Bota

Konservatorët po komplotojnë në Vatikan, për rrëzimin e Papa Françeskut

Nga Kaya Oakes

Në muajin gusht, në një letër të botuar në Regjistrin Katolik Kombëtar, arqipeshkvi italian Karlo Maria Vigano fajësoi Kishës Katolike Romake, për krizën e abuzimeve seksuale nga ana e priftërinjve homoseksualë, që “veprojnë në fshehtësi, dhe për gënjeshtrat e tyre që kanë fuqinë e tentakulave të oktapodit, dhe i mbytin viktimat e pafajshme, vokacionin priftëror, dhe bashkë me to dhe të gjithë kishën.

“Papa Françesku, shkroi ai, i kishte mbrojtur këta priftërinj. Vigano e cilësoi specifikisht Teodor Mekarrik një “grabitqar serial”, i cili dha dorëheqjen si kardinal në korrik, pas lajmit se kishte abuzuar seksualisht me djem adoleshentë, teksa po ngrihej në detyrë për t’u bërë një nga arqipeshkët më të shquar të Amerikës.

Vigano i bëri thirrje Françeskut të “vendosë një shembull të mirë”, dhe të japë dorëheqjen, së bashku me kardinalët e tjerë, dhe peshkopët e implikuar në këtë skandal. Ai nuk u ndal shumë tek fakti që abuzimet e Mekarrik ndodhën gjatë papatëve të paraardhësve konservatorë të Françeskut, Gjon Palit II dhe Benediktit XVI.

Çfarëdo që mund të ketë ditur Françeku mbi Mekarrik, papët e mëparshëm ndoshta dinin shumë më tepër. Por përgjegjësia e tyre nuk u përmend. Vigano, i përket një krahu tradicionalist të kishës, që nuk e ka pranuar kurrë realisht zgjedhjen e Papa Françeskut.

Në Shtetet e Bashkuara, ky kontigjent përfshin Kardinalin Rejmond Burke nga Sent Ljuis, Kryepeshkopin e San Françiskos Salvatore Kordileone dhe Arqipeshkvin e Filadelfias, Çarls Kaput.

Klerikët e fuqishëm, nuk janë thjesht konservatorë mbi çështjet teologjike, por edhe në politikat e tyre. Ndërsa shërbente si nunc apostolik apo ambasador i Vatikanit në Uashington, Vigano ishte përgjegjës për prezantimin e Papa Françeskut tek Kim Dejvis, nëpunësi i gjendje civile në Kentaki, që refuzoi në vitin 2015 të lëshonte licenca martesore për çiftet homoseksualë.

Nga San Françisko, Kordileone e mbështeti publikisht Propozimin Tetë në Kaliforni, që kundërshtoi martesat mes të njëjtit seks, duke mbledhur një fond prej mbi 1 milion dollarësh,

për ta hedhur propozimin në referendum.

Kaput, i ka bërë thirrje Universitetit të Notrë Dam, t’i japë Presidentit Donald Trump një diplomë nderi. Burke planifikon t’i bashkohet ish-shefit të fushatës së Trump, Stiv Benon, për të ndërtuar një kampus katolik pranë Romës, i cili do të organizojë takime dhe seminare me krerët e kishës dhe politikanët e interesuar, për mbrojtjen e “Krishterimit”.

Në fund të muajit gusht, disa peshkopë konservatorë amerikanë dhe aleatët e tyre, shkruan letra në mbështetje të Viganos, madje edhe pasi gazetarët e “The Washington Post” dhe “The New York Times”, raportuan se kishte gjasa ta ketë ekzagjeruar shumë nga pretendimet që ai kishte bërë në Regjistër.

Ata po përdorin krimet më të këqija të kishës, për të sulmuar Françeskun dhe politikat e tij liberale. Ajo që duhet të kishte shërbyer si mirënjohje, është shndërruar në një mundësi për ta rrëzuar atë. Françesku është luftuar nga kritikët e tij, që kur u zgjodh Papë në vitin 2013.

Kur Benedikti, një teolog bavarez me nofkën “Rotvajleri i Zotit”, dha dorëheqjen në fillim të atij viti, ai kishte ende një mbështetje të konsiderueshme në Vatikan, për qëndrimet e tij ekstremiste konservatore, që përmendeshin dikur në tekstet e shekullit XIV, dhe që e kritikonin fenë Islame si “të ligë dhe çnjerëzore”; që anuloi shkishërimin e një peshkopi britanik që mohoi Holokaustin; dhe kur ndaloi përdorimin e prezervativëve me pretendimin se ato e kishin dobësuar luftën kundër AIDS-it.

Nga atëherë, disidentët konservatorë në hierarkinë katolike, kanë formuar një rezistencë të larmishme, duke u mbështetur në deklaratat e Franceskut për divorcin, emigracionin, ndryshimet klimatike dhe varfërinë. Pjesa më e madhe e kësaj rezistence vjen nga Shtetet e Bashkuara. Megjithëse 63 për qind e katolikëve amerikanë e mbështesin Papën, sipas një sondazhi të fundit të CNN, kleriku konservator dhe donatorët e pasur katolikë, mbeten në mesin e kritikëve më të ashpër të tij.

Linja e tyre më e zakonshme e sulmit, përqendrohet në mbështetjen e supozuar të Françeskut ndaj priftërinjtë homoseksualë. Në vitin 2013, Papa deklaroi:E kush jam unë që të gjykoj?”, kur u pyet mbi katolikët homoseksualë. Dy vjet më vonë, ai u takua në Uashington me një student që kishte shpallur homoseksualitetin e tij, Jajo Grasi dhe partnerin e tij.

