Analiza

Ukrainë-Rusi, lufta virtuale mes hakerave

Nga Vitaly Shevchenko

Hakerat ukrainas thonë se kanë arritur që të kënë akses tek kamerat e sigurisë duke monitoruar lëvizjet e trupave separatiste ruse

hackers bbc

Përveç dhunës së egër në konflitin ukrainas, një tjetër luftë e fshehtë është zhvilluar kohët e fundit, duke përfshirë grupe të ndryshme hakerash. Pak gjë u shpëton këtyre të fundit. Dokumente zyrtare dhe komunikime private janë bërë publike dhe faqe interneti janë bllokuar. Ata kanë shtënë në dorë kamerat e sigurisë, tabelat e reklamave elektronike apo dhe rrjete printerash. Grupimet më të njohura të luftëtarëve virtualë janë “Trupat Kibernetike Ukrainase”, “Cyber Berkut” dhe “Anonimët Ndërkombëtarë”. Të tre këto grupe e prezantohen si aktivistë të pavarur, të ndarë nga njëri-tjetri, si dhe që nuk janë të sponsorizuar nga ndonjë qeveri. Grupi kryesor i hakerave pro-ukrainas janë “Trupat Kibernetike Ukrainase”, të drejtuara nga programuesi nga Kievi, Jeven Dokukin. Së fundmi Dokukin thotë se ka arritur që të depërtojë në serverat e Ministrisë së Brendshme ruse, si dhe në një adresë e-maili që përdoret nga policia ruse e Rostovit, në kufirin lindor me zonat sepatariste të lindje të Ukrainës. “Unë informacionet që mbledh ua jap forcave ukrainase të sigurisë, por kur ata nuk arrijnë të zbulojnë diçka, detyrohen ta bëj vetë një gjë të tillë”- u deklaron ai lexuesve në Facebook.
Trupat Kibernetike Ukrainase kanë krijuar një duzinë virusesh që u kanë penguar rebelëve hyrjen në shumë faqe interneti, duke i joshur përmes ofertave për shërbime elektronike që nuk ekzistojnë. Grupi i aktivistëve vullnetarë “Inform Napalm”, analizoi më shumë se 35 gigabajt të dhëna, duke gjetur atë që dukej se raportet zyrtare e konfirmojnë, se ushtarakët rusë ishin mes qindra njerëzve që u evakuan për në Rusi, pasi kishin mbetur të plagosur në Ukrainë. Trupat Kibernetike Ukrainase përdorën gjerësisht një prej truqeve më të përdorura në luftën kibernetike, një sulm për mohimin e shërbimit on-line. “Sulme të tilla janë artileria e rëndë e Trupave Kibernetike Ukrainase” – i pëlqen të thotë zotit Dokukin. Shumë prej faqeve të internetit të rebelëve u bënë të papërdorshme, kur këta hakera së fundmi bombarduan separatistët me shërbime që nuk ekzistonin. Nga ana e saj Rusia e ka mohuar faktin se ndonjë prej ushtarëve të saj po lufton në rradhat e separatistëve në Ukrainën Lindore. Për të ndërprerë financimet e separatistëve, hakerat ukrainas kanë sulmuar llogaritë që rebelët kanë në adresat elektronike të pagesave online si PayPal apo WebMoney.
Trupat kibernetike gjithashtu kanë ndërhyrë në sistemin publik të kamerave të sigurisë që rebelët menaxhojnë në zonat në lindje të Ukrainës dhe mbajnë në vëzhgim këta të fundit, mbi lëvizjet e trupave dhe pajisjeve ushtarake. Në 8 dhjetor, Jeven Dokukin prentendoi se kishte marrë në kontroll rrjetin e printerave në lindje të vendit, duke shtypur mesazhe pro Kievit si dhe artikuluar fyerje ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Disa raportime mediatike, thonë se forcat ukrainase të sigurisë kanë përdorur të dhënat e marra nga hakerat, për t’u orientuar saktë mbi pozicionet që do të bombardonin. Por autoritetet zyrtare e mohojnë këtë. “Ne përdorim vetëm të dhënat e marra nga njerëz që i njohim dhe u besojmë”- i tha BBC-së zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Oleksej Dimitrashkivskij.
