Analiza

Konflikti i ri i Donald Trumpit me Evropën

Nga Ishaan Tharoor

Bashkimi Evropian, filloi më në fund përdorimin e një mekanizmi që ka për qëllim të shpëtojë tregtinë midis kontinentit dhe Iranit. Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë – që të tre nënshkrues të marrëveshjes bërthamore me Teheranin – thanë se një “mjet me një qëllim të veçantë” i regjistruar në Paris, do t’u mundësonte kompanive europiane të nënshkruajnë marrëveshje biznesi me Iranin, duke anashkaluar Sistemin financiar të SHBA, dhe duke shmangur kështu hakmarrjen e mundshme amerikane.

“Për të shmangur përdorimin e parave të vërteta midis Iranit dhe Evropës, të cilat Shtetet e Bashkuara mund t’i përdorin si dëshmi për të justifikuar sanksionet, korporata pritet të operojë në thelb si një qendër pastrimi për pikat e kreditit. Nëse një kompani iraniane tregton me një homolog evropian, ajo mund t’i përdorë këto fonde për të paguar mallrat e blera”- shpjegoi kolegu im Rick Noack.

Projekti mund të ketë ndikim të kufizuar, siç sugjerohet në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Evropianët synojnë që ky mekanizëm të përdoret kryesisht për të tregtuar ushqime, ilaçe dhe paisje mkesore, dhe mallra fitimprurëse – megjithëse zyrtarët iranianë thane se shpresojnë që volume tregtar të zgjerohet në të ardhmen.

Por ekspertët thonë se masa është e rëndësishme për simbolikën që bart. Udhëheqësit e Evropës Perëndimore, u përpoqën dëshpërimisht të pengonin presidentin Trump të dilte nga marrëveshja bërthamore, e cila ishte produkt i viteve të diplomacisë komplekse, dhe për të cilën vetë burimet e inteligjencës amerikane, besojnë se ka frenuar në mënyrë efektive programin bërthamor të Iranit.

Por Trump nuk mori parasysh mendimin e tyre, duke u tërhequr nga marrëveshja dhe duke propozuar shtresa të ndryshme sanksionesh mbi Teheranin. Tani, partnerët më të afërt të Uashingtonit, po krijojnë mekanizma mbrojtës kundër tyre .

“Kjo është në fakt shkalla e parë, në të cilën Evropa po përpiqet t’i rezistojë masave ekonomike shtrënguese që zotëron SHBA”- tha Esfandjar Batmanghelixh, themeluesi i Forumit Evropë-Iran, në një telefonatë per gazetarët në Londër. Në të njëjtën telefonatë, Eli Geranmajeh, bashkëpunëtor në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, vuri në dukje krijimin e “ekipeve të përkushtuara në ministritë evropiane”, të cilat po zhvillojnë taktika për të ulur “përdorimin e tepërt dhe tejkaluar” sanksioneve të administratës Trump.

“Askush nuk ka iluzionin se kjo është një formulë magjike”- tha Geranmajeh, duke iu referuar njësisë së re të përbashkët gjermano-britaniko-franceze, “por është vetëm fillimi. . . një përgjigje më elastike”.  

Ekspertët e sanksioneve Henri Farrëll dhe Abraham Njuman, argumentuan se kjo lëvizje është një reagim i vonuar ndaj arrogancës së Uashingtonit. “Për një kohë të gjatë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në gjendje të përdorin ndërvarësinë e të tjerëve për qëllimet e veta të sigurisë”- shkruan ata, duke iu referuar kontrollit të padiskutueshëm të Shteteve të Bashkuara mbi sistemin financiar botëror.

Por kjo mund të ndryshojë. “Zyrtarët kryesorë amerikanë, kanë shprehur edhe në të shkuarën shqetësimin se, nëse Shtetet e Bashkuara nuk tregohen të kujdesshme, kjo mund ta dëmtojë këtë arkitekturë, duke ndërmarrë hapa agresive që do të inkurajonin shtetet dhe entitetet e tjera të krijonin rrjetet e tyre”- theksuan Farrëll dhe Njuman.

