treg për shitje.

Gjithmonë besnik ndaj shembullit të Hulagu-s, Shtei Islamik ekzekuton luftëtarët që dorëzohen, për arsyen e thjeshtë se ata i kanë rezistuar më parë. Hulagu njihet që kaloi qindra-mijëra persona në tehun e shpatës, në vendet që kaloi gjatë marshimit për në Bagdad, ndërkohë që i kishte premtuar atyre se do t’i lejonte të largoheshin.

Shteti islamik ka bërë të njëjtën gjë me ushtarët e ushtrisë irakene, që i kishin hedhur armët e tyre duke shpresuar kështu që të shpëtonin jetën e tyre. Atje ku Hulagu kishte mbledhur mongolë, kinezë, budistë dhe myslimanë të etnive dhe përkatësive fetare të ndryshme, për të sulmuar kryeqytetin e perandorisë abaside, sot “Kalifati” i Shtetit Islamik tërheq terroristë nga katër anët e botës, të cilët flasin gjuhë të ndryshme si anglisht, rusisht, gjuhën çeçene dhe frengjisht. Gjithë këto bëjnë të mendosh se “Kalifi” Al-Baghdadi është një admirues i Hulagu-s. Ai kërkon të matet me famën e modelit të tij të shquar, që ka qenë njeriu më i tmerrshëm dhe më vrastar i historisë. Ai i ka kaluar mësuesit e tij të Al- Qaida-s, si në numrin e viktimave, ashtu dhe nga larmia e mënyrave të ekzekutimit.

Leave a Reply

Back to top button