Në anën tjetër të llogores së luftës, qëndron grupi rival i hakerave  prorusë “Cyber Berkut”, një grup ky anti-perëndimor që ka marrë emrin e njësisë së forcave speciale të policisë që ndërmorën një reagim të dhunshëm kundër protestuesve, gjatë trazirave në Kiev që çuan në dorëheqjen e presidentit, Viktor Janukoviç.
Synimi i deklaruar i këtij grupi është të sabotojë planet e ushtrisë ukrainase dhe të ndalë “genocidin” që Kievi akuzohet se ka ndërmarrë në lindje të vendit me urdhër të SHBA-ve. Motoja e këtij grupi është: “Ne nuk do të falim apo harrojmë”, në një kohë që retorika e përdorur ngjan si dy pika uji me atë të medias shtetërore në Rusi.
Gjatë vizitës që zv.presidenti amerikan Xho Bajden kreu në Kiev në datat 20-21 Nëntor, grupi “Cyber Berkut”, ndërhyri në disa prej faqeve zyrtare të internetit të agjensive qeveritare, duke shkruar këto fjalë: “Jozef Bajden është një mjeshtër i fashizmit!”. “Cyber Berkut” pretendon gjithashtu se ka arritur që të shtjerë në dorë dokumenta konfidencialë nga telefoni celular i një anëtari të delegacionit zyrtar që e shoqëronte Bajdenin në këtë vizitë.
Dokumenti zbulonte në detaje ndihmën ushtarake që Uashingtoni ka dhënë për Ukrainën. Një tjetër marifet i përdorur nga “Cyber Berkut” është ndërhyrja në sistemin e tabelave elektronike në Kiev, duke shfaqur një video ku zyrtarët ukrainas dhe aktivistët etiketohen si “kriminelë lufte”, si dhe duke paraqitur foto dhe statistika, mbi numrin e civilëve që kanë gjetur vdekjen që prej fillimit të konfliktit. Ata gjithashtu pretendojnë se kanë arritur të nxjerrin jashtë përdorimit sistemin e numërimit elekronik të votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të tetorit në Ukrainë, kanë shtënë në dorë informacionet e rrjedhura nga Ministria Ukrainase e Mbrojtjes sa i përket humbjeve në njerëz dhe dezertimeve nga fronti i luftës, si dhe që kanë bllokuar faqen zyrtare të presidentit Poroshenko.
Përveç kësaj, tabloidi rus “Komsomolskaya Pravda” publikoi një bisedë të zhvilluar në “Facebook”, dhe që supozohet të jetë zhbiriluar nga hakerat e “Cyber Berkut”, në të cilën zyrtarët ukrainas duket se pranojnë se ishin forcat e tyre që rrëzuan avionin e linjës “Malaysia Airlines”.
Një pohim i tillë që në fakt nuk u mor u seriozisht nga pjesa me e madhe e medias dhe opinionit publik, nuk u verifikua kurrë. Grupi tjetër prorus i “Anonimëve Ndërkombëtarë” përdor imazhe nga novela e njohur e Lewis Carroll “Përmes pasqyrës”. Ky grup fitoi famë kur publikoi dokumenta të vjedhura nga Kremlini. Njihet ndryshe si “Boltai” ose “Shaltay Boltay”, që përkthehet si “Humpty Dumpty”, një personazh i njohur i novelës tjetër të Carroll “Liza në botën e çudirave”. Ajo që nuk është e qartë është nëse ky  grup i ka marrë të dhënat përmes hakimit apo dikush në Kremlin ia ka dhënë vetë.
Grupi në tërësi është përqëndruar në çështjet e brendshme të Rusisë, por disa prej materialeve që zotëron kanë të bëjnë me krizën ukrainase. Në nëntor u publikua letra e një ushtari rus në lindje të Ukrainës i cili veç të tjerash theksonte se banorët e zonës nuk mbështesin forcat separatiste. Ndërkohë që në maj bëri bujë informacioni i rrjedhur që thoshte se këto ishin e-maile që dërgoheshin nga ish-koloneli rus i Shërbimit të Fshehtë, Igor Girkin, i njohur ndryshe si Strelkov, njëri prej komandatëve kryesorë të forcave rebele në lindje të Ukrainës. Aktualisht në Rusi aksesi në faqen e internetit të “Anonimëve Ndërkombëtare” është bllokuar./BBC/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button