Analiza

KONFLIKTI / Përplasja për hegjemoninë

KONFLIKTIMes njerëzve të dëshpëruar të Gazës, shumëkush denoncon këto kohë indiferencën e shteteve arabë. Por realiteti është i ndryshëm dhe jo domosdoshmërisht më i mirë: Rripi i Gazës nuk është harruar aspak nga qeveritë e rajonit, përkundrazi, ai është në qendër të një lufte diplomatike dhe gjeopolitike, që reflekton reshtimet e shfaqur pas dështimit të Vëllazërisë Myslimane në pushtet, pas revolucioneve. Mbi të gjitha, në këtë përplasje mbizotëron kundërvënia mes Egjiptit dhe Katarit. Tek i pari, presidenti Abdel Fatah al Sisi e ka “zeruar” Vëllazërinë, me qindra të vdekur dhe mijëra arrestime, dhe mbështet hapur vullnetin e Izraelit për të “asgjësuar” Hamasin, i cili lindi pikërisht nga Vëllazëria dhe u mbrojt po prej saj. Emiri i Katarit, e mbron islamin politik me dy armët e tij më të mira, Al Jazzeeran dhe diplomacinë. Por tani, përtej pozicioneve të kundërvënë, Kairo dhe Doha po luftojnë për t’u imponuar si ndërmjetësues për një armëpushim afatgjatë në Gaza. Prestigji ndërkombëtar për një sukses të tillë – që duket i largët – do ta forconte më shumë shtetin që do ta arrinte, përveç se do të dobësonte rivalin. Në vitin 2012, pikërisht me ndërmjetësimin mes Hamasit dhe Izraelit, raisi islamik Mohammad Morsi fitoi njohje dhe kredite ndërkombëtarë. Nuk i shërbyen shumë: shtatë muaj më vonë u rrëzua nga al Sisi. Por ky i fundit, nuk mund të lejojë sot që propozimi i tij të lihet mënjanë, në favor të atij të emirit të vogël islamik.

“Ka një komplot të boshtit Hamas-Katar-Turqi, për t’i hequr Egjiptit rolin e fortesës rajonale”, ka akuzuar Ministri i Jashtëm, Sameh Shukri, pas kundërshtimit që i bëri Hamasi propozimit egjiptian. “Nuk na rezultojnë propozime të tjerë në tryezë, yni është i vetmi”, ka shtuar ai. Në të vërtetë, në favor të ndërmjetësimit të Dohas nuk është vetëm Turqia: përveç mbështetjes jo shumë të rehatshme të Iranit dhe Sudanit, SHBA kanë marrëdhënie më të mira me emiratin, se sa me Al Sisin. Dhe mbi të gjitha, Hamasi dëgjon më shumë Katarin. Por Egjipti ka hedhur të gjithë forcat e tij në këtë luftë: mediat vendase u bëjnë elozhe “luftëtarëve të zotë izraelitë” (gjë që nuk kishte ndodhur kurrë). Sheshet nuk mobilizohen për Gazën (nuk kishte ndodhur as kjo), mbi të gjitha Arabia Saudite dhe Emiratet janë në anën e tij. Në këtë bllokim diplomatik, lista e të vdekurve në Gaza vazhdon të zgjatet./Corriere.it/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button