Dhe kohët e fundit, ai i kërkoi Xhejms Martin, një prift jezuit që ka shkruar një libër mbi katolikët LGBT, të mbante një fjalim në Takimin Botëror të Familjeve në Irlandë verën që shkoi.

Françesku nuk ka ndërmarrë asnjë veprim zyrtar, për të ndryshuar politikën e kishës rreth homoseksualitetit, por konservatorët janë gjithsesi të tmerruar.

Në muajin maj, kur Françesku i tha një të mbijetuari homoseksual kilian nga një abuzim seksual, se Zoti e bëri atë homoseksual, por e do atë gjithsesi, kolumnisti konservator amerikan Rod Dreher, tha se Papa po shkatërronte kishën. Konservatorët si Dreher, pohojnë se priftërinjtë homoseksualë janë autorët kryesorë të abuzimit seksual të fëmijëve, dhe se mbështetësit e tyre të fuqishëm në Vatikan – të cilët Dreher i quan ’mafia e livandos’ – janë përgjegjës pse i mbrojnë ata.

Sigurisht, s’ka asnjë dëshmi të shkallës më të lartë, të abuzimeve seksuale midis klerit homoseksual. Në fakt, abuzimi, fetar dhe laik, është më së shpeshti pasojë e “situatave të përgjithshme”, ku abuzohet me këdo që është nën kontrollin e tyre, mashkull apo femër, fëmijë apo të rritur.

Por kjo nuk i ka ndaluar konservatorët, të argumentojnë se burrat homoseksualë janë përgjegjës për krizën e abuzimieve seksuale. Për shembill, në letrën e tij Vigano përdor 2 herë fjalën “fëmijë” dhe 16 herë fjalën “homoseksual”. Kardinali Burke, i krahasoi priftërinjtë e homoseksualë me vrasësit, në një intervistë të vitit 2015 me “LifeSite Neës”, një faqe interneti pro-jetës.

Problemet me të cilat përballet kisha, nga abuzimi i fëmijëve, tek mungesa e meshkujve që aplikojnë për t’u bërë priftërinj, tha ai në një rast, vijnë për shkak se burrat janë “feminizuar” tej mase, dhe duke marrë parasysh historinë e Burke, kjo mund të merret si një mënyrë për të thënë se ata “janë shumë gej”.

Konservatorët që përpiqen të fajësojnë priftërinjtë homoseksualë për skandalet seksuale, duket se kanë dy objektiva kryesore. Së pari, ata shpresojnë të spastrojnë kishën nga klerikët homoseksualë. Dhe së dyti, ata duan largimin e Françeskut. Për shkak se ky i fundit, e ka zbutur qëndrimin e kishës ndaj çështjeve LGBT, kundërshtarët e tij mund ta akuzojnë atë për strehimin e priftërinjve homoseksualë, dhe në mendjen e tyre, ta lidhin atë me përgjegjësinë për krizën e abuzimit seksual, pavarësisht faktit se ajo filloi shumë kohë para se ai të zgjidhej papë.

Askush nuk e di ende, se sa dinte Françeskun mbi abuzimet seksuale. Në orën e diskutimit me gazetarët në avionin papnor, pas publikimit të letrës së Vigano-s, Papa nuk i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij.

Përkundrazi, ai u tha gazetarëve të pranishëm:”Ju keni kapacitetin gazetaresk për të nxjerrë përfundimet tuaja”. Një mohim i vendosur, do të ishte i preferueshëm në rrethana të tilla – ai po kthehej në Romë nga Irlanda, ku sapo kishte takuar viktimat e abuzimeve seksuale, të cilat arritën një shkallë kaq të tmerrshme, saqë një brez i tërë njerëzish kishte braktisur kishën.

Papa tha më vonë, se takimi me ta la një “shenjë të thellë” tek ai. I prezantuar me letrën shumë shpejt pas takimit të viktimave të traumatizuara, ai thjesht mund të ishte tepër i tronditur për t’u përgjigjur si duhet. Ose kjo mund të nënkuptojë, se Françesku kishte informacione mbi abuzimet e Mekarrik.

Ai është Papë prej 5 vitesh. Ai mund të kishte marrë një qasje më të ashpër kundër abuzimit seksual në kishë. Ai mundet ende ta bëjë këtë. Por në mesin e këtij konflikti të zjarrtë, një gjë është e qartë:përpjekjet e konservatorëve për të rrëzuar Françeskun, duke i shfajësuar paraardhësit e tij, dhe duke e fajësuar për një krizë globale seksuale të abuzimeve të priftërinjve homoseksualë, janë të liga dhe abuzive.

Problemet e Kishës Katolike, nuk rrjedhin nga homoseksualizmi, por nga një kulturë e vjetër që mbron klerin – dhe vetë kishën – në kurriz të njerëzve ndaj të cilave ata duhet të shërbejnë. Shumë kohë më parë, Vatikani dhe lidershipi i tij e humbën lidhjen e tyre me jetën e zakonshme të miliarda katolikëve në mbarë botën. Tani, ata privilegjojnë reputacionin mbi të vërtetën, dhe ashtu si shumë prej akuzave të tanishme që sillen rrotull, ai instikt ka degraduar.

Burimi: New Republic

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button