Të enjten, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mas, theksoi gatishmërinë e Evropës për t’u ndarë me Shtetet e Bashkuara. “Ky hap e bën të qartë, që edhe ne po ecim me vendosmëri dhe të bashkuar brenda gjirit të Bashkimit Evropian – edhe nëse të tjerët kanë një këndvështrim tjetër”-tha ai në kuadër të një ministeriali në Rumani.

Vetë administrata Trump, ka sigurisht një pikëpamje të ndryshme. Ajo ka lobuar në mënyrë agresive tek homologët e saj evropianë, për të ndihmuar në shtimin e presionit ndaj Teheranit, dhe duke pasur një sukses të përzier. Në dallim nga fuqitë kryesore të Evropës Perëndimore, ajo ktheu vëmendjen nga lindja, duke shpresuar të kishte më shumë aleatë nacionalistë dhe joliberalë në Hungari dhe Poloni.

Në fillim të këtij muaji, Sekretari i Shtetit Majk Pompeo do të marrë pjesë në një takim në Varshavë, me fokus Lindjen e Mesme, një aktivitet që fillimisht ishte menduar si një konferencë për të kundërshtuar ndikimin e Teheranit në Lindjen e Mesme.

Pompeo kishte shpresuar të drejtonte një akuzë kundër Iranit, por një reagim i fortë nga pjesëmarrësit e tjerë, e detyroi administratën Trump të ndryshonte tonin e saj. “Ky nuk është një takim anti-Iran, apo një stërvitje për ndërtimin e koalicionit”- tha një zyrtar i lartë i SHBA për gazetarët në një konferencë telefonike këtë javë.

Ndarjet mbi Iranin, janë duke shkaktuar një përçarje më të thellë mes Trump dhe miqve më të afërt të Uashingtonit. Shumë zyrtarë evropianë, u tronditën nga një fjalim i Pompeos i mbajtur në Bruksel në fund të vitit të kaluar, në të cilin ai lavdëroi lëvizjet nacionaliste të djathta në kontinent, dhe sulmoi multilateralizmin që ka qenë themeli i paqes dhe prosperitetit evropian për dekada të tëra.

Në një editorial për “Financial Times”, Konstance Stelzenmyler i Institutit Brukings, thotë se administrata Trump e ka përqafuar tezën e shkrimtarit izraelit Joram Hazoni, libri i fundit i të cilit e cilëson Bashkimin Evropian si një vegël në duart e imperializmit gjerman.

Hazoni – dhe Shtëpia e Bardhë – janë “të keqinformuar mbi statusin e shteteve-kombe në Evropë, apo për fuqinë e Gjermanisë mbi ta dhe BE-në”- shkroi Stelzenmyler .

Përveç kësaj, ajo pyet:”Në cilën epokë imagjinare të artë të nacionalizmit, po kthehet pas ora e Evropës? 1989? 1945? 1918?”. Nuk është e qartë se si mund të përgjigjet Pompeo, por e njëjta gjë vlen edhe për shumë nga populistët e krahut të djathtë, të cilët ai i lavdëroi. Kaosi që ka shkaktuar Brexit – dhe që vazhdon të mbështetet nga Trump dhe aleatët e tij – ka zbutur platformat nacionaliste të disa prej euroskeptikëve më të egër të Evropës.

“Edhe populistët dhe nacionalistët e suksesshëm si Mateo Salvini dhe Luixhi Di Maio në Itali, Viktor Orban në Hungari, Jarosllav Kazinski në Poloni dhe Alternativa për Gjermaninë, e kanë braktisur idenë e largimit nga eurozona apo të Bashkimit Evropian, dhe janë duke punuar për të ndryshuar funksionimin e bllokut nga Brenda”- vë në dukje Stiven Erlanger në “The Neë York Times”.

Muajt ​​në vijim, do të shohin një provë vendimtare të politikës Trumpiane në kontinent. Partitë politike të ekstremit të djathtë, do të shpresojnë për arritje të mëdha në zgjedhjet parlamentare evropiane në maj. Por, siç e bënë të qartë udhëheqësit kryesorë javën e kaluar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, liberalët dhe centristët evropianë do të rritin sulmet e tyre ndaj markës shkatërruese të nacionalizmit të Trump. Akomodimi i posaçëm i Iranit, duket se është nisja e kundërpërgjigjes së tyre.

“The Washington Post